Albin Kurti që 5 muaj “shkel” urdhrat e Prokurorisë, mund edhe të arrestohet

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nga 16 dhjetori 2024 nuk është paraqitur vazhdimisht në Prokurorinë Speciale, ku ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit lidhur me hetimet për aferën e rezervave shtetërore. Janë bërë më shumë se 5 muaj prej se kryeministri në detyrë refuzon urdhrat e Prokurorisë. Pavarësisht se ftesat ishin

Albin Kurti që 5 muaj “shkel” urdhrat e Prokurorisë, mund edhe të arrestohet

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nga 16 dhjetori 2024 nuk është paraqitur vazhdimisht në Prokurorinë Speciale, ku ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit lidhur me hetimet për aferën e rezervave shtetërore. Janë bërë më shumë se 5 muaj prej se kryeministri në detyrë refuzon urdhrat e Prokurorisë.

Pavarësisht se ftesat ishin bërë në mënyrë të rregullt dhe me njoftim për pasojat ligjore të mosparaqitjes, Kurti nuk ka ofruar ndonjë arsye të justifikueshme për mungesën e tij.

Si pasojë, Gjykata në Prishtinë ka vendosur ndaj tij dy gjoba me vlerë prej nga 250 euro për çdo mosparaqitje.

Rasti ka shkaktuar reagime të shumta, veçanërisht nga ekspertë të drejtësisë penale, të cilët theksojnë se, në bazë të legjislacionit në fuqi, mosrespektimi i ftesave të tilla nga dëshmitarët mund të çojë edhe në masa më të rënda, përfshirë arrestimin.

 

Ish-kreu i Apelit, Hasan Shala: Gjykata duhet të japë urdhër për shoqërimin e Kurtit në Prokurori

Pas refuzimit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale dhe gjobitjes së tij dy herë me nga 250 euro nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ish-kreu i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, për FrontOnline ka  folur për hapat tutje që do të duhej të merreshin.

Shala deklaroi se pas këtyre gjobave, është koha që Gjykata të veprojë.

“Tash duhet me dhënë mendimin Gjykata që Kurti të shoqërohet pranë Prokurorisë Speciale dhe rrugë tjetër nuk ka më.” tha ai.

Duke iu referuar dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, ai tha se edhe pse ligji lejon dënime të përsëritura për mosparaqitje, kjo nuk mund të vazhdojë pa kufi.

“Edhe pse në kod thuhet se ai mund të dënohet disa herë, por kjo nuk mund të shkoj pa fund.” shtoi Shala për FrontOnline.

Ai përmbylli deklaratën me një qëndrim të prerë mbi përgjegjësinë e Gjykatës në këtë fazë të procedures.

“Tani besoj se gjykata që duhet jep urdhrin për shoqërim të Kurtit në Prokurori.” përfundoi Shala

 

Profesori i së Drejtës Penale: Kurti duhet trajtuar si çdo dëshmitar tjetër, ligji parasheh edhe arrest për refuzim të dëshmisë

Profesori i së Drejtës Penale, Kolë Krasniqi, për FrontOnline ka komentuar mosparaqitjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Prokurorinë Speciale, ku ishte ftuar si dëshmitar lidhur me aferën e rezervave shtetërore.

Sipas profesorit Krasniqi, legjislacioni në fuqi parasheh qartë masat që mund të ndërmerren ndaj dëshmitarëve që nuk i binden ftesës së prokurorisë, nëse ajo është bërë në mënyrë të rregullt.

“Në rastet kur dëshmitari i cili është thirrur me rregull nuk paraqitet në prokurori, e mosparaqitjen nuk e arsyeton, gjyqtari i procedurës paraprake sipas detyrës zyrtare apo kërkesës së prokurorit të shtetit mund ta detyrojë dëshmitarin që të paraqitet,” ka deklaruar Krasniqi.

Ai shton se, “nëse dëshmitari nuk paraqitet, gjyqtari i procedurës paraprake e dënon atë me gjobë deri 250 euro për çdo herë që nuk paraqitet.”

Krasniqi vë në pah edhe masën më të ashpër që parashihet me ligj për rastet kur dëshmitari, ndonëse i njoftuar me pasojat ligjore, refuzon të japë dëshminë e tij.

“Në rastet kur dëshmitari i ftuar në mënyrë të rregullt dhe i njoftuar me pasojat ligjore të refuzimit të dëshmisë së tij – dhe sërish refuzon të dëshmojë, atëherë ai mund të burgoset. Në këtë rast burgimi zgjat derisa dëshmitari pranon të dëshmojë apo derisa dëshmia e tij bëhet e panevojshme, por jo më shumë se një muaj,” theksoi ai për FrontOnline.

Duke u mbështetur në parimin e barazisë para ligjit, i garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe aktet tjera juridike, Krasniqi konsideron se Prokuroria është e obliguar të trajtojë Albin Kurtin njësoj si çdo qytetar tjetër.

“Duke u nisur nga parimi i barazisë, të proklamuar me Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe Kushtetutën e Kosovës, që sigurojnë barazi të qytetarëve para ligjit, atëherë sipas këtij parimi Prokurori i çështjes është i obliguar që ta trajtojë dëshmitarin Kurti në mënyrë të njëjtë dhe të barabartë sikur të gjithë dëshmitarët tjerë, pra ta caktoj masën e arrestit derisa dëshmitari të japë dëshminë e tij apo dëshmia e këtij dëshmitari të trajtohet si jo relevante në këtë çështje penale,” ka përfunduar Krasniqi.

 

Avokati Smakiqi: Kurti ka triumfuar karshi refuzimit për t’u paraqitur në Prokurori – drejtësia ka dështuar

Avokati Xhevdet Smakiqi ka folur pas ftesës së Prokurorisë Speciale drejtuar kryeministrit Albin Kurti për të dëshmuar në lidhje me rastin e rezervave shtetërore. Ai ka kritikuar veprimet e Prokurorisë dhe të gjyqtarit të procedurës paraprake, duke theksuar se ata kanë dështuar të zbatojnë nenin 132 të Kodit të Procedurës Penale.

“Sa i përket rastit refuzues të deputetit që tashmë është më i votuari në Kosovë, konsideroj se edhe Prokuroria Speciale por edhe gjyqtari i procedurës paraprake kanë dështuar ta zbatojnë nenin 132 të Kodit të Procedurës Penale.”

Smakiqi ka vlerësuar se Kurti ka triumfuar ndaj refuzimit për t’u paraqitur me detyrim në Prokurorinë Speciale, duke e konsideruar këtë si një sfidë ndaj sistemit të drejtësisë.

“Mendoj se Kurti ka triumfuar karshi refuzimit që të paraqitet me detyrim në Prokurorinë Speciale për të dëshmuar mbi çështjen penale që ka të bëjë me mbrojtjen e interesit publik e ku Kurti ka edhe nënshkrim në atë procedurë, e ka dijeni për të treguar të vërtetën dhe ka mundësi që të kualifikohet edhe si i dyshuar për këtë vepër penale.”

Ai ka shtuar se anarkia e Kurtit ka shembur gjithë sistemin politik dhe ligjor.

“Sistemi i drejtësisë është sfiduar nga Kurti. Anarkia e Kurtit e ka shembur gjithë sistemin politik dhe ligjor.” tha ai.