“Vitet e Rinisë”, shfaqja për dashurinë dhe mosdorëzimin

Me rastin e festës së 8 Marsit, në Shtëpinë e Pleqve në Prishtinë, u dha shfaqja “Vitet e Rinisë”, një dramë prekëse e autores dhe regjisores Blerina Racaj. Kjo shfaqje ka sjellë emocionet e thella tek të moshuarit, të cilët shprehën lumturinë e tyre që, sidomos në ditë të veçanta, nuk po ndihen të harruar.…

“Vitet e Rinisë”, shfaqja për dashurinë dhe mosdorëzimin
Me rastin e festës së 8 Marsit, në Shtëpinë e Pleqve në Prishtinë, u dha shfaqja “Vitet e Rinisë”, një dramë prekëse e autores dhe regjisores Blerina Racaj.

Kjo shfaqje ka sjellë emocionet e thella tek të moshuarit, të cilët shprehën lumturinë e tyre që, sidomos në ditë të veçanta, nuk po ndihen të harruar. “Vitet e Rinisë” është një histori që prek shpirtin dhe fton shikuesit të reflektojnë mbi fuqinë e kujtimeve dhe bukurinë e dashurisë së pashuar.

Në qendër të dramës janë dy të moshuar, të cilët, përmes dialogjeve të sinqerta dhe të thella, rikthehen pas në kohë, duke risjellë në mendje momentet më të bukura të rinisë së tyre.

E kaluara ringjallet në zemrat e tyre dhe ata përjetojnë sërish ndjenjat e dikurshme, duke na kujtuar se dashuria dhe kujtimet nuk shuhen kurrë. Shfaqja është një rrëfim për forcën, shpresën dhe mosdorëzimin, duke na mësuar të vlerësojmë çdo çast të jetës.

Valmira Hoti dhe Alban Goranci interpretojnë me mjeshtëri rolet e personazheve kryesorë, ndërsa Miftar Raci ka realizuar një muzikë emocionuese që shton thellësinë e dramës.

Arbnora Pajaziti është përgjegjëse për kostumografinë, duke kontribuar në sjelljen e atmosferës autentike të asaj periudhe.

Kjo shfaqje ka marrë mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Kosovës dhe pritet të ketë një rrugëtim të mëtejshëm artistik, duke pasuruar kulturën dhe jetën shoqërore me mesazhe të fuqishme dhe universale./