Arjeta Kokalari: Musine Kokalari njihet shumë pak, ende nuk e ka marrë vëmendjen që meriton në edukimin shkollor
Përmes nismave si Memoriali “Muza ime Musine Kokalari”, figura e Musine Kokalarit po rikthehet në kujtesën publike jo vetëm si shkrimtare e kombit, por si muzë e lirisë, guximit dhe dinjitetit të gruas shqiptare. Arjeta Kokalari është drejtuese e memorialit , një hapësirë e dedikuar për kujtimin, trashëgiminë dhe frymëzimin që lë pas figura e […]

Përmes nismave si Memoriali “Muza ime Musine Kokalari”, figura e Musine Kokalarit po rikthehet në kujtesën publike jo vetëm si shkrimtare e kombit, por si muzë e lirisë, guximit dhe dinjitetit të gruas shqiptare. Arjeta Kokalari është drejtuese e memorialit , një hapësirë e dedikuar për kujtimin, trashëgiminë dhe frymëzimin që lë pas figura e Kokalarit. Në një bisedë për Portalb.mk, Arjeta Kokalari foli me emocion dhe përkushtim për rëndësinë e këtij vendi të kujtesës, që tashmë është shndërruar në një qendër simbolike të dialogut mes historisë, kulturës dhe identitetit shqiptar.
Portalb.mk: Cilat janë dokumentet më të rëndësishme që ruhen në muze dhe çfarë tregojnë ato për jetën e Musine Kokolarit? Na flisni në pika të shkurta për jetën dhe veprimtarinë e saj?
Arjeta Kokalari: Musine Kokalari ishte fëmija e katërt në familjen e juristit Reshat Kokalari dhe Hanushes, dhe e vetmja vajzë, që erdhi në jetë pas tre vëllezërve me të cilët kishte ndryshim moshe prej njëzet e tre, njëzet e një dhe tetë vjetësh. Ajo erdhi në jetë, kur familja jetonte në Adana, Turqi, ku i ati Reshati punonte si gjykatës. Kur ishte dy vjeç, familja u kthye në qytetin e origjinës, në Gjirokastër, ku të gjithë u përfshinë në jetën intelektuale kulturore të Gjirokastrës, qytet i cili shquhej për arsimim dhe energji e veprimtari intelekuale. Kjo energji përcillej edhe te të rinjtë gjatë shkollimit të tyre.
Musineja e nisi edukimin arsimor në shkollën “Koto Hoxhi” në vitet 1924-1930, në Gjirokastër, e vazhdoi në Institutin “Kyrias” në Tiranë në vitet 1930-1933, dhe përfundoi shkollimin në Institutin Femëror “Nana Mbretnesh” në vitet 1934-1937. Ajo do të qe nga të parat vajza të edukuara në shkollat shqiptare, që do të ndiqte studimet universitare, duke u diplomuar në universitetin prestigjioz “La Sapienza”, në Romë, pranë të cilit më 28 Nëntor 1941 do të mbronte titullin “Doktor në Letërsi” e vlerësuar shkëlqyeshëm. Pas përfundimit të studimeve universitare, Musinea u kthye në Tiranë, ku qe shpërngulur në mesin e viteve ’30 e gjithë familja. Ajo ishte tashmë e njohur si shkrimtare dhe intelektuale e emancipuar në një rreth të gjerë intelektualësh, me librin e pare që doli nga shtypi në vitin 1939. Ajo do të konsolidohej si shkrimtare edhe me dy libra të tjerë që dolën nga shtypi në vitin 1944.

