Diola Dosti: Ushqyerja e kujdesshme nuk është luks, por nevojë
Në një kohë kur jeta, puna dhe ushqimi ecin me shpejtësinë e rrjeteve sociale, nutricionistja Diola Dosti kujton se trupi nuk funksionon me ritmin e teknologjisë. Në këtë intervistë për Portalb.mk, ajo foli për shumëçka nga kjo fushë. Portalb.mk: Në një kohë kur gjithçka po bëhet “e shpejtë”, nga jeta, puna, te ushqimi, a ka […]

Në një kohë kur jeta, puna dhe ushqimi ecin me shpejtësinë e rrjeteve sociale, nutricionistja Diola Dosti kujton se trupi nuk funksionon me ritmin e teknologjisë. Në këtë intervistë për Portalb.mk, ajo foli për shumëçka nga kjo fushë.
Portalb.mk: Në një kohë kur gjithçka po bëhet “e shpejtë”, nga jeta, puna, te ushqimi, a ka mbetur më vend për një kulturë të ushqyerjes së kujdesshme?
Diola Dosti: Në një epokë ku çdo gjë po shkon drejt “shpejt e shpejtë”, ushqimi është bërë po aq i shpejtë sa edhe mendimi. Por trupi njerëzor nuk është përditësuar me ritmin e teknologjisë, qelizat tona vazhdojnë të funksionojnë sipas një inteligjence biologjike mijëravjeçare që kërkon ritëm, frymëmarrje dhe kontakt me natyrën. Në 15 vjet punë klinike, kam kuptuar se ushqyerja e kujdesshme nuk është luks, por nevojë. Kur hamë me vetëdije, aktivizohet nervi vagus ose “autostrada” që lidh zorrën me trurin dhe ndalon përgjigjen inflamatore. Kjo nuk është metaforë, është biologji e aplikuar: neurogastronomia dhe psikonutricioni sot e provojnë me studime se mënyra si përtypim dhe si mendojmë gjatë ngrënies ndryshon përthithjen, sekretimin e enzimave dhe ekuilibrin hormonal. Pra, po ka vend për ushqyerje të kujdesshme, por vetëm nëse rikthejmë ushqimin në rolin e tij të shenjtë: energji, informacion dhe lidhje.
Portalb.mk: A ndikon ritmi i shpejtë i jetës dhe mungesa e kohës në mënyrën si ushqehemi, apo është më shumë çështje zgjedhjeje personale?
Diola Dosti: Ritmi i shpejtë ndikon në çdo nivel biologjik. Trupi nuk dallon midis një rreziku real dhe stresit psikologjik. Në të dy rastet, aktivizohet kortizoli, hormoni i stresit, i cili: rrit sheqerin në gjak, frenon funksionin e tretjes, ul ndjeshmërinë ndaj leptinës dhe insulinës. Rezultati? Ne hamë më shumë, tretim më pak, dhe ruajmë më tepër yndyrë. Megjithatë, kam parë njerëz shumë të zënë që ushqehen në mënyrë të përkryer sepse vetëdija është gjithmonë zgjedhje. Nuk kemi gjithmonë kohë të gjatë, por kemi momentin. Një frymëmarrje e vetme para kafshatës ndryshon mënyrën si trupi e percepton ushqimin: nga “mbijetesë” në “ushqim të qetësisë”. Në fund të ditës, nuk na lodhë koha por na lodh mënyra si e përdorim atë.
Portalb.mk: Shpesh thuhet se “jemi ajo që hamë”, por në realitetin shqiptar, a jemi më shumë ajo që hamë apo ajo që mendojmë?
