Vrasja e dy të rinjve në Manzë, arrestohen 4 persona për moskallëzim krimi, në kërkim autori dhe një tjetër

Policia e Durrësit ka arrestuar 4 persona në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë në Manzë, ku dy të rinj u vranë me armë zjarri pas një sherri banal për një filxhan kafe. Të vdekur nga të shtënat mbetën 33 vjeçari Florian Paluçi dhe 23 vjeçari Aranit Kurti, ndërsa në […] The post Vrasja e dy të rinjve në Manzë, arrestohen 4 persona për moskallëzim krimi, në kërkim autori dhe një tjetër appeared first on Ditar.al.

Vrasja e dy të rinjve në Manzë, arrestohen 4 persona për moskallëzim krimi, në kërkim autori dhe një tjetër

Policia e Durrësit ka arrestuar 4 persona në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë në Manzë, ku dy të rinj u vranë me armë zjarri pas një sherri banal për një filxhan kafe.

Të vdekur nga të shtënat mbetën 33 vjeçari Florian Paluçi dhe 23 vjeçari Aranit Kurti, ndërsa në kërkim është shpallur Daniel Pepa.

Ndërkohë, në pranga kanë rënë  Ergi Kadiu 25-vjeç, Erald Cani 21-vjeç si dhe dy vëllezërit Taulant dhe Emirjan Beqja 37 dhe 34-vjeç, të akuzuar për moskallëzim krimi.

Në kërkim përveç Daniel Pepës është shpallur edhe 30 vjeçari G.A, që dyshohet se është larguar nga vendngjarja bashkë me autorin.

Njoftimi i Policisë:

Hetimet e thelluara zbardhin dinamikën e konfliktit për motive të dobëta, ndodhur në ambientin e jashtëm të një lokali në fshatin Manzë, si pasojë e të cilit u vranë me armë zjarri, 2 shtetas.

Arrestohen për moskallëzim të krimit, 4 shtetas të përfshirë në konflikt.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim shtetasi që dyshohet se është larguar nga vendngjarja, bashkë me shtetasin D. P. (autor i dyshuar i njërës prej vrasjeve).

Në vijim të hetimeve të thelluara dhe profesionale, të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në koordinim me Prokurorinë e Durrësit, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të të gjithë shtetasve të implikuar në konfliktin për motive të dobëta, të ndodhur rreth orës 01:25 të datës 22.10.2025, në ambientin e jashtëm të një lokali në fshatin Manzë, ku u vranë me armë zjarri, shtetasit F. P., 33 vjeç dhe A. K., 23 vjeç, u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit:

-E. C., 25 vjeç dhe E. K., 21 vjeç, si dhe shtetasit T. B., 37 vjeç dhe E. B., 34 vjeç, vëllezër, të katërt banues në Manzë.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim, shtetasit:
-D. P., 21 vjeç, banues në Manzë, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-G. A., 30 vjeç, banues në Manzë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Nga hetimet e kryera deri tani ka rezultuar se shtetasi D. P. ka hyrë në lokal dhe për motive të dobëta, është konfliktuar verbalisht, me kamerierin e lokalit dhe me shtetasin F. P. (i cili shoqërohej në lokal, nga disa shtetas, ndër ta, i arrestuari E. C.). Pas konfliktit verbal, shtetasi D. P. është larguar me automjet, nga ambienti i lokalit, ku është kthyer menjëherë më pas, i shoqëruar nga shtetasi i arrestuar E. K. dhe nga shtetasi A. K.. Gjatë tentativës së tre shtetasve, për të hyrë në lokal, ka dalë nga lokali, shtetasi F. P., i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në tokë. Në këtë moment shtetasi D. P. dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasit F. P., të cilin e ka plagosur, dhe ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasve D. P. dhe A. K. (që dyshohet se e ka goditur me grusht, në fytyrë, shtetasin F. P.). Si pasojë u vranë shtetasit F. P. dhe A. K..

Më tej nga hetimet, dyshohet se shtetasi G. A. është larguar nga vendngjarja, me shtetasin D. P..

Vijojnë kërkime intensive për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit F. P., shtetasin D. P., si dhe për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim G. A..

Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për të siguruar çdo provë që do t’i shërbejë hetimit për dokumentimin e përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

The post Vrasja e dy të rinjve në Manzë, arrestohen 4 persona për moskallëzim krimi, në kërkim autori dhe një tjetër appeared first on Ditar.al.