Vërtetmatësi: Manipulim me lajmin, “Lukoil” në Maqedoni është nga viti 2006, artikulli nxjerr fajtorë pa prova

Recensojmë tekst nga Fol.mk, me titull: Trump:Lukoil financon Rusinë. Por kush e solli këtë kompani në Maqedoni në vitin 2021 ., raporton Vërtetmatësi. Pompa e parë e benzinës e “Lukoil” në Maqedoni ka filluar me punë me 1 shtator të vitit 2006, në lagjen Kamnik, në hyrje të qytetit të Shkupit. Dhe jo më vitin 2021 siç […]

Vërtetmatësi: Manipulim me lajmin, “Lukoil” në Maqedoni është nga viti 2006, artikulli nxjerr fajtorë pa prova
Pompa e benzinës "Luk Oil" - fshati "Leshkë". Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Recensojmë tekst nga Fol.mk, me titull: Trump:Lukoil financon Rusinë. Por kush e solli këtë kompani në Maqedoni në vitin 2021 ., raporton Vërtetmatësi.

Pompa e parë e benzinës e “Lukoil” në Maqedoni ka filluar me punë me 1 shtator të vitit 2006, në lagjen Kamnik, në hyrje të qytetit të Shkupit. Dhe jo më vitin 2021 siç pretendon teksti i shpërndarë në disa media në gjuhën shqipe.

Kompania është themeluar si LUKOIL Macedonia DOOEL Skopje, pas nënshkrimit të një Memorandumi Bashkëpunimi me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë në gusht të vitit 2005.   

Ndryshe, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi të mërkurën sanksione të reja “të jashtëzakonshme” kundër dy prej kompanive më të mëdha të naftës ruse, Rosneft dhe Lukoil, në një përpjekje për të ushtruar presion mbi Moskën që t’i japë fund luftës në Ukrainë. Kjo vjen një javë pasi Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione të ngjashme ndaj Rosneft dhe Lukoil, dhe vetëm një ditë pasi Trump tha se një takim i planifikuar me Putinin në Budapest do të shtyhej për një kohë të pacaktuar.  

Sanksionet, të vendosura nga Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) e Departamentit të Thesarit të SHBA-së, në fakt i fusin në listën e zezë dy prodhuesit më të mëdhenj të naftës në Rusi.  

Teksti që po e recensojmë nuk e fakton atë që pretendon të plasojë si lajm. Parashtron pyetje se kush e solli “Lukoil” në Maqedoninë e Veriut, por nuk përgjigjet në pëyetjen e parashtruar. Teksti ngre si dyshim prezencën e BDI-së në Qeveri dhe njohjen e mundshme me kompaninë “Lukoil”, por në asnjë moment nuk jep argument. Kjo duhet të faktohet pa krijuar asnjë dyshim apo huti në opinion. 

Në foton e lajmit qëndron fotoja e kreut të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, sikur ai të ishte fajtori kryesor për prurjen e biznesit “Lukoil” në RMV.   

Shkruan “sipas informacioneve bëhet e ditur se atëherë gjithë veturat zyrtare të Maqedonisë së Verit janë furnizuar me naftë pikërisht nga “Lukoil”, por nuk e fakton as këtë pjesë me ndonjë të dhënë zyrtare. Teksti nuk respekton rregullin bazë gazetaresk të numërimit të së paku dy burimeve. 

Titulli, fotoja kryesore dhe përmbajtja nuk kanë asgjë të përbashkët. Produkti që po e recensojmë e që mëton të jetë gazetaresk, nxjerr konkluzione të gabuara pa provë. Titulli duhet të reflektojë përmbajtjen, asnjë përfundim në titull nuk mbulohet ose nuk provohet në tekst.  

Teksti thyen parimin kryesor të gazetarit e që është respektimi i së vërtetës dhe të drejtës së opinionit të jetë i informuar, në përputhje me nenin 16 të kushtetutës tonë. 

Sipas Kodit Etik të Gazetarisë, gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.