17 gjoba institucioneve për mohim të qasjes në dokumente publike dhe keqpërdorim të të dhënave personale
Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku, bërë të ditur në një intervistë tha se vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025 janë shqiptuar gjithsej 17 gjoba ndaj institucioneve publike për shkelje të të drejtës për qasje në dokumente publike dhe për keqpërdorim të të dhënave personale. “Kjo përfshin Këshillin Prokurorial të

Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku, bërë të ditur në një intervistë tha se vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025 janë shqiptuar gjithsej 17 gjoba ndaj institucioneve publike për shkelje të të drejtës për qasje në dokumente publike dhe për keqpërdorim të të dhënave personale.
“Kjo përfshin Këshillin Prokurorial të Kosovës, Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, kemi dy ministri: Ministrinë e Tregtisë dhe Ministrinë e Planifikimit Hapësinor. Kemi edhe komunën e Shtërpcës dhe gjoba të tjera ndaj institucioneve të tjera publike”, tha ajo.
Sipas saj, agjencia ka pranuar gjithsej 462 ankesa për qasje në dokumente publike deri në fund të muajit qershor, prej të cilave rreth 300 janë mbyllur, ndërsa pjesa tjetër është në shqyrtim.
“Agjencia për Informim vazhdon që të pranoj ankesa dhe numri i tyre vazhdon të rritet, i qytetarëve në raport me qasjen në dokumente publike, por edhe në mbrojtjen e të dhënave, që është një hap i mirë, sepse kjo tregon ndërgjegjësimin qytetar në mbrojtjen e të drejtave të tyre. Deri në fund të qershorit ne kemi pranuar për qasje në dokumente publike rreth 462 ankesa, rreth 300 prej tyre janë të mbyllura, të tjerat janë në shqyrtim”, tha ajo.
Nga këto ankesa, sipas statistikave të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, 82 për qind e qytetarëve e realizojnë të drejtën për informim përmes ankesës, ndërsa në 15 për qind të rasteve ankesa refuzohet nga agjencia dhe në tre për qind shqiptohen gjoba.
Sogojeva-Dërmaku theksoi se gjithnjë e më shumë ankesa po vijnë nga qytetarët e zakonshëm, ndryshe nga e kaluara, kur kërkesat, kryesisht vinin nga media dhe shoqëria civile.
“Është me rëndësi që të ceket se numri i qytetarëve që po e kërkojnë të drejtën në qasje është shumë më i madh sesa numri i atyre që punojnë në media dhe shoqëri civile. Derisa përpara kemi pasur vetëm kërkesa dhe ankesa nga shoqëria civile dhe nga mediat, sot kemi shumë më shumë ankesa nga qytetarët”, tha ajo.
Edhe në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka shqiptuar pesë gjoba në gjashtëmujorin e parë të vitit. Shumat e gjobave arrijnë deri në 25 mijë euro, varësisht nga natyra e shkeljes.
“Kemi rreth 200 ankesa në mbrojtjen e të dhënave për gjashtëmujorin e parë. Kemi një numër të konsiderueshëm të tyre që janë të mbyllura, të tjerat janë në proces. Por, edhe këtu kemi shqiptuar pesë gjoba dhe shumat janë deri 25 mijë euro, varësisht nga shkeljet që janë bërë. Shkeljet janë të natyrës së prokurimit të paligjshëm, të dhënat personale, marketingu i drejtpërdrejtë, marrja e të dhënave dhe keqpërdorimi i të dhënave nga kamerat”, tha ajo.
Komisionerja foli edhe për angazhimin ndërkombëtar të agjencisë, duke theksuar se Kosova është votuar si anëtare me të drejta të plota në Komitetin Ekzekutiv të Iniciativës Evropiane për Qasje në Dokumente Publike.
“Ne tashmë jemi brenda gjithë mekanizmave ndërkombëtarë dhe evropianë për transparencë dhe llogaridhënie në aspektin e realizimit të së drejtës për qasje në dokumente publike. Andaj edhe ky është hapi para që kemi bërë edhe si agjenci, por edhe si Kosovë, sepse aty jemi votuar si Kosovë e jo si agjenci”, tha për EO, Sogojeva-Dërmaku.