Blerina Kastrati: Dua të përfaqësoj zërin e komunitetit tim në asamblenë lokale
Blerina Kastrati përfaqëson Partinë Socialiste (PS) në garën për një vend në Asamblenë e Komunës Carouge të Gjenevës. Zgjedhjet mbahen më 23 mars The post Blerina Kastrati: Dua të përfaqësoj zërin e komunitetit tim në asamblenë lokale appeared first on Albinfo.

Më 23 mars, në Kantonin dhe Shtetin e Gjenevës, do të mbahen zgjedhjet për asambletë përkatëse komunale. Një numër i konsiderueshëm i bashkatdhetarëve tanë kandidojnë për pozitën e asamblistit/asamblistes. Gjeneva, si qytet kozmopolit, i hapur për botën dhe për të huajt që jetojnë aty, ka një traditë të gjithëpërfshirjes që dallon nga kantonet e tjera. Për më tepër, në Gjenevë kanë të drejtë zgjedhjeje edhe të huajt që kanë një qëndrim të rregullt prej tetë vitesh në Zvicër. Për këto dhe për çështje të tjera lidhur me kandidimin e saj për zgjedhjet e 23 marsit, Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me njërën ndër kandidatet, Blerina Kastratin, e cila kandidon për Partinë Socialiste të Zvicrës. “Një element i rëndësishëm që më ka bërë të ndjehem afër kësaj partie është pozicioni i saj politik në favor të Kosovës. Kujtoj me krenari rolin historik të Micheline Calmy-Rey, ish-shefe e Departamentit të Punëve të Jashtme të Zvicrës, e cila ka mbështetur hapur pavarësinë e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që në vitin 2005, në një kohë kur askush nga aleatët e Kosovës nuk kishte shkuar aq larg në qëndrimet e tyre publike…”, shprehte ndër të tjera bashkëbiseduesja jonë.
Albinfo.ch: Ju keni vendosur të garoni si kandidate e PS-së për zgjedhjet lokale në Gjenevë që mbahen më 23 mars 2025. Përse keni zgjedhur pikërisht këtë parti?. Mund të përmendni disa nga parimet që mbështet PS dhe me të cilat identifikoheni ju?
B. Kastrati: Përzgjedhja ime për të garuar si kandidate e Partisë Socialiste ka qenë një vendim i natyrshëm që buron nga bindjet e mia të thella politike dhe shoqërore. Partia Socialiste mbështet parimet e barazisë, drejtësisë sociale dhe solidaritetit, të cilat janë vlera që i kam përqafuar gjithmonë. Angazhimi i kësaj partie për të garantuar të drejta të barabarta për të gjithë, pavarësisht prejardhjes, gjinisë apo statusit social, përbën një shtyllë thelbësore të vizionit tim për një shoqëri më të drejtë. Për më tepër, mbështetja e vazhdueshme e Partisë Socialiste ndaj të drejtave të komuniteteve të huaja dhe lufta kundër diskriminimit janë aspekte me të cilat identifikohem fuqishëm.
Një element i rëndësishëm që më ka bërë të ndjehem afër kësaj partie është pozicioni i saj politik në favor të Kosovës. Kujtoj me krenari rolin historik të Micheline Calmy-Rey, ish-shefe e Departamentit të Punëve të Jashtme të Zvicrës, e cila mbështeti hapur pavarësinë e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që në vitin 2005, në një kohë kur askush nga aleatët e Kosovës nuk kishte shkuar aq larg në qëndrimet e tyre publike
Albinfo.ch: Jeni anëtare dhe aktiviste e PS-së prej kohësh?
B. Kastrati: Jam anëtare e Partisë Socialiste prej 10 vitesh dhe nënkryetare për mandatin e tretë. Gjatë kësaj periudhe, kam qenë aktive në organizimin e aktiviteteve të ndryshme komunitare dhe politike, duke kontribuar në projekte që synojnë promovimin e integrimit dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve të huaja.
Albinfo.ch: A është hera e parë që merrni pjesë në një garë zgjedhore në Zvicër? Nëse nuk është hera e parë, kur keni marrë pjesë dhe cili ka qenë rezultati?
B. Kastrati: Po, kjo është hera e parë që marr pjesë në një garë zgjedhore në Zvicër. Kjo përfaqëson një hap të rëndësishëm në rrugëtimin tim politik dhe një mundësi për të përfaqësuar zërin e komunitetit tim në asamblenë lokale.
Albinfo.ch: Nëse do të zgjidheni në asamblenë lokale, cilat do të ishin çështjet me të cilat do të merreshit, gjegjësisht çfarë kauzash do të “shtynit” përpara?
B. Kastrati: Si grua dhe si nënë me prejardhje shqiptare, çështjet që më prekin më shumë janë barazia gjinore dhe integrimi i personave me origjinë të huaj. Përvoja personale dhe profesionale më ka mësuar se një shoqëri e drejtë dhe e qëndrueshme ndërtohet mbi vlerat e barazisë dhe gjithëpërfshirjes.
Synimi im është të shtyj përpara politika që mbështesin gratë në tregun e punës, duke siguruar jo vetëm barazi në pagë, por edhe në mundësitë e avancimit dhe pozitat drejtuese. Gratë shpesh përballen me sfida të dyfishta, si në jetën profesionale ashtu edhe në atë familjare, prandaj është e domosdoshme të krijohen kushte që lehtësojnë kushtet mes jetës private dhe asaj profesionale, përmes shërbimeve cilësore (çerdheve) të kujdesit për fëmijët dhe fleksibilitetit në punë.