Musine Kokalari nuk mund të rrinte indiferente ndaj zhvillimeve të kohës. Ajo nuk e pranoi asnjëherë pushtimin fashist të vendit nga Italia, por njëkohësisht nuk pranonte asnjë lloj dhune, as atë komuniste. Pikëpamjet e saj ishin demokratike, dhe duke mos e gjetur në asnjërën nga rrymat ideologjike mbizotëruese të kohës materializimin e ideve të saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike, bashkëthemeloi në vitin 1943 Partinë Social Demokrate dhe pati disa tentativa për t’u përfshirë si përfaqësuese e këtij grupimi politik në lëvizjen antifashiste, që nuk u pranua nga komunistët. ardhja në pushtet e komunistëve LDB (Lufta e Dytë Botërore) do t’i jepte një goditje të rëndë. Në nëntor 1944 u pushkatuan pa gjyq dy vëllezërit më të mëdhenj, ndërsa më 23 janar 1946 ajo do të arrestohej, dhe do të dënohej 20 vjet burg. Ishte vetëm 27 vjeç, kur jeta e saj në liri u ndërpre dhunshëm, për ta kaluar gjithë pjesën tjetër të jetës në burg, internim dhe izolim, deri kur ndërroi jetë më 13 gusht 1983.
Musine Kokalari është një nga personalitetet më të jashtëzakonshëm intelektualë të hapësirës ndërshqiptare, me veprimtari të gjithanshme, dhe të qenit grua e bën atë pioniere në çdo fushë ku ajo veproi. Ajo është nga të parat vajza të dala nga shkolla shqiptare, që arriti nivelin më të lartë të edukimit arsimor me titullin “Doktor në letërsi”. Ajo në konsiderohet si autorja e parë grua që botoi një libër në letërsinë shqipe, “Siç më thotë nënua plakë”, në vitin 1939, kur ishte 21 vjeç. Ajo me largpamësi bashkëthemeloi në vitin 1943 partinë Social Demokrate, në kohën kur Europa ishte e ndarë në dy kampe të mëdha dhe konsiderohet politikania e parë grua në opozitë me komunizmin në gjithë Europën Lindore. Por ajo për çka Musine Kokalari njihet më së shumti është guximi për të mbrojtur idetë demokratike përballë represionit të diktaturës komuniste që u instalua në Shqipëri pas LDB, qëndresa pa kompromis për të mos ndryshuar bindjet e saj demokratike pa u përulur ndaj shtypjes që regjimi ushtroi mbi të duke e burgosur, internuar, izoluar dhe detyruar të punonte për të mbijetuar në punë shumë të rëndë në bujqësi dhe ndërtim.
Për veprimtarinë dhe arritjet e saj Musine Kokalari mbetet një shembull për t’u ndjekur, prej së cilës ka shumë për të mësuar kushdo, që synon një shoqëri demokratike ku respektohen liritë e individit. Prej saj kanë shumë për të mësuar vajzat dhe gratë, sepse në një shoqëri patriarkale dhe maskiliste, ajo nuk e ndjeu veten inferiore, apo të përjashtuar nga të qenit grua, përkundrazi, guxoi të ndërmarrë veprimtari në të cilat më së shumti ishin përfshirë vetëm burrat. Prej saj kanë shumë për të mësuar të rinjtë, sepse ajo guxoi dhe kreu veprimtarinë e saj në moshë shumë të re.
Në fondin e Memorialit “Muza ime Musine Kokalari” ndodhen dokumente që pasqyrojnë gjithë rrugëtimin e Musine Kokalarit, që nga lindja, deri në çastet e fundit të jetës. Në fondin e Muzeut gjendet një pjesë e madhe e dorëshkrimeve të saj origjinale, por edhe dokumente e material të tjera në format elektronik, në fondin e bibliotekës digjitale. Gjithashtu në bibliotekën e muzeut gjendet bibliografia e plotë, çdo libër i botuar, apo ribotuar nga Musine Kokalari, për Musine Kokalarin, apo ku përmendet, sikur sadopak Musine Kokalari.

Portalb.mk: A ka ndonjë dorëshkrim origjinal apo letër personale të saj që zbulon më shumë për mendimet dhe ndjenjat e brendshme të Musinesë?
