Arsi Bako me këngën “Rreze zjarr” është fituesja e edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në RTK
Këngëtarja nga Tirana, Arsi Bako me këngën “Rreze zjarr” është fituesja e edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në RTK. Asaj iu nda trofeu “Diamanti i Kaltër” nga ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku. Mes emocionesh, pas shpalljes si fituese shkurt ajo tha: “Nuk e kam pritur fitoren, nuk e di ndihem shumë […]

Këngëtarja nga Tirana, Arsi Bako me këngën “Rreze zjarr” është fituesja e edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në RTK. Asaj iu nda trofeu “Diamanti i Kaltër” nga ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku. Mes emocionesh, pas shpalljes si fituese shkurt ajo tha: “Nuk e kam pritur fitoren, nuk e di ndihem shumë e lumtur dhe nuk di çfarë të them tani. Thjesht shumë faleminderit”, shkruan Portalb.mk.
Këtë vit fituesja e festivalit mori edhe një dhuratë speciale nga RTK, të cilin e ndau drejtoresha e marketingut në RTK, Ariana Pallata, një medaljon me 62 gurë diamant natyral nga “Flori Diamond”
Arsi Bako u vlerësua edhe me Çmimin e Kryeqytetit, të cilin e dorëzoi kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, duke e bërë këtë triumf edhe më të veçantë për artisten.
Çmimin e dytë në edicionin e tretë të Festivalit të Këngës në RTK e fitoi Florent Abrashi me këngën “Unë dhe Ti”.
Çmimi i tretë iu nda Arjeta Palushajt me këngën “Andrra”.
Mbrëmë në skenën e Radio Televizionit të Kosovës u përmbyll me sukses edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK, një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore të vitit që bashkoi artistë të njohur dhe talente të reja nga e gjithë hapësira shqiptare.
Tri natë me muzikë, emocione dhe performanca të veçanta sollën një atmosferë të veçantë në publik dhe rrjetet sociale, duke rikthyer magjinë e festivaleve të mëdha live. Artistët konkurruan me këngë origjinale, të cilat përmes melodisë dhe fjalës prekën tema të dashurisë, jetës dhe realitetit shoqëror.
Në natën finale, skena u ndez nga interpretimet e fuqishme dhe emocionuese që u duartrokitën gjatë nga publiku. Juria profesionale vlerësoi nivelin e lartë artistik dhe përkushtimin e krijuesve, ndërsa publiku e shijoi secilën këngë si pjesë të një mozaiku të pasur të muzikës shqipe.
Juria profesionale e festivalit e cila ishte në përbërje të: Dren Abazi, një nga kantautorët më të suksesshem të skenës sonë, Eneda Tarifa, këngëtare me një karrierë të pasur dhe moderatore e njohur televizive, Jeta Dida Bujari, drejtoreshë e shkollës së mesme të muzikës ‘Prenk Jakova’ në Prishtinë, me një përvojë mbi 20 vjeçare në fushën e edukimit muzikor, Rreze Kryeziu, muzikologe, profesoreshë universitare, drejtoreshë e përgjithshme e festivalit muzikor DAM dhe kryetare e Këshillit Inicues të Operas së Kosovës dhe kryetari i jurisë Xhevdet Gashi, një nga kompozitorët dhe producentët më të mirë të skenës sonë ndër dekada.
Përpos tre çmimeve të para, juria ndau edhe çmime të tjera:
- Çmimin ‘Pena e argjendtë’, që ndahet për tekstin më të mirë, e fitoi Teutë Halili me këngën “Amin”.
- Çmimi i Orkestrës i’u nda këngëtarit Art Lokaj më këngën “Ty”.
- Orkestra e Festivalit të Këngës ‘That’s the way I ilke it’
Pas një varg performancash emocionuese nga finalistët, skena e Festivalit të Këngës mori një energji të re me daljen e mysafires speciale, Elvana Gjata.
Këngëtarja e njohur ndezi atmosferën me një kolazh hitesh të përzgjedhura, duke sjellë një kombinim të elegancës, karizmës dhe fuqisë vokale që e karakterizon. Me interpretimin plot ndjenjë dhe prezencën e saj magjepsëse, Elvana e mbajti publikun të pushtuar nga momenti i parë deri në të fundit.
Në skenë u rikthyen disa nga këngët e saj më të dashura si: “Gjërat kanë ndryshuar”, “Më fal”, “Shenjë” dhe “Xheloz” që u shoqëruan me duartrokitje të gjata, ovacione dhe një emocion të dukshëm nga publiku, duke e kthyer performancën e saj në një nga kulmet e mbrëmjes.
Pas përfundimit të performancës, këngëtarja u shpreh e emocionuar dhe mirënjohëse për ftesën.
“Jam shumë e nderuar që jam këtu dhe të falënderoj nga zemra Florent Boshnjaku, maestro, për këtë ftesë që më ke bërë. Ju e dini që tashmë prej vitesh Kosova është shtëpia ime dhe gjysma e zemrës sime. Dhe jam vërtet shumë e lumtur, për më tepër që maestro Kaçinari jeni këtu, dhe kjo më bën të mendoj edhe njëherë që ne jemi një. Një duartrokitje shumë të madhe për orkestrën, keni bërë një punë të jashtëzakonshme. I gjithë festivali është një punë e mrekullueshme dhe ua them me gjithë zemër se jam e nderuar që jam këtu sot. Por nuk mund të harroj pa i uruar shumë suksese konkurruesve. Edhe nëse nuk fitoni, nuk është fundi i botës, me rëndësi është që të vazhdoni të punoni fort dhe ta shijoni me gjithë zemër atë që bëni. Rroftë muzika”, tha Elvana Gjata.
Skena e edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në RTK u ndez nga një valë emocionesh dhe energjie me paraqitjen e këngëtares së njohur Tuna, e cila magjepsi publikun me një performancë të përgatitur me kujdes dhe të mbushur me art, stil dhe karizmë të vërtetë.
Festivali i Këngës në RTK dëshmoi se arti shqiptar ka energji, pasion dhe një brez të ri këngëtarësh që sjellin frymë të re në skenë. Mbrëmja finale u mbyll me ovacione dhe premtimin se edicioni i ardhshëm do të sjellë edhe më shumë risi dhe bashkëpunime ndërkombëtare.
