Moti ekstrem rëndon fermerët në Zvicër, thatësira po shton presionin financiar dhe psikologjik

Thatësira e vazhdueshme dhe kushtet ekstreme të motit po rëndojnë gjithnjë e më shumë familjet e fermerëve në Zvicër. Humbjet e të korrave, mungesa e ushqimit për kafshët dhe puna e vazhdueshme për sigurimin e ujit po shkaktojnë jo vetëm probleme ekonomike, por edhe stres të konsiderueshëm psikologjik.
Sipas linjës zvicerane të këshillimit për fermerët, Bäuerliches Sorgentelefon, problemet që raportohen aktualisht përfshijnë rendimente shumë të dobëta ose humbje të plota të kulturave bujqësore, mungesë uji për njerëzit, kafshët dhe tokat bujqësore, si dhe sëmundje apo raste kur fermerët detyrohen të therin kafshët, transmeton albinfo.ch.
Një tjetër problem janë kostot më të larta të prodhimit. Shumë fermerë janë të detyruar të ujitin kulturat pothuajse 24 orë në ditë, përfshirë gjatë natës, në përpjekje për të shpëtuar të korrat. Kjo po shkakton mungesë gjumi dhe lodhje të vazhdueshme, ndërsa frika nga humbjet e mëtejshme e shton presionin.
Situata rëndohet edhe nga mungesa e ushqimit për kafshët. Në disa raste, fermerët duhet ta blejnë atë me çmime të larta, ndërsa mundësitë për furnizim janë të kufizuara. Humbjet e të korrave, të kombinuara me çmimet e ulëta në treg, po shtojnë pasigurinë financiare dhe frikën për ekzistencën ekonomike të fermave.
Ndikim edhe në jetën familjare
Presioni i vazhdueshëm po reflektohet edhe brenda familjeve. Sipas shërbimit të këshillimit, përballimi i përbashkët i krizës mund t’i afrojë familjarët, por kur ngarkesa dhe stresi vazhdojnë për një periudhë të gjatë, rritet edhe rreziku për tensione, konflikte dhe kriza familjare.
Organizata u rekomandon fermerëve të mos i mbajnë problemet vetëm për vete, por të flasin për situatën dhe të kërkojnë mbështetje. Ajo thekson gjithashtu rëndësinë e solidaritetit mes fermerëve në periudha të tilla të vështira.
Linja e këshillimit regjistron zakonisht 100 deri në 160 telefonata në vit, ndërsa kontaktet janë anonime. Sipas të dhënave të saj, gratë e përdorin këtë shërbim më shpesh se burrat.
The post Moti ekstrem rëndon fermerët në Zvicër, thatësira po shton presionin financiar dhe psikologjik appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



