ANALIZË: 18% TVSH për të gjitha dërgesat nga Temu dhe AliExpress, betejë me ekonominë gri apo burim i ri për të mbushur arkën e buxhetit?
A do të thotë futja e TVSH-së prej 18% për të gjitha dërgesat e paguara elektronikisht edhe një “luftë” me ekonominë gri? Për më tepër, lind pyetja se si shteti do t’i mbrojë prodhuesit vendas nga konkurrenca e padrejtë nga jashtë nëse nuk ka fare prodhim vendas të produkteve konkrete. Ndryshimet e propozuara në Ligjin […]


A do të thotë futja e TVSH-së prej 18% për të gjitha dërgesat e paguara elektronikisht edhe një “luftë” me ekonominë gri? Për më tepër, lind pyetja se si shteti do t’i mbrojë prodhuesit vendas nga konkurrenca e padrejtë nga jashtë nëse nuk ka fare prodhim vendas të produkteve konkrete. Ndryshimet e propozuara në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, me të cilat do të shfuqizohej përjashtimi nga TVSH-ja për dërgesat e porositura në internet me vlerë deri në 22 euro, kanë shkaktuar reagime të fuqishme dhe të shumta, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Qëndrimi i ekonomistëve – masa sistemore për të mbrojtur kompanitë vendase…
A ka gjetur shteti një burim të ri për të mbushur arkën e buxhetit apo motivi është mbrojtja e ekonomisë vendase? Propozimi për të futur TVSH prej 18% për të gjitha porositë online, pavarësisht vlerës së tyre, nga platformat e njohura të blerjeve si Temu, Shein dhe AliExpress ka shkaktuar reagime të shumta në publikun vendas. Një nga atutë kryesore të Ministrisë së Financave për futjen e TVSH-së për dërgesat e vogla, deri në 22 euro, është beteja me ekonominë gri.
“Ndryshimet do të ndihmojnë në uljen e ekonomisë gri, veçanërisht duke pasur parasysh se sistemi i mëparshëm lejonte keqpërdorime, gjegjësisht importimin e mallrave të përjashtuara nga tatimi që më pas shiten në tregun vendas”, thuhet në arsyetimin e ministrisë.
Në platformat e huaja tregtare, “klientë” të rregullt janë qytetarët e zakonshëm që porosisin diçka “të vogël” çdo ditë me çmim të ulët që mund të arrijë madje edhe në 1 deri në 2 euro. Sipas vlerësimeve të Ministrisë së Financave, qarkullimi në platformat e huaja online në periudha të caktuara, në bazë mujore, arriti deri në 65.000 euro (4 milionë denarë).
“Ekonomia gri në tregti i referohet shitjeve pa llogari fiskale, qarkullimit të padeklaruar dhe tatimeve të papaguara, gjegjësisht aktiviteteve pa gjurmë të ligjshme financiare. Në këtë kontekst, blerjet përmes platformave të huaja si p.sh. Temu nuk janë pjesë e ekonomisë gri, sepse paguhen elektronikisht dhe nuk përfshijnë të ardhura të fshehura” , thotë për “Portalb”-in ekonomistja Bllagica Petreski.
Megjithatë, sipas saj, dërgesat e tilla përbëjnë import mallrash dhe, sipas ligjit, duhet t’i nënshtrohen detyrimeve tatimore dhe doganore. Prandaj, ajo konsideron se heqja e përjashtimit nga TVSH-ja për dërgesat deri në 22 euro është një hap drejt harmonizimit me praktikën evropiane dhe sigurimit të një drejtësie më të madhe tatimore midis shitësve vendas dhe atyre të huaj.
Eksperti i tatimeve, Pavle Gacov, thotë se një nga problemet tona më të mëdha është ekonomia gri, por ai dyshon se futja e TVSH-së për porositë elektronike do të ketë një efekt të rëndësishëm në amortizimin e gjendjes në “zonën gri”.
“Ky paralajmërim praktikisht do të thotë se me futjen e TVSH-së prej 18%, shërbimi, gjegjësisht vetë porosia, do të jetë më e shtrenjtë, gjë që do të thotë një shpenzim i ri për qytetarët. Sipas mendimit tim, kjo nuk do të ketë ndonjë efekt të rëndësishëm në uljen e ekonomisë gri”, thotë Gacov.
Përveç luftimit të ekonomisë gri, sipas shtetit, me tatimin e dërgesave online do të mbrohet edhe prodhimin vendas. Por, ekonomistët konsiderojnë se një pjesë e ekonomisë gri është edhe “tregu vendas online”.
“Sfida e vërtetë nuk qëndron te qytetarët që blejnë nga Temu-ja, por më tepër te shitësit vendas online që shesin mallra identike të importuara pa lëshuar llogari fiskale dhe pa veprimtari të regjistruar. Pikërisht ata krijojnë më shumë hapësirë për ekonominë gri dhe konkurrencën jolojale, edhe pse formalisht janë në tregun vendas. Mbrojtja e kompanive vendase duhet të shkojë drejt trajtimit të barabartë të të gjithë tregtarëve, përmes fiskalizimit dhe kontrollit të tregtisë vendase online, procedurave të thjeshtuara dhe kostove më të ulëta për punën e ligjshme, duke inkurajuar digjitalizimin dhe shitjet online midis kompanive të regjistruara dhe duke rritur besimin e konsumatorëve tek shitësit formalë”, thotë Petreski, duke shtuar se kjo është e vetmja mënyrë për të arritur konkurrencë të drejtë.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Shoqata për Tregtinë Elektronike (AETM) në gjysmën e parë të këtij viti, vlera e transaksioneve online jashtë vendit arriti në 201 milionë euro, që është për 55,1% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas ndryshimeve ligjore të propozuara, dërgesat e vogla deri në 22 euro, të dërguara nga një person fizik te një person fizik, nuk do të tatohen, por mbi këtë shumë, tatimi do të aplikohet për shumën që është mbi 22 euro.