Brukseli dënon sulmet dhe zjarrëvëniet ndaj institucioneve në Shqipëri, kërkon që përgjigja e policisë të jetë proporcionale

Brukseli dënon sulmet dhe zjarrëvëniet ndaj institucioneve në Shqipëri, kërkon që përgjigja e policisë të jetë proporcionale

Komisioni Evropian ka dënuar dhunën gjatë protestave në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe dëmtimin e pronës publike dhe private.

Në një deklaratë të publikuar më 18 tetor në Bruksel, Komisioni theksoi se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe se reagimi ndaj saj duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe proporcional.

Gjithashtu, u bëri thirrje që përgjegjësit të mbahen para drejtësisë përmes procedurave të rregullta ligjore.

Komisioni Evropian rikujtoi se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.

Tutje, Komisioni Evropian mirëpriti zotimin e autoriteteve shqiptare për mbrojtjen e së drejtës për protestë, duke theksuar se, si vend kandidat që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe që ka shënuar përparim në procesin e integrimit, Shqipëria duhet t’i trajtojë pakënaqësitë përmes dialogut konstruktiv dhe rrugëve paqësore.

Komunikata e plotë:

Ne dënojmë përdorimin e dhunës në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike, dhe reagimi ndaj saj duhet të mbetet brenda kornizës së ligjit dhe të jetë proporcional. Përgjegjësit duhet të mbahen përgjegjës përmes procesit të rregullt ligjor.

Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.

Ne mirëpresim zotimin e autoriteteve shqiptare se e drejta për të protestuar do të mbrohet. Në një vend kandidat që është fuqishëm i përkushtuar ndaj procesit të anëtarësimit në BE dhe që po shënon përparim të rëndësishëm në rrugën drejt BE-së, pakënaqësitë duhet të trajtohen përmes dialogut konstruktiv dhe në mënyrë paqësore.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.