Violinisti shqiptar kapet në Francë me kokainë, armë e mijëra euro

Violinisti shqiptar kapet në Francë me kokainë, armë e mijëra euro

Një violinist 45-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar në Francë pasi u kap duke transportuar 38.3 kilogramë kokainë, të fshehur në një automjet.

Sipas mediave franceze, shtetasi me inicialet B. B., violinist profesionist dhe anëtar i orkestrës simfonike Victor-Hugo Bourgogne Franche-Comté, u ndalua nga doganierët në pikën e pagesës së La Turbie, ndërsa po udhëtonte në drejtim të Italisë me një automjet tip Citroën C5 Aircross.

Gjatë kontrollit të automjetit, doganierët konstatuan një hapësirë të dyshimtë poshtë tapetit në pjesën e sediljes së pasagjerit. Kontrollet e mëtejshme zbuluan dy hapësira të modifikuara në dyshemenë e automjetit, ku ishte fshehur sasia e madhe e kokainës.

Përballë Gjykatës Penale të Nisës, 45-vjeçari ka pranuar se kishte marrë përsipër transportin e drogës kundrejt një pagese prej 20 mijë eurosh.

Violinisti ka deklaruar se ishte përfshirë në këtë aktivitet përmes disa njohjeve që kishte krijuar gjatë një udhëtimi në Shqipëri. Ai ka mohuar, ndërkohë, se ishte kërcënuar apo detyruar për të kryer transportin.

Sipas autoriteteve franceze, kokaina e sekuestruar do të arrinte një vlerë prej rreth 1.14 milionë eurosh në tregun me pakicë.

Por hetimi nuk është kufizuar vetëm te droga e gjetur në automjet.

Në banesë i gjejnë armë, jelek antiplumb dhe mijëra euro cash
Gjatë kontrollit të banesës së violinistit, autoritetet franceze kanë zbuluar gjithashtu katër armë zjarri, dy pushkë, një jelek antiplumb, qindra fishekë dhe 88.900 euro në para cash.

Për armët, 45-vjeçari ka deklaruar se ishte i regjistruar si qitës sportiv.

Ndërsa për shumën prej 88.900 eurosh, ai ka pretenduar se bëhej fjalë për një dhurim të marrë nga babai i tij.

Deklarimet e tij kanë ngritur dyshime te prokuroria, e cila ka vënë në dukje sasinë e konsiderueshme të kokainës, mënyrën e sofistikuar të fshehjes së saj në automjet, si dhe praninë e armëve dhe shumës së madhe të parave në banesë.

Në përfundim të seancës, gjykata vendosi ta lërë në paraburgim.

Violinisti do të përballet me gjyqin në muajin tetor, ndërsa për veprën penale për të cilën akuzohet rrezikon deri në 10 vite burgim.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.