Diola Dosti: Në fakt, jemi ajo që përthithim dhe përpunojmë, fizikisht dhe emocionalisht. Ne hamë ushqim, por tretim mendime. Kur mendja është e tensionuar, edhe trupi refuzon të përthithë. Studime të fundit mbi aksin gut-brain (zorrë–tru) tregojnë se stresi psikologjik mund të ndryshojë përbërjen e mikrobiotës brenda disa orësh, duke ndikuar në mënyrën si trupi përthith ushqyesit. Në nivel kuantik, mendimet kanë frekuenca. Çdo emocion ka një valë elektromagnetike që ndikon lëngjet ndërqelizore. Kur njeriu ushqehet me negativitet, qelizat “ngurtësohen” aciditeti rritet, membranat bëhen më pak të përshkueshme dhe komunikimi ndërqelizor dëmtohet. Kështu që, po, jemi një përzierje e asaj që hamë dhe asaj që mendojmë. Por mendoj se mendimi është “kuzhinieri” i parë: ai përcakton mënyrën si trupi e gatuan çdo ushqim që futet në të.
Portalb.mk: A mund të jesh i shëndetshëm në një shoqëri ku stresi, mungesa e gjumit dhe presioni social janë bërë pjesë e përditshme e jetës?
Diola Dosti: Është sfiduese, por po, është e mundur, nëse shëndetin e shohim si proces dinamik, jo si gjendje fikse. Shëndeti sot nuk është “të mos sëmuresh”, por të kesh kapacitet për t’u rikthyer në ekuilibër. Nga eksperienca kam parë se njerëzit që gjejnë qetësi mendore përpara se të ndjekin një dietë, shërohen më shpejt sesa ata që ndjekin çdo rregull por jetojnë në frikë. Gjumi, drita e diellit, lëvizja dhe dashuria janë katër terapitë falas që mbajnë trupin në homeostazë. Melatonina, hormoni i gjumit, është antioksidant më i fuqishëm se vetë vitamina C. Drita e diellit aktivizon sintezën e vitaminës D dhe rregullon ritmet cirkadiane. Këto nuk janë detaje “lifestyle”, por mekanizma biologjikë të mbijetesës. Shëndeti është marrëdhënie me dritën, atë të jashtmen dhe të brendshmen.

Portalb.mk: Në përvojën tënde, çfarë e helmon më shumë trupin e njeriut sot: ushqimi i përpunuar, sheqeri, apo mendimet negative?
Diola Dosti: Në 15 vjet punë kam parë që ushqimi i përpunuar helmon trupin, por mendimet negative helmojnë shpirtin dhe kur shpirti është i helmuar, trupi pason. Sheqeri rrit insulinën, inflamacionin dhe rrezikun për sëmundje kronike. Por stresi i vazhdueshëm prodhon të njëjtin efekt inflamator edhe pa ngrënë asgjë: rrit nivelin e citokinave proinflamatore (IL-6, TNF-α), aktivizon sistemin nervor simpatik dhe dobëson sistemin imunitar. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz që ushqehen mirë përsëri ndihen të lodhur: trupi ushqehet me perime, por mendja me frikë. Trupi mund të detoksifikohet përmes mëlçisë; mendja, vetëm përmes mendimeve pozitive.
Portalb.mk: Ka studime që lidhin ushqimin me gjendjen emocionale. A ke vërejtur se disa ushqime ndikojnë drejtpërdrejt te humori apo energjia e njerëzve?
Diola Dosti: Po, dhe këtë e shoh çdo ditë. Në nivel biokimik, truri është organ ushqyes, 60% yndyrë, 20% aminoacide, 20% ujë dhe minerale. Ushqimet e pasura me omega-3, magnez, zink dhe triptofan janë si dritë për tru. Ato ndihmojnë sintezën e serotoninës dhe dopaminës. Nga ana tjetër, sheqeri i rafinuar dhe aditivët kimikë krijojnë disbalancë në mikrobiotë, duke ulur prodhimin e neurotransmetuesve pozitivë. Në studime të revistës Nutrients 2022 u tregua se pas vetëm tre ditësh konsum ultra-processed, ndryshon mikrobiota dhe ndjesia e humorit. Në praktikë, pacientët që kalojnë në regjim me ushqime të plota, ujë të strukturuar H3 O2, dritë dielli dhe frymëmarrje të vetëdijshme raportojnë rritje të energjisë, përqendrimit dhe qetësisë, pa asnjë suplement magjik.
Portalb.mk: Shumë njerëz hanë nga mërzia ose ankthi, jo nga uria. Si mund të mësojmë ta dallojmë urinë e trupit nga urinë emocionale?
