Dallimi mes komunave të fituara nga partitë në vitin 2021 dhe 2025 (Infografik)
Zgjedhjet lokale 2025 kanë ndryshuar udhëheqësinë lokale në shumë komuna, disa parti arritën t’i ruajnë bastionet ndërsa disa të tjera shënuan humbje. Portalb.mk sjell hartat me fituesit e zgjedhjeve lokale 2025 dhe 2021. Në zgjedhjet lokale 2025 VMRO-DPMNE ka shënuar fitore bindëse duke fituar 54 komuna dhe Qytetin e Shkupit, në krahasim me zgjedhjet e […]

Zgjedhjet lokale 2025 kanë ndryshuar udhëheqësinë lokale në shumë komuna, disa parti arritën t’i ruajnë bastionet ndërsa disa të tjera shënuan humbje. Portalb.mk sjell hartat me fituesit e zgjedhjeve lokale 2025 dhe 2021.
Në zgjedhjet lokale 2025 VMRO-DPMNE ka shënuar fitore bindëse duke fituar 54 komuna dhe Qytetin e Shkupit, në krahasim me zgjedhjet e kaluara lokale kjo parti ka fituar 12 komuna më shumë.
LSDM-ja opozitare fitoi në 6 komuna, apo në 10 më pak se zgjedhjet e kaluar.
Në bllokun politik shqiptar u përmbys rezultati, koalicioni VLEN (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike) ka fituar 9 komuna, shumicën e komunave urbane.
Ndërkaq koalicioni AKI (BDI dhe dy Aleancat për Shqiptarët, e Ziadin Selës dhe Arben Taravairt) ka fituar vetëm 4 komuna, asnjë nga komunat e mëdha urbane.
Lëvizja Znam dhe Unioni i Romëve kanë fituar nga një komunë.
Në Strugë fitoi kandidati i pavarur i mbështetur nga VMRO-DPMNE dhe VLEN.
Levica nuk ka fituar asnjë komunë.
Në katër komuna nuk u arrit cenzusi dhe do të organizohen zgjedhje të reja.
Në zgjedhjet lokale 2021, koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE fitoi 42 komuna. Kryetarët e komunave të mbështetur nga koalicioni i udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) drejtuan 16 komuna, ndërsa kryetarët e mbështetur nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) drejtuan 11. Koalicioni midis Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës fitoi 2 mandate të kryetarëve, BESA – 2, dhe koalicioni LDP/DOM, PDSH dhe GROM nga një. Tre vende të kryetarëve të komunave u fituan nga kandidatë të pavarur.

Këto zgjedhje mes tjerash do të kujtohen për tre momente politike: Fitorja e kandidatit shqiptar në Çashkë, fitorja e VMRO-së në Kërçovë dhe humbja e kandidatit shqiptar në Bërvenicë.
Rrethi i parë i zgjedhjeve të teta lokale në RMV u mbajt më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor.