Një tjetër prioritet i imi është mbështetja e të rinjve me prejardhje të huaj. Integrimi i suksesshëm i tyre në shoqëri dhe në tregun e punës është kyç për ndërtimin e një komuniteti solidar dhe të barabartë. Do të punoj për krijimin e programeve mbështetëse që ofrojnë mundësi të barabarta për arsimim, praktikë profesionale, duke u dhënë të rinjve mjetet e nevojshme për të realizuar potencialin e tyre.
Besoj se vetëm përmes një angazhimi konkret dhe të vazhdueshëm, mund të ndërtojmë një shoqëri ku secili ka mundësi të barabarta për të kontribuar dhe për të përfituar nga zhvillimi ekonomik dhe social.
Albinfo.ch: Për çfarë do të votonte për ju, një bashkatdhetar yni me të drejtë vote në Gjenevë? Ka diçka specifike për të cilën ju do të angazhoheshit në të mirë të shqiptarëve të Gjenevës por edhe votuesve të tjerë me prejardhje të huaj?
B. Kastrati: Sepse mendoj se do të jem një zë i fuqishëm për komunitetin tonë duke afirmuar vlerat dhe të arriturat e shqiptarëve në Zvicër e në veçanti të atyre në kantonin e Gjenevës. Do jem kritike e përhershme ndaj klisheve dhe paragjykimeve që ekzistojnë ende aty këtu ndaj bashkatdhetarëve të mi. Do të angazhohem për të luftuar diskriminimin në tregun e punës dhe për të mbështetur integrimin e të rinjve shqiptarë dhe me origjinë të huaj. Një shoqëri e barabartë dhe gjithëpërfshirëse është qëllimi im kryesor.
Albinfo.ch: Si jeni trajtuar në mesin e kolegëve, bashkëgarues si grua me prejardhje të huaj? A jeni ndier ndonjëherë e anashkaluar ose e trajtuar ndryshe nga të tjerët?
B. Kastrati: Në Partinë Socialiste jam ndjerë gjithmonë e mirëpritur, sikur të isha në shtëpinë time. Nuk kam ndier asnjëherë anashkalim apo trajtim të pabarabartë. Madje, fakti që jam zgjedhur me shumicë absolute votash për tri mandate si nënkryetare e PS-së për komunën e Carouge, është dëshmi e besimit dhe mbështetjes që kam gjetur në këtë parti.
Albinfo.ch: Sa ka shqiptarë të organizuar në partitë politike në Gjenevë, gjegjësisht që kandidojnë ose tashmë janë zgjedhur në strukturat partiake, në partinë tuaj ose edhe në të tjerat? Po në strukturat si parlamenti komunal ose kantonal ose edhe në institucionet shtetërore etj.?
B. Kastrati: Komuniteti shqiptar në Gjenevë është i integruar mirë dhe i pranishëm në të gjitha fushat e jetës, ata dhe ato jane mjeke, mësuese, avokate etj, por edhe të përfshirë në politikë. Po përmend një fakt domethënës që nuk haset në kantonet tjera, aktualisht, pa përmendur asambletë komunale, në parlamentin kantonal të Gjenevës ka 5 deputetë me origjinë shqiptare, një tregues i qartë i fuqisë politike të komunitetit tonë. Shqiptarët nuk janë indiferentë ndaj zhvillimeve politike ashtu sikur partitë politike zvicerane të cilat i kushtojnë një vëmendje të posaçme komunitetit tonë. Kjo më jep shpresë për një pjesëmarrje edhe më të madhe në të ardhmen. Njëherësh shfrytëzoj rastin t’ua përkujtoj të gjithë bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në kantonin e Gjenevës se kanë të drejtë vote edhe nëse nuk e kanë pasaportën zvicerane, mjafton t’i kenë 8 vite qëndrimi në Zvicër. Zyra e kancelarisë së kantonit ua dërgon materialin e votës përmes postës.
Albinfo.ch: Deri më tani kemi një përvojë jo shumë të mirë sa i përket pjesëmarrjes së shqiptarëve me të drejtë vote në zgjedhjet ose referendumet që mbahen në Zvicër. Si mendoni ju se mund të motivohet komuniteti ynë për të qenë pjesë më aktive në jetën e këtushme politike?
B. Kastrati: Thashë më lart që Gjeneva përbën një përjashtim por mendoj se motivimi i komunitetit tonë kërkon një qasje gjithëpërfshirëse. Informimi i vazhdueshëm për të drejtat dhe mundësitë që ofron sistemi politik zviceran është thelbësor. Organizimi i fushatave sensibilizuese dhe krijimi i rrjeteve komunitare që inkurajojnë pjesëmarrjen aktive janë hapa të rëndësishëm për të rritur ndërgjegjësimin dhe angazhimin.
Kush është Blerina Kastrati
Blerina Kastrati është e lindur para 39 vitesh në Gjakovë dhe me qëndrim prej 22 vitesh në Zvicër. “Si për çdo bashkatdhetar, rrugëtimi im nuk ka qenë i lehtë”, shprehet ajo. Kaa jetuar në Zvicrën gjermane ndërsa prej 10 vitesh jeton në Gjenevë. Ka punuar kryesisht punë administrative ndërsa vitet e fundit është arsimuar në edukimin e fëmijëve të vegjël ku edhe punon si asistente socio-edukative. Nga gjuhët e huaja flet gjermanishten, frëngjishten dhe anglisht.
Hobi i saj është leximi, ecja, piano dhe sidomos noti në ujërat e ftohta me miqtë e saj gjatë dimrit në liqenin “Lac Léman” të Gjenevës.
The post Blerina Kastrati: Dua të përfaqësoj zërin e komunitetit tim në asamblenë lokale appeared first on Albinfo.