Diola Dosti: Uria e trupit është fiziologjike, vjen ngadalë dhe qetësohet me çdo lloj ushqimi të shëndetshëm. Uria emocionale është energjike, vjen papritur, kërkon shije të forta dhe nuk ngopet lehtë. Në nivel neurokimik, të dyja lidhen me dopaminën. Por në rastin e urisë emocionale, dopamina kërkon “shpërblim”, jo ushqim. Trupi nuk ka nevojë për më shumë ushqim; ka nevojë për dëgjim dhe agjërim! Në momentin që e dëgjon, emocioni tretet dhe bashkë me të, edhe nevoja për të ngrënë pa arsye.
Portalb.mk: Në një treg ku dietat “magjike” dhe suplementet shiten si zgjidhje të shpejta, si mund të dallojë një person i zakonshëm çfarë është e shëndetshme dhe çfarë marketing?
Diola Dosti: Duke kërkuar burim, provë dhe qëllim. Burimi, kush e ka krijuar produktin. A është një mjek, një laborator i certifikuar, apo një kompani marketingu. Prova, a ka analiza laboratorike, referenca shkencore, dhe transparencë në përbërje? Qëllimi, a synon shërim afatgjatë apo efekt të menjëhershëm vizual? Në “Dr Botanica” kemi refuzuar dhjetëra formula që “shiten mirë”, sepse mungon kjo triadë e shenjtë: shkencë, standard, siguri. Shëndeti nuk mund të vijë nga një produkt që e ngarkon trupin me toksina kozmetike apo kimikate sintetike. Në fund, ajo që është e shëndetshme nuk ka nevojë të bërtasë por thjesht funksionon.
Portalb.mk: A ekziston ndonjë rregull i artë për të humbur peshë në mënyrë të qëndrueshme, pa dëmtuar trupin apo metabolizmin?
Diola Dosti: Po. Rregulli i artë është: mos e lufto trupin por mëso ta kuptosh. Trupi nuk ka problem me peshën; ka problem me stresin, inflamacionin dhe gjumin. Në nivel hormonal, pesha kontrollohet nga katër boshtet: tiroidja, insulina, kortizoli dhe leptina. Nëse këto katër janë në disbalancë, çdo dietë dështon. Në 15 vjet praktikë kam parë që njerëzit që fillojnë nga rregullimi i ritmit cirkadian, hidratimi, marrja e magnezit dhe kufizimi i ushqimit pas orës 19:00 humbin peshë pa përpjekje ekstreme. Në nutricionin kuantik themi: “Trupi nuk humbet peshë kur është në modul mbrojtjeje”. Ai duhet të ndiejë siguri për të lëshuar. Prandaj unë punoj më shumë me rikthimin e besimit në trup sesa me numrin e kalorive.
Portalb.mk: Në fund, cila është këshilla më e sinqertë që do t’i jepje dikujt që thotë: “Kam provuar gjithçka, por s’po dobësohem”?
Diola Dosti: Do t’i thoja: “Ndoshta ke provuar çdo dietë, por jo qetësinë”. Trupi nuk i bindet frikës, por frekues së dashurisë. Kur njeriu ha me faj, trupi ruan. Kur ha me mirënjohje, trupi çliron. Nuk është metafizikë por është fiziologji: ndjenjat pozitive aktivizojnë sistemin parasimpatik, rrisin tretjen, përmirësojnë qarkullimin dhe nxisin detoksifikimin hepatik. Në laboratorët ku studiojmë biofotone (dritën qelizore), shihet qartë se qelizat që ekspozohen ndaj fjalëve pozitive lëshojnë më shumë dritë sesa ato që ekspozohen ndaj stresit. Pra, ndoshta humbja e peshës fillon jo me dietën e radhës, por me faljen e vetes. Shkenca moderne e nutricionit po bashkohet me inteligjencën e lashtë të trupit. Në fund, nuk ushqehemi vetëm me proteina, yndyra apo karbohidrate por me energjinë që ato bartin. Dhe kur ushqimi, mendimi dhe fryma bashkohen në të njëjtin frekuencë, trupi nuk ka nevojë të kërkojë më shërim është kthyer tashmë në dritë.
