Banka serbe edhe zyrtarisht hyri në Maqedoninë e Veriut

Pasi ALTA Banka ShA Beograd përfundoi blerjen e Stopanska Banka ShA Manastir, kjo bankë serbe hyri zyrtarisht në Maqedoninë e Veriut duke u bërë pjesë e Grupit ALTA. Procesi u krye me pëlqimin e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk. Në maj të këtij viti Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës në […]

Banka serbe edhe zyrtarisht hyri në Maqedoninë e Veriut
Hristijan Mickoski dhe Aleksandar Vuçiq. Foto nga Facebooku i Mickoskit.

Pasi ALTA Banka ShA Beograd përfundoi blerjen e Stopanska Banka ShA Manastir, kjo bankë serbe hyri zyrtarisht në Maqedoninë e Veriut duke u bërë pjesë e Grupit ALTA. Procesi u krye me pëlqimin e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Në maj të këtij viti Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës në Maqedoni njoftoi edhe se kishte marrë një njoftim se Alta Group dëshironte të bëhej pronar i shumicës dhe të fitonte kontrollin mbi Stopanska Bankën Manastir.

Një nga aksionarët më të mëdhenj në Stopanska Banka Manasir është biznesmeni Orce Kamçev, i cili ndër të tjera, është edhe pronar i spitalit privat Acibadem Sistina në Shkup. Pjesën më të madhe të aksioneve të bankës, rreth 22 përqind, e mban Pelisterka së bashku me kompaninë TIMOH. Çmimi i aksioneve të bankës në muajin e fundit është 3.230 denarë. Në gjysmën e parë të vitit 2025 Stopanska Banka Manastir realizoi një fitim prej 33,6 milionë denarësh ose rreth gjysmë milioni euro, ndërsa në vitin 2024 fitimi ishte 163,1 milionë denarë ose 2,6 milionë euro.

Sa i përket pronarit të Alta Group, mediat serbe shkruajnë se bëhet fjalë për Davor Macurën, për të cilin e përjavshmja “Radar” publikoi një artikull më 31 korrik të këtij viti me titullin “Më i përparuar edhe se progresivët”. Sipas “Radar”, sukseset e tij në biznes u rritën me ardhjen në pushtet të Partisë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiq. Është interesante se, sipas marrëveshjes së re të bankës me Kompaninë Serbe të Energjisë Elektrike (EPS), qytetarët e Beogradit do të duhet të paguajnë faturat e energjisë elektrike në llogarinë bankare të EPS në Alta Bank.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar për përshpejtimin e penetrimit të “Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut, që sipas tyre pas Telekomit Serb, po hyn fuqishëm edhe në sektorin bankar përmes “Alta Bank”. “Ky nuk është një investim i zakonshëm financiar, por një operacion i strukturuar politik dhe ekonomik i Beogradit për të siguruar kontroll strategjik mbi institucionet kyçe të vendit, me përfshirje aktive të partnerëve qeveritarë, përfshirë VLEN-in”, thonë nga BDI.

Kujtojmë se raporti i ri i BE-së, i cili u miratua nga Parlamenti Evropian, paralajmëroi për rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës dhe dënon promovimin e konceptit të një “bote serbe” nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut. 

“PE shpreh shqetësimin e saj në lidhje me të ashtuquajturin projekt ‘bota serbe’ dhe se disa përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut po e mbështesin dhe promovojnë këtë koncept; PE dënon pjesëmarrjen në takime që synojnë të krijojnë një sferë ndikimi që minon sovranitetin e vendeve të tjera dhe stabilitetin e rajonit”, thuhet në raport.