Arjeta Kokalari: Musinea, veçanërisht gjatë viteve në Rrëshen, jetonte në izolim të plotë, pa komunikuar me askënd. Mungesën e komunikimit verbal, ajo e kompensonte duke komunikuar me ditarët e vet, ku shkruante për ngjarje që ndodhnin përreth, por edhe mendimet e saj, përjetime të përditshme. Shkruante gjithçka që s’mund ta thoshte me zë. Është e vështirë të gjesh dorëshkrime, apo letra të saj, ku nuk zbulohet edhe përfshirja subjektive. Për shembull, ajo lexon një libër dhe ndërsa nis të shkruajë një koment për librin, bën paralelizëm me përjetime personale, ngjarjet aktuale , ose historike, kujtime etj. Sipas tematikës, dorëshkrimet e saj do t’i ndaja klasifikoja në disa grupe: ditarë, kujtime, studime historike, studime letrare dhe estetike, studime etnotekstuale, krijimtari.
Portalb.mk: Si është ndërtuar arkivi i muzeut a janë mbledhur dokumentet nga familjarët, arkivat shtetërore apo koleksione private?
Arjeta Kokalari: Në dhjetor të vitit 1980 Musine Kokalari u diagnostikua me kancer në gji. Ajo kuptoi se mjekët nuk interesoheshin për kurimin e saj. E vetëdijshme për fundin e afërt kishte një dëshirë të fundit, që dorëshkrimet dhe puna e saj kërkimore të mos shpërdoroheshin. Nëpërmjet letrave i kërkon herë pas here dhe me këmbëngulje kushëririt Platon Kokalari të marrë ato plaçka, të cilat i konsideronte “me vlerë morale”. Dy javë para se të largohej nga kjo jetë, Musinea i dorëzoi Platonit të gjitha dorëshkrimet, një koleksion artikujsh nga gazetat dhe revistat e kohës, pjesën më të madhe të teshave personale dhe të odës së saj, albumet me foto ekskluzive të saj dhe qytetit të Gjirokastrës, një koleksion objektesh me vlera etnografike dhe historike dhe librat e bibliotekës personale. Falë dashamirësisë së Znj. Bibika Kokalari, bashkëshortja e Platonit, e cila i ruajti me fanatizëm për më shumë se 42 vjet, pjesa më e madhe e trashëgimisë materiale të Musine Kokalarit iu dhurua muzeut dhe përbën fondin më të rëndësishëm të Memorialit “Muza ime Musine Kokalari”.
Përveç objekteve origjinale të Musine Kokalarit, në fondin e Muzeut gjenden edhe dokumente të tjerë, nxjerrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Autoriteti i Dosjeve, Arkivi i Universitet “La Sapienza”, artikuj të publikuar në shtyp ndër vite dhe burime të tjera, të cilat plotësojnë arkivën digjitale dhe janë në dispozicion të studiuesve.

Portalb.mk: A ka ndonjë dokument që dëshmon në mënyrë të drejtpërdrejtë për procesin gjyqësor apo periudhën e burgut të Musine Kokolarit?
Arjeta Kokalari: Materialet për gjyqin e grupimit Bashkimi Demokratik, pjesë e së cilit ishte edhe Musine Kokalari, si përfaqësuese e linjës Social Demokrate, janë publikuar të plota nën kujdesin e studiuesit Leka Ndoja. Një tjetër libër për opozitën shqiptare pas LDB është përgatitur nga studiuesi Kastriot Dervishi. Të dy këta libra gjenden në bibliotekën e memorialit dhe janë në dispozicion të vizitorëve. Në sallën e “Eksplorimit”, ku shfaqet një ekspozitë e përhershme me foto dhe dokumente të ndryshme, janë ekspozuar për vizitorët përveç fotos shumë të njohur të Musine Kokalarit në gjyq, një pamje e grupit të të akuzuarve gjatë gjyqit, si dhe telegrami që përfaqësuesi i SHBA në Shqipërinë e pasluftës, Major Jacobs, dërgon në Departamentin e Shtetit më 26 qershor 1946, ku raporton për gjyqin dhe ku në mënyrë të veçantë përmendet Musine Kokalari, si dhe formularë të ndryshëm nga dosja e saj.
