Zelensky thotë se sulmet ruse po vazhdojnë pavarësisht armëpushimit për Pashkë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi të dielën, më 20 prill, se forcat ruse kanë vazhduar granatimet dhe sulmet përgjatë vijës së frontit, pavarësisht njoftimit të presidentit rus, Vladimir Putin, për një armëpushim të shkurtër me rastin e festës së Pashkëve. Armëpushimi 30-orësh do të ishte pauza më e rëndësishme në luftimet gjatë këtij konflikti trevjeçar. [...]Read More...

Zelensky thotë se sulmet ruse po vazhdojnë pavarësisht armëpushimit për Pashkë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi të dielën, më 20 prill, se forcat ruse kanë vazhduar granatimet dhe sulmet përgjatë vijës së frontit, pavarësisht njoftimit të presidentit rus, Vladimir Putin, për një armëpushim të shkurtër me rastin e festës së Pashkëve.

Armëpushimi 30-orësh do të ishte pauza më e rëndësishme në luftimet gjatë këtij konflikti trevjeçar.

Por, vetëm disa orë pasi urdhri pritej të hynte në fuqi, në Kiev dhe disa rajone të tjera të Ukrainës u dëgjuan sirenat paralajmëruese për sulme ajrore, teksa Zelensky akuzoi Rusinë se nuk ka ndalur sulmet.

“Në drejtimet e ndryshme të vijës së frontit, janë regjistruar tashmë 59 raste të granatimeve ruse dhe pesë sulme nga njësi ruse”, tha presidentit ukrainas Zelensky përmes rrjeteve sociale, duke cituar një raport të komandantit të përgjithshëm ukrainas, Oleksandr Syrsky, që i referohet sulmeve deri në orën 06:00 të mëngjesit, sipas kohës lokale.

Ai shtoi se gjatë gjashtë orëve deri në mesnatën e së shtunës, kishte pasur “387 raste të granatimeve dhe 19 sulme nga forcat ruse”, ndërsa dronët ishin “përdorur nga rusët 290 herë”.

“Në përgjithësi, në mëngjesin e Pashkëve, mund të themi se ushtria ruse po përpiqet të krijojë përshtypjen e një armëpushimi, ndërsa në disa zona vazhdojnë përpjekjet e izoluara për të avancuar dhe për t’i shkaktuar humbje Ukrainës”, u tha në postimin e Zelenskyt.

Urdhri i Putinit për ndaljen e të gjitha veprimeve luftarake gjatë fundjavës së Pashkëve, vjen pas disa muajsh përpjekje nga presidenti amerikan, Donald Trump, për të bindur Moskën dhe Kievin që të bien dakord për një armëpushim, lidhur me luftën që nisi në shkurt të vitit 2022.

Të premten, madje Uashingtoni kërcënoi se do të tërhiqej nga bisedimet nëse nuk kishte përparim të prekshëm.

“Sot nga ora 18:00 [sipas kohës lokale] të shtunën, deri në mesnatën e së dielës, pala ruse njofton për një armëpushim për Pashkët”, tha Putin një ditë më herët gjatë një takimi me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov.

Sipas Putini, vendimin për armëpushim për festën e Pashkëve e ndërmori për “arsye humanitare”./REL