Zvicra deporton kosovarin pas gati 30 vjetësh qëndrim

Zvicra deporton kosovarin pas gati 30 vjetësh qëndrim

Një shtetas i Kosovës, i cili kishte jetuar në Zvicër që nga viti 1997, është deportuar pas një procesi të gjatë ligjor, megjithëse kishte probleme serioze shëndetësore, përfshirë një sëmundje të zemrës që kërkonte ndërhyrje kirurgjikale, transmeton albinfo.ch.

Gjykata Supreme Federale e Zvicrës e ka refuzuar ankesën e tij kundër paraburgimit administrativ, duke vlerësuar se autoritetet kishin vepruar në përputhje me ligjin.

52-vjeçari ishte larguar nga Zvicra më 19 gusht 2026, ndërsa vendimi i Gjykatës Federale, i datës 17 shtator, lidhet me ligjshmërinë e paraburgimit që ishte urdhëruar për të siguruar zbatimin e dëbimit.

 

Dënimi penal çoi në dëbimin nga Zvicra

Burri kishte mbërritur në Zvicër në vitin 1997, kur kishte kërkuar azil. Pas refuzimit të kërkesës, ai kishte siguruar leje qëndrimi në vitin 2000, pas martesës me një shtetase polake. Martesa përfundoi me divorc në vitin 2005, transmeton tutje albinfo.ch.

Në shtator të vitit 2019, një gjykatë zvicerane e dënoi me 20 muaj burgim për disa vepra penale, përfshirë vjedhje të përsëritura, përdorim mashtrues të sistemeve kompjuterike, lëndim të lehtë trupor dhe hyrje të paautorizuar në pronë. Krahas dënimit me burg,
ndaj tij u shqiptua edhe masa e dëbimit nga Zvicra për shtatë vjet. Ky vendim u konfirmua përfundimisht nga Gjykata Supreme Federale në mars të vitit 2021.

Pas këtij vendimi, autoritetet nisën procedurat për kthimin e tij në Kosovë. Megjithatë, ai kërkoi disa herë shtyrjen e dëbimit, duke argumentuar se gjendja e tij shëndetësore nuk e lejonte largimin nga Zvicra.

 

Problemet shëndetësore nuk u konsideruan pengesë për udhëtimin

Gjatë viteve, kosovari kishte pasur probleme me shpinën dhe depresionin, ndërsa më vonë ishte diagnostikuar edhe me emboli pulmonare dhe pamjaftueshmëri të valvulës së aortës, transmeton albinfo.ch.

Dokumentacioni mjekësor i Spitalit Universitar të Bernës kishte evidentuar nevojën për një ndërhyrje kirurgjikale që përfshinte zëvendësimin e rrënjës së aortës dhe valvulës aortale. Për këtë arsye,

52-vjeçari pretendonte se kthimi në Kosovë ishte i papërshtatshëm për shkak të gjendjes së tij dhe nevojës për trajtim të specializuar.

Gjykata, megjithatë, vlerësoi se raportet mjekësore nuk dëshmonin se udhëtimi drejt Kosovës ishte i pamundur. Sipas arsyetimit gjyqësor, nevoja për operacion nuk nënkupton automatikisht pamundësinë për të udhëtuar ose mungesën e mundësive për trajtim në vendin e origjinës.

Gjykata theksoi gjithashtu se në Kosovë ekzistojnë struktura shëndetësore për trajtimin e problemeve të tilla dhe se burri nuk kishte paraqitur prova konkrete që dëshmonin se kujdesi i nevojshëm mjekësor do të ishte i paarritshëm.

 

Paraburgimi u konsiderua i nevojshëm për realizimin e dëbimit

Më 22 qershor 2026, pas një marrjeje në pyetje nga Policia Kantonale, autoritetet e kantonit Valais urdhëruan mbajtjen e tij në paraburgim administrativ për një periudhë maksimale prej tre muajsh. Masa synonte të siguronte zbatimin e vendimit të dëbimit, pasi 52-vjeçari kishte deklaruar se nuk ishte i gatshëm të largohej vullnetarisht nga Zvicra, transmeton albinfo.ch.

Gjykata Kantonale e konfirmoi vendimin katër ditë më vonë. Kosovari iu drejtua Gjykatës Supreme Federale, duke kërkuar lirimin ose zëvendësimin e paraburgimit me masa më të lehta, por ndërkohë u deportua.

Në vendimin e saj, Gjykata Federale arriti në përfundimin se refuzimi i vazhdueshëm për t’u larguar vullnetarisht përbënte bazë për paraburgimin administrativ. Sipas saj, masa alternative, si detyrimi për të qëndruar në një adresë të caktuar, nuk do të garantonin në mënyrë të mjaftueshme realizimin e dëbimit.

Gjykata e refuzoi gjithashtu pretendimin se kthimi në Kosovë përbënte shkelje të nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili ndalon torturën dhe trajtimin çnjerëzor ose degradues. Sipas gjyqtarëve, nuk ishte dëshmuar ekzistenca e një rreziku konkret të këtij lloji pas kthimit të tij në Kosovë.

Ankesa u refuzua, ndërsa kërkesa për ndihmë juridike falas nuk u pranua. Megjithatë, gjykata vendosi të mos i ngarkonte kosovarit shpenzime gjyqësore.

Rasti është trajtuar në aktgjykimin 2C_437/2026 të Gjykatës Supreme Federale të Zvicrës, të datës 17 shtator 2026./Albinfo.ch

The post Zvicra deporton kosovarin pas gati 30 vjetësh qëndrim appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.