Azizi: Jemi forca e dytë në vend, Ali Ahmeti shiti Bërvenicën dhe Kërçovën për ta fituar Tetovën

Adnan Azizi nga VLEN deklaroi se koalicioni ka fituar pothuajse në të gjitha komunat ku ishte në balotazh dhe është tashmë forca e dytë në nivel shteti. Ai theksoi fitoret bindëse në Tetovë, Bogovinë, Dibër, Strugë dhe Dollnen, me diferenca të mëdha votash. Azizi kërkoi dorëheqjen e Ali Ahmetit, duke thënë se BDI ka nevojë […]

Azizi: Jemi forca e dytë në vend, Ali Ahmeti shiti Bërvenicën dhe Kërçovën për ta fituar Tetovën
Adnan Azizi. Foto printscreen

Adnan Azizi nga VLEN deklaroi se koalicioni ka fituar pothuajse në të gjitha komunat ku ishte në balotazh dhe është tashmë forca e dytë në nivel shteti. Ai theksoi fitoret bindëse në Tetovë, Bogovinë, Dibër, Strugë dhe Dollnen, me diferenca të mëdha votash. Azizi kërkoi dorëheqjen e Ali Ahmetit, duke thënë se BDI ka nevojë për reformim. Ai akuzoi Ahmetin se ka “shitur” Bërvenicën dhe Kërçovën për të fituar Tetovën, por që planet e tij kanë dështuar, raporton Portalb.mk.

“VLEN Arriti fitore pothuajse në të gjitha komunat ku ishim në balotazh, VLEN është forca e dytë në nivel të shtetit. Deri në këto momente mund të konfirmoj fitoren në bindëse në Tetovë me mbi 5 mijë vota dallim. Fitoren bindëse në komunën e Bogovinës me mbi 1.400 vota dallim. Fitoren bindëse në Dibër, fitoren bindëse në Strugë, fitoren bindëse në Dollnen me 1.300 vota dallim. Është koha që Aliu të japë dorëheqje, kjo parti të reformohet, nëse dëshiron të mbijetojë si parti në skenën politike, tha Adnan Azizi nga VLEN.

Sa i takon Bërvenicës dhe Kërçovës ai shtoi se Ali Ahmeti i ka shitur për ta fituar Tetovën.

“Por si duket, në këto zgjedhje, të gjitha kalkuzlimet dhe hesapet i kanë dalë gabim, prandaj edhe sot iku që në mëngjes për në Shqipëri, duke e ditur se të gjitha planet dhe skenaret që i ka bë do t’i dështojnë. Përgjegjësinë për Kërçovën dhe Bërvenicën, drejtpërsëdrejti e bart lideri i BDI-së”, shtoi Azizi.

Besar Durmishi nga ana tjetër, në herë tha se qytetarët e Tetovës e konfirmuan vendimin e 19 tetorit edhe më 2 nëntor, këtë herë me një diferencë mbi 5 mijë vota. Ai theksoi se procesi zgjedhor ka qenë i qetë, pa shantazhe apo presion nga pushteti dhe pa asnjë incident. Sipas tij, gjithçka ka kaluar normalisht dhe në disa vendbanime është arritur fitore plebishitare

“Verdiktin të cilin qytetarët e Tetovës e dhanë më 19 tetor, atë e konfirmuan më 2 nëntor, por tanimë me një diferencë edhe më të madhe ku deri tani procesi i numërimit është duke vazhduar. Informatat që i kemi nga shtabi është që diferenca është mbi 5 mijë. Dua të theksoj se këtu nuk ka pasur shantazh siç ka pasur më përpara, nuk ka pasur presion të pushtetit. Gjithçka ka qenë në normalitet. Procesi zgjedhor ka kaluar pa asnjë incident dhe gjithçka ka përfunduar me sukses. Kemi vendbanime ku kemi korrur një fitore plebishitare”, tha Durmishi.

Paraprakisht, pas mbylljes së votimit, koalicioni VLEN vlerësoi se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale është zhvilluar qetë, pa parregullësi dhe me kulturë të lartë demokratike. Driton Sulejmani nga VLEN theksoi se pret nga KSHZ transparencë dhe saktësi në numërimin e votave, ndërsa shprehu bindjen se kandidatët e tyre kanë marrë mbështetje të gjerë dhe presin fitore në shumicën e komunave ku garojnë

“Procesi i votimit për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale u zhvillua përgjithësisht në atmosferë të qetë dhe demokratike në të gjitha komunat ku sot u votua, përfshirë edhe ato ku garoi koalicioni VLEN. Sipas informacioneve nga terreni, procesi i votimit është zhvilluar pa ndonjë parregullësi dhe në frymë të përgjegjësisë qytetare. VLEN shpreh mirënjohje për të gjithë qytetarët që sot ushtruan të drejtën e tyre të votës me qetësi dhe dinjitet duke dëshmuar në këtë mënyrë kulturë të lartë demokratike. NJëherësh, presim nga KSHZ që faza e mbylljet dhe numërimit të votave të zhvillohet ashtu si në rrethin e parë me transparencë të plotë, saktësi dhe profesionalizëm, në përputhje me ligjin dhe me vullnetin e qytetarëve. Sipas vlerësimeve tona, kandidatët e koalicionit VLEN kanë marrë mbështetje të gjerë në të gjitha komunat ku garojnë  dhe presim rezultate që do ta konfirmojnë këtë besim”, tha Driton Sulejmani nga VLEN.

Sot u zhvillua rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, ndërsa dje votuan personat e sëmurë dhe të paaftë si dhe për të burgosurit. Votimi dje dhe sot ka kaluar pa ndonjë incident.