Vijon protesta, Tirana në kaos, sulmohet me gurë dhe sende të forta selia e PS dhe Gjykata e Lartë (LIVE)

Protestuesit kanë sulmuar me gurë dhe sende të forta selinë e Partisë Socialiste në Tiranë, duke thyer xhamat e godinës. Për të shpërndarë turmën, policia ka ndërhyrë me autobotin e ujit.
Ndërkohë, nga brenda selisë kanë dalë disa persona të pajisur me shkopinj, të cilët kanë sulmuar protestuesit. Nuk dihet nëse janë efektivë civilë apo thjesht anëtarë të Partisë Socialiste.
Përplasjet nisën më herët pranë Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit sulmuan me gurë dhe molotov autobotin e policisë. Uniformat blu u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, duke bërë që turma të zhvendosej drejt qendrës së kryeqytetit.
Më pas policia i shpërndau protestuesit nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” me gaz lotsjellës dhe ujë, disa prej tyre u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave në rrugën kryesore pranë Gjykatës së Lartë, ndërsa kanë bllokuar edhe trafikun.
Ata po ashtu po hedhin sende të forta në drejtim të godinës së Gjykatës së Lartë.
Ndërkohë, bilanci i pesë ditëve të para të protestave ishte 272 persona të lënduar, mes tyre 169 punonjës policie, 82 protestues dhe 21 kalimtarë. (INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



