“Ylberi 2025” solli ngjyra, këngë dhe gëzim në skenën e Teatrit Popullor në Shkup

Sot, në skenën e Teatrit Popullor Maqedonas në Shkup, u zhvillua edicioni i 26-të i Festivalit të Këngëve për Fëmijë “Ylberi” një nga traditat më të bukura dhe më të dashura kulturore për fëmijët shqiptarë. Ky festival, që prej më shumë se dy dekadash mbledh talentet më të rinj nga të gjitha trojet shqiptare, solli […]

“Ylberi 2025” solli ngjyra, këngë dhe gëzim në skenën e Teatrit Popullor në Shkup
Fotografi nga Festivali për fëmijë “Ylberi”. Foto: Portalb.mk

Sot, në skenën e Teatrit Popullor Maqedonas në Shkup, u zhvillua edicioni i 26-të i Festivalit të Këngëve për Fëmijë “Ylberi” një nga traditat më të bukura dhe më të dashura kulturore për fëmijët shqiptarë. Ky festival, që prej më shumë se dy dekadash mbledh talentet më të rinj nga të gjitha trojet shqiptare, solli edhe këtë vit një atmosferë të mbushur me gëzim, ngjyra dhe muzikë, ku zërat e fëmijëve u bënë jehonë e pastërt e gëzimit dhe ëndrrave të moshës së tyre, shkruan Portalb.mk.

Në skenë u shfaqën interpretime të reja, këngë me motive edukative e argëtuese dhe një energji që dëshmon se “Ylberi” mbetet ura që lidh traditën me frymën e re artistike, duke i dhënë kulturës sonë fëmijërore vendin që meriton.

Adem Ymeri drejtor i festivalit për Portalb.mk theksoi se festivali solli një atmosferë të mrekullushme për fëmijët.

“Si çdo vit, edhe këtë vit festivali “Ylberi” ruan karakterin e tij tradicional, por me një përmbajtje tërësisht të re. Të gjitha këngët që u interpretuan ishin të kompozuara rishtazi posaçërisht për këtë edicion, duke e bërë festivalin një platformë të gjallë për krijimtarinë e re muzikore për fëmijë. “Ylberi” mbetet një festival mbarëkombëtar, që bashkon fëmijë nga të gjitha trevat shqiptare dhe edhe nga diaspora. Sivjet, në mesin e 23 pjesëmarrësve kishte një vajzë nga Suedia, si dhe këngëtarë të vegjël nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Nga Shqipëria morën pjesë fëmijë nga disa qytete Korça, Tirana dhe Elbasani, të cilët do të interpretojnë katër këngë të reja. Nga Kosova, në skenën e “Ylberit” u ngjitën fëmijë nga Rahoveci dhe Prishtina, ndërsa pjesa tjetër e garuesve ishin nga Maqedonia e Veriut, kryesisht nga Shkupi, Struga dhe qytete të tjera të vendit. Ky përfaqësim i gjerë gjeografik i jep festivalit një frymëmarrje të veçantë dhe një ngjyrim kulturor të pasur, duke e bërë “Ylberin” një festë të bashkimit përmes muzikës, talentit dhe fëmijërisë”, tha Ymeri.

Festivali “Ylberi” mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit të RMV-së dhe disa përkrahës të tjerë.

Festivali “Ylberi” synon të kultivojë dashurinë për muzikën, artin dhe gjuhën shqipe, duke krijuar një hapësirë ku kreativiteti, gëzimi dhe kultura shqiptare ndërthuren në mënyrën më të bukur. Edicioni i sivjetshëm pritet të jetë një festë e madhe për fëmijët, prindërit dhe gjithë adhuruesit e artit të pastër e të sinqertë.

Fotografi nga Festivali për fëmijë “Ylberi”. Foto: Portalb.mk Fotografi nga Festivali për fëmijë “Ylberi”. Foto: Portalb.mk Fotografi nga Festivali për fëmijë “Ylberi”. Foto: Portalb.mk