16-vjeçari kosovar tenton t’i ikë policisë në autostradën A1 në Zvicër

16-vjeçari kosovar tenton t’i ikë policisë në autostradën A1 në Zvicër

Një 16-vjeçar nga kantoni i Aargaut është arrestuar në Zvicër, pasi tentoi t’i shmangej policisë me një skuter të vjedhur në autostradën A1. Gjatë ndjekjes, i mituri kreu disa shkelje të rregullave të trafikut, ndërsa më vonë u konstatua se nuk kishte patentë shoferi, transmeton albinfo.ch.

Sipas Policisë Kantonale të Cyrihut, ngjarja ndodhi pak para orës 21:30, kur një patrullë vërejti të riun duke përdorur telefonin celular gjatë drejtimit të skuterit në autostradë.

Pavarësisht sinjaleve të policisë për të ndaluar, 16-vjeçari vazhdoi lëvizjen në drejtim të Bernës. Gjatë tentimit për t’u larguar, ai parakaloi një autobus turistik nga ana e djathtë, duke kaluar nëpër korsinë e emergjencës.

Ndjekja përfundoi pak para daljes në Dietikon, ku adoleshenti humbi kontrollin dhe u rrëzua me skuter. Ai tentoi të largohej edhe në këmbë, por u kap nga një polic pas disa qindra metrash. Sipas raportimit, i riu nuk pësoi lëndime.

Gjatë ndjekjes, ai kishte hedhur një qese, në të cilën policia gjeti rreth 50 gramë hashash. Hetimet e mëtejshme zbuluan se skuteri ishte i vjedhur dhe se 16-vjeçari nuk posedonte patentë shoferi.

Rasti i është dorëzuar prokurorisë kompetente për të mitur, e cila do të merret me procedurat penale lidhur me veprat e dyshuara./Albinfo.ch

The post 16-vjeçari kosovar tenton t’i ikë policisë në autostradën A1 në Zvicër appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.