Debate në Konferencën e Kryetarëve, Peleshi kritikon fjalimin e Gjekmarkajt

Në Konferencën e Kryetarëve, kryeparlamentari, Niko Peleshi, ka reaguar ndaj ndërhyrjes së zëvendëskryetarit të Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, duke e cilësuar gjuhën e përdorur dje në sallë “të dhunshme dhe të turpshme, përtej çdo caku të pranueshëm, edhe në kontekstin e opozitarizmit”. Peleshi ka theksuar se “ajo që ndodhi dje nuk mund të fshihet pas finesës […]

Debate në Konferencën e Kryetarëve, Peleshi kritikon fjalimin e Gjekmarkajt

Në Konferencën e Kryetarëve, kryeparlamentari, Niko Peleshi, ka reaguar ndaj ndërhyrjes së zëvendëskryetarit të Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, duke e cilësuar gjuhën e përdorur dje në sallë “të dhunshme dhe të turpshme, përtej çdo caku të pranueshëm, edhe në kontekstin e opozitarizmit”.

Peleshi ka theksuar se “ajo që ndodhi dje nuk mund të fshihet pas finesës letrare”, duke iu referuar mënyrës së artikulimit të Gjekmarkajt në seancën plenare.

Ai ka kujtuar se standardet e parlamentarizmit europian duhet të jenë udhërrëfyesi i sjelljes politike, duke shtuar se në parlamentet e BE-së ka debat të fortë, por jo fjalor që degradon figurën e institucionit dhe të kolegëve.

Sipas tij, Parlamenti shqiptar është ndër më liberalët në BE përsa i përket hapësirave dhe lirive të deputetëve, por kjo liri “shoqërohet me përgjegjësi themelore, sepse me sjelljen tonë modelojmë shoqërinë”.

Peleshi ka theksuar se gjatë gjithë karrierës së tij politike “mund të akuzohet vetëm për durimin e tepruar”, duke nënvizuar se “nuk është marrë dhe nuk do të merret kurrë me sulme personale ndaj askujt”.

Në vijim, ai është shprehur se “e vlerëson elokuencën politike të Gjekmarkajt”, por ka nënvizuar se ndërhyrja e tij “është thellësisht e ndikuar nga kalkulime politike”.

“Nëse ju vazhdoni të mbroni atë që ndodhi dje, në fakt po nxisni një klimë përplasjesh dhe mosmarrëveshjesh që nuk i shërben askujt as Kuvendit, as qytetarëve, as vetë opozitës”, është shprehur ndër të tjera Peleshi.

Nga ana tjetër, deputeti i PD, Belind Këlliçi ka akuzuar socialistët se po ngushtojnë hapësirat që ka opozita në Kuvend. “Kjo është antikushtetuese dhe e patolerueshme. Opozita nuk kërkon trazira dhe nuk është për jonormalitet, por na e impononi ju reagimin e fortë. E impononi ju me shkeljen e Kushtetutës. Ju donit dje të ndryshonit traditën e pyetjeve për institucionet e pavarura, për shkak se keni hallin kur të raportojnë institucionet e drejtësisë. Keni frikë nga pyetjet e opozitës për ato institucione dhe për drejtuesit e drejtësisë. Sa i përket rregullores dhe respektit të hapësirës së opozitës, mjafton t’ju them se në tre javë keni përjashtuar dy herë kreun e grupit të PD-së, me porosi të Ballës”, raportohet të ketë thënë Këlliçi.