Portalb.mk: Cilat janë fotografitë më të rralla që ekspozohen në muze dhe çfarë historie bartin ato?
Arjeta Kokalari: Sot në epokën e komunikimit digjital, një foto që ekspozohet shpërndahet me shpejtësi marramendëse. Gjëja e trishtueshme është që nuk respektohet aspak etika dhe më së shumti nuk përmendet burimi, madje as nga botime prestigjioze. Paskëtaj, ato nuk konsiderohen më foto “të rralla”. Në këtë kuptim, do të konsideroja “foto të rralla”, ato që ende nuk janë ekspozuar, apo publikuar. Sa për historinë, çdo foto ka historinë e saj. Shpesh historitë e fotove na i shpjegon vetë Musinea në ditarët dhe kujtimet e saj.
Portalb.mk: A ka ndonjë fotografi që sipas jush përmbledh më së miri karakterin dhe forcën shpirtërore të Musinesë?
Arjeta Kokalari: Nuk është e vështirë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje. Besoj se çdokush që njeh sadopak Musine Kokalarin, e identifikon me foton e saj para mikrofonit, kur ndodhej në sallën e gjyqit. Ajo nuk është një foto që flet, por një foto që bërtet. Nuk është një foto, por është një film. Ne shohim një vajzë të re, ende pa mbushur njëzet e tetë vjeç, që mban trupin drejt, si drejtësia e karakterit të saj, e mban kokën lart, e bindur që s’ka bërë asnjë faj. I sheh persekutorët e saj drejt e në sy, sepse është e gatshme t’i mbrojë bindjet e saj, e vetëdijshme për çdo hap që ka ndërmarrë. Trimëreshë, ndonëse me zemrën e vrarë nga vrasja pafaj e vëllezërve. Me velin e zi jo për të shfaqur dhimbjen, të cilën e mbante për vete, por për të protestuar, për t’i vënë edhe një herë kriminelët përballë veprave të tyre të përgjakshme. Por ndoshta e hodhi velin edhe për të mbuluar mungesën e flokëve që i kishin shkulur barbarisht njerëz nga turma e indoktrinuar jashtë sallës, siç e mësojmë nga raportimi i Major Jacobs në Departamentin e Shtetit.
Ajo, e vetme, në këmbë, ndërsa pas saj, shumë fytyra të hutuara, të mjegulluara, të ngjashme me njëra tjetrën, të ngjeshura njëra pas tjetrës, TURMA. Ky kontrast i dukshëm në foto, ishte kontrasti që do ta dallonte Musine Kokalarin në gjithë pjesën e mbetur të jetës, ku ajo do të ishte kurdoherë aq ndryshe nga turma, edhe në rrethanat më të vështira, sepse kultura, largpamësia dhe vetëdija e saj e tejkalonin kohën.

Portalb.mk: Cilat janë momentet kyçe të veprimtarisë së Musine Kokolarit që muzeu përpiqet t’i theksojë për vizitorët? Si i kaloi vitet e gjata të burgut a ka ndonjë shenjë në letrat apo kujtimet e saj që tregon forcën e brendshme?
Arjeta Kokalari: Jeta në liri e Musine Kokalarit ishte shumë e shkurtër, por ndonëse në aq pak kohë ajo arriti të shënojë emrin në kulturën dhe historinë shqiptare. Turi në muze nis pikërisht me momentet më të spikatura të jetës së saj dhe rrethanat historike që i shoqërojnë, duke filluar nga lindja, edukimi, krijimtaria, veprimtaria politike, dënimi, internimi, largimi në amshim. Për secilin moment, ofrohen hollësi të panjohura, duke ngjallur te vizitorët jo vetëm interes, por edhe përfshirjen e tyre në ngjarjet dhe botën e Musine Kokalarit. Një interes të veçantë ngjall qasja feministe e Musine Kokalarit, të cilën e gjejmë të shfaqet në disa mënyra. Koncepti feminist i Musinesë është shumë më i përparuar dhe logjik se mënyra si shfaqet sot feminizmi. Në fakt ajo nuk e ndan asnjëherë shoqërinë njerëzore sipas gjinisë, sepse në mënyrë të natyrshme mendon se çdo qenie njerëzore duhet të gëzojë të njëjtat të drejta dhe mundësi. Ajo konsideron arsimimin dhe kulturimin, si rrugën e duhur që gruaja të ketë vendin që i takon në familje dhe shoqëri dhe ta fitojë çdo gjë me meritë, jo si një “dhuratë” nga burrat.
