Vëzhguesit regjistruan disa shkelje të heshtjes zgjedhore
Edhe pse sot është heshtje zgjedhore, vëzhguesit shënojnë disa raste të shkeljes. Në rrjetet sociale ende shfaqen përmbajtje të sponsorizuara, edhe pse ato duhej të ndalonin në mesnatë. Xhabir Deralla nga Qendra për Liri për televizionin Alsat thotë se nga pjesë të ndryshme të vendit vijnë informacione për një aktivitet të shtuar të aktivistëve partiakë, […]


Edhe pse sot është heshtje zgjedhore, vëzhguesit shënojnë disa raste të shkeljes. Në rrjetet sociale ende shfaqen përmbajtje të sponsorizuara, edhe pse ato duhej të ndalonin në mesnatë. Xhabir Deralla nga Qendra për Liri për televizionin Alsat thotë se nga pjesë të ndryshme të vendit vijnë informacione për një aktivitet të shtuar të aktivistëve partiakë, të cilët po përgatiten për ditën e nesërme të zgjedhjeve, transmeton Portalb.mk.
Megjithatë, atmosfera mbetet kryesisht e qetë, pa incidente serioze, shton ai.
“Gjithashtu, vëzhguesit tanë afatgjatë nga i gjithë vendi raportojnë se ka një aktivitet të shtuar të aktivistëve partiakë, kryesisht bëhen përgatitje për ditën e nesërme, transport i votuesve dhe të ngjashme. Gjithashtu, vihet re shkelje e heshtjes zgjedhore, shpërndarje e materialit propagandistik. Megjithatë, mund të vërejmë se atmosfera mbetet kryesisht e qetë; njerëzit që janë në terren me bexhe të Civil-it nuk kanë vërejtur incidente të veçanta, të paktën deri tani”, tha Xhabir Deralla – Qendra për Liri – Civil.
Mbrëmë në mesnatë filloi heshtja zgjedhore e cila do të zgjas deri ora 19:00 të 19 tetorit. Gjatë 20 ditëve fushatë për këto zgjedhje lokale e cila filloi më 29 shtator, kandidatët për kryetar komunash kanë pasur mundësinë të prezantojnë ofertën e tyre para qytetarëve.
Sot votojnë personat e pafuqishëm ose të sëmurë, personat në arrest shtëpiak, të burgosurit dhe personat në azile.
Gjatë kohës së heshtjes zgjedhore ndalohet paraqitja mediatike e pjesëmarrësve në fushatë zgjedhore.
Radiodifuzerët duhet të raportojnë gjatë ditës së zgjedhjes, sipas rregullave të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.