BE disburson 100 milionë euro për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor

Bashkimi Evropian ka disbursuar (dhuruar) 100 milionë euro për Shqipërinë, në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian. Pagesa, e cila u njoftua nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë vizitës së saj në Tiranë javën e kaluar, dëshmon se Shqipëria ka zbatuar reforma të qëndrueshme strukturore në fusha kyçe si energjia, digjitalizimi, konkurrueshmëria, […] The post BE disburson 100 milionë euro për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor appeared first on Ditar.al.

BE disburson 100 milionë euro për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor

Bashkimi Evropian ka disbursuar (dhuruar) 100 milionë euro për Shqipërinë, në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.

Pagesa, e cila u njoftua nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë vizitës së saj në Tiranë javën e kaluar, dëshmon se Shqipëria ka zbatuar reforma të qëndrueshme strukturore në fusha kyçe si energjia, digjitalizimi, konkurrueshmëria, zhvillimi i qëndrueshëm dhe integrimi ekonomik.

Fondet do të mbështesin përpjekjet e Shqipërisë për të nxitur më tej rritjen ekonomike dhe për të forcuar institucionet publike. Konkretisht:

46.2 milionë euro janë dhënë si hua e kredituar drejtpërdrejt në Thesar për zbatimin e reformave;

54.1 milionë euro (përbërë nga 28.5 milionë euro në grante dhe 24.6 milionë euro në kredi) kanalizohen përmes Kornizës së BE-së për Investime në Ballkanin Perëndimor (ËBIF) për të mbështetur projektet e zhvillimit të infrastrukturës.

“Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor po jep rezultate në Shqipëri. Vendi po bën përparim të qëndrueshëm përmes Agjendës së Reformave dhe Rritjes dhe BE-ja po përgjigjet në të njëjtën mënyrë. Ky disbursim i ri prej 100 milionë eurosh përputhet me hapat që ka ndërmarrë Shqipëria për të çuar përpara reformat që sjellin përfitime të prekshme për qytetarët e saj. Nisma të tjera të Planit të Rritjes po japin gjithashtu rezultate: sistemi bankar i Shqipërisë ka miratuar standardet SEPA, duke ulur kostot e transaksioneve për qytetarët, ndërsa vitin e ardhshëm do të përfundojmë instalimet falas Wi-Fi në të gjitha bashkitë dhe do të eliminojmë tarifat roaming mes BE-së dhe Shqipërisë”, tha Ambasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato.

“Rezultatet e para të Instrumentit për Reforma dhe Rritje përfaqësojnë një tregues të rëndësishëm se si mekanizmi i ri i BE-së po zbatohet në praktikë në Shqipëri. Ato demonstrojnë forcimin e kapaciteteve të planifikimit, raportimit dhe zbatimit, rritjen e transparencës institucionale dhe efikasitetin e bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare dhe Komisionit Evropian – të gjithë elementë thelbësorë të rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, tha Eridana Cano, Koordinatore Kombëtare e Instrumentit për Reforma dhe Rritje në Shqipëri.

Instrumenti për Reforma dhe Rritje funksionon me një cikël raportimi gjashtëmujor. Shqipëria do ta paraqesë raportin e saj të ardhshëm në fillim të vitit 2026, duke ofruar prova të reformave të zbatuara mes qershorit dhe dhjetorit 2025. Komisioni Evropian do të vlerësojë më pas progresin dhe masat e arritura plotësisht do të merren në konsideratë për disbursimin e ardhshëm në kuadër të Instrumentit, planifikuar për pranverën e vitit të ardhshëm.

Rreth Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor

Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor është një nismë e ndërmarrë nga Komisioni Evropian në vitin 2023 për të përshpejtuar konvergjencën ekonomike të rajonit me Bashkimin Evropian dhe për t’u sjellë qytetarëve përfitimet e integrimit evropian edhe para anëtarësimit. Ai kombinon stimujt e reformave me mbështetje financiare deri në 6 miliardë euro për rajonin dhe deri në 1 miliard euro për Shqipërinë për periudhën 2024–2027. Plani mbështet integrimin gradual të ekonomive të Ballkanit Perëndimor në Tregun e Përbashkët të BE-së dhe siguron fonde përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje, bazuar në progresin e partnerëve në zbatimin e reformave të miratuara në fusha të tilla si tranzicioni i energjisë, digjitalizimi, sundimi i ligjit, konkurrueshmëria dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor.

The post BE disburson 100 milionë euro për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor appeared first on Ditar.al.