Dikujt që dëshiron të ndalet për të njohur më thellë dhe hollësishëm periudhat e jetës së saj, mund t’i vihen në dispozicion materiale ku tregohet vendosmëria për ta përballuar çdo situatë me dinjitet, pa shkelur parimet me të cilat ajo është edukuar dhe mbi të cilat ka ndërtuar personalitetin e saj.
Portalb.mk: A organizohen ekspozita apo aktivitete edukative që lidhin figurën e Musines me gratë e sotme në politikë, kulturë apo media?
Arjeta Kokalari: Për disa vjet kemi pasur bashkëpunim me një organizatë feministe, e cila organizonte ture për anëtaret e saj nga vendet espanike dhe një nga ndalesat ishte Memoriali “Muza ime Musine Kokalari”. Do të dëshiroja që këto ture në të ardhmen të organizohen për grate e Shqiptarisë, të cilat kanë një model dinjitoz si Musine Kokalari, që jo vetëm ka shkruar, ka ngritur zërin për to, por është shembulli se si gruaja mund të arrijë gjithçka, duke fituar admirimin jo vetëm të gjinisë së saj, por të gjithë shoqërisë.
Sigurisht, që qëllimi parësor i krijimit të hapësirave të memorialit është edukimi, sepse siç u shpreha dhe më sipër, nga Musine Kokalari kemi shumë ç’të mësojmë, ndaj synimi ynë është organizimi i veprimtarive gjithëpërfshirëse, veçanërisht për fëmijë dhe të rinj. Janë organizuar disa veprimtari me tematikë letrare, ose etnografike, frymëzuar nga librat e Musine Kokalarit, ku protagonistë kanë qenë vetë fëmijët. Për të zgjeruar gamën e aktiviteteve dhe frekuentimit, u kemi propozuar institucioneve arsimore vendore që të kryhen orë mësimi për temat që lidhen me përmbajtje letrare, historike, sociale në ambientet e memorialit.
Memoriali përveç mundësisë së organizimit të veprimtarive kulturore e artistike, ofron ambiente ku mund të shfaqen ekspozita tematike, por deri më sot ka munguar një organizim i tillë.
Portalb.mk: A ka diçka që ende nuk dihet mjaftueshëm për të, dhe që ju si muze përpiqeni ta nxirrni në dritë?
Arjeta Kokalari: Musine Kokalari ende njihet shumë pak dhe ende nuk ka marrë vëmendjen që meriton në edukimin shkollor. Sa për dorëshkrimet e saj, vetëm një pjesë e vogël janë zbardhur dhe publikuar. Gjithashtu dëshmitë e gjalla që ne grumbullojmë nga personat që e kanë njohur sadopak, plotësojnë mozaikun e portretit të saj njerëzor. Të interesuarit për të mësuar më shumë rreth personalitetit të shumanshëm të Musine Kokalarit, munden ta arrijnë këtë edhe nga publikimet ekskluzive në rrjetet sociale nga Muzeu Kokalari.
Portalb.mk: A është muzeu i Musine Kokalarit vetëm një hapësirë kujtese, apo një thirrje për ndërgjegje kombëtare që ende s’është dëgjuar sa duhet?
Arjeta Kokalari: Pyetja juaj përputhet me përgjigjen. Jo më kot ne kemi krijuar një hapësirë meditimi dhe reflektimi, ku vizitorët pasi njohin historinë dhe veprimtarinë e saj, pasi dëgjojnë rrëfimin e saj në vetë të pare me copëza nga ditarët, ndiejnë të nevojshme të rrinë pak, të reflektojnë dhe shpesh edhe t’i hedhin në letër përshtypjet e çastit.

Portalb.mk: Cila është dëshmia më tronditëse që ruan muzeu ajo që e bën çdo vizitor të heshtë për disa sekonda?
Arjeta Kokalari: Kjo mund të jetë subjektive. Musine Kokalari në çdo këndvështrim zbulon një anë të ndryshme të personalitetit, apo veprimtarisë së saj që mund ta bëjë secilin prej nesh ta ndjejë më afër, apo më larg. Prandaj dhe memoriali quhet “Muza ime”, sepse çdokush që fillon ta njohë krijon një marrëdhënie personale. Musine Kokalari nuk mund të jetë thjesht një autore që e meson në librin e letërsisë, apo një emër në librin e historisë. Të gjitha mendimet që ajo ka shpallur 80 vjet më parë, si ato politike, ashtu dhe ato sociale dhe feministe, janë të njëjtat që pjesa më e madhe e njerëzve synojnë edhe sot. Shumica e vizitorëve magjepsen prej largpamësisë së saj, disa të tjerë prej kurajos dhe qëndresës, disa prej guximit për të kaluar në rrugë të pashkelura, disa prej vetëdijes shoqërore dhe politike, të huajt befasohen se si nga një vend i prapambetur kulturalisht, ku mbizotëronte patriarkalizmi të dilte një personalitet i përmasave të tilla.
Gjithsesi ka diçka që vërtet i bën njerëzit të heshtin dhe të mos i mbajnë dot lotët gjatë vizitës në hapësirat e Memorialit. Eshtë dhoma ku “ngjallet Muza”, një ambient ku në videomaping shfaqen momentet më të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë së Musine Kokalarit, treguar nga vetë ajo. Sepse e tillë ishte jeta e saj, tragjike, që vetëm një njeri i jashtëzakonshëm si Ajo, mund ta përballonte pa kompromis dhe me aq dinjitet.
Portalb.mk: A ekziston ende ndonjë pjesë e historisë së saj që është fshehur ose që s’u lejua të publikohej?
Arjeta Kokalari: Ende nuk është publikuar gjithçka që ajo ka lënë, por besoj se nuk ka diçka që është fshehur. Musinea vetë gjatë orëve që kalonte në vetmi ka shkruar shumë kujtime për veten, familjen, njerëzit që ka njohur. Sigurisht që ka punë për studiuesit, kërkuesit, hulumtuesit, sepse gjithmonë mund të ketë diçka të re për t’u zbuluar.
Portalb.mk: A jemi si shoqëri të denjë për trashëgiminë që ajo na la, apo ende s’e kemi kuptuar madhështinë e saj?
Arjeta Kokalari: Në këndvështrimin sociopolitik, Musinea është si martirët e krishtërimit. Ajo i tha fjalët e saj. Ajo na tregoi vizionin e saj për ndërtimin e një shoqërie pa dhunë, ku të respektohen liritë e individit, iniciativa private, e drejta e fjalës, e shtypit, e votës, zbutja e varfërisë… Nëse është kjo ajo çka duam, për vete, për fëmijët tanë, jemi ne ata që duhet ta ndjekim. Nëse ne jemi ende larg atij vizioni, do të thotë se duhet të punojmë më shumë, të vetedukohemi dhe të edukojmë. Ngritja e memorialit kushtuar Asaj është një ndihmesë për këtë qëllim, ta mbjellim Musinenë në sa më shumë mendje dhe me siguri shoqëria jonë do të jetë më e mirë.
Ju më pyesni nëse e kemi kuptuar madhështinë e saj. Dëshira juaj për të realizuar këtë intervistë, tregon se po.
Dhe do të doja ta përmbyllja me fjalët që Musinea i tha një bashkëvuajtësi në një takim të rastit:
“Demokracia do të triumfojë, por se kur… Le të shpresojmë që shpejt”.
