Dr. Kaltrina Zahiti: Për një trajtim më të përgjegjshëm të syve
Rekomandoj kontrolle të rregullta të fëmijëve, gjithsesi para hyrjes në shkollë. Shumë sëmundje mund të shërohen në qoftë se zbulohen me kohë The post Dr. Kaltrina Zahiti: Për një trajtim më të përgjegjshëm të syve appeared first on Albinfo.

Dr. Kaltrina Zahiti është mjeke e syve, oftalmologe. E lindur në Kosovë dhe e rritur në Austri, ajo ka bërë studimet, doktoratën dhe disa specializime në universitete të ndryshme të Gjermanisë dhe të Zvicrës. Aktualisht është pronare dhe udhëheqëse e dy ordinancave oftalmologjike në Zvicër, gjegjësisht në Biberist (Kantoni Solothurn) dhe Emmenbrücke (Kantoni Luzern).
Dr. Kaltrina flet për rrugën e saj të shkollimit e ngritjes në profesion, për përvojat e saj me pacientët në përgjithësi dhe ata shqiptarë, në veçanti, për nevojën që sytë të trajtohen në mënyrë profesionale etj.
Albinfo.ch: Në mesin e një numri në rritje të mjekëve shqiptarë në Zvicër, fitohet një përshtypje se janë ende të pakët specialistët e syve, oftalmologët. Cila mendoni se është arsyeja?
Dr. Kaltrina Zahiti: Është e vërtetë se nuk ka shumë oftalmologë shqiptarë. Një nga arsyet është me siguri edhe nga fakti se ofrohen më pak vende të specializimit në këtë fushë dhe fakti tjetër se kemi të bëjmë me një lëmë shumë specifike dhe të pavarur prej lëmenjve të tjerë.
Albinfo.ch: Na tregoni pak për rrugëtimin tuaj profesional të deritashëm.
Dr. Kaltrina Zahiti: E lindur në Kosovë, e rritur ne Austri, studimet e mjekësisë i kam mbaruar në Munih, në Gjermani. Gjatë studimeve kam bërë praktika të ndryshme në klinika oftalmologjike si në Reykjavik, Stockholm, Liverpool e Berlin. Kam mbaruar doktoratën në Munih pastaj specializimin në Zvicër, gjegjësisht në Klinikën Universitare të Bazelit dhe në klinikën e syve të Lucernit. Pas përfundimit të specializimit jam punësuar në ordinanca/klinika të ndryshme, si në Bazel, pastaj në Olten dhe në Willisau. Në vitin 2023 kam hapur ordinancën e parë në Biberist (Kt. Solothurn) (Augenzentrum Biberist) ndërsa në dhjetor të vitit 2024 kam hapur edhe ordinancën e dytë, atë në Emmenbrücke (Kt. Luzern) (Augenzentrum Emmen).
Albinfo.ch: Cili është fokusimi juaj konkret në kuadrin e oftalmologjisë?
Dr. Kaltrina Zahiti: Unë praktikoj mjekësi të përgjithshme të syve prej foshnjave deri te pacientët e moshuar.
Albinfo.ch: Ju keni dy ordinanca oftalmologjike. Na tregoni për to. Ku janë, çfarë i dallon njërën nga tjetra, respektivisht a ofrojnë shërbime të njëjta apo e plotësojnë njëra tjetrën? A keni edhe specialistë të tjerë që punojnë me ju?
Dr. Kaltrina Zahiti: Unë ofroj në të dy ordinancat shërbime të ngjashme, kontrolle oftalmologjike. Deri në kët moment punoj si e vetmja oftalmologe në të dy ordinancat dhe në këtë mënyrë siguroj që pacientët të kenë çdo herë të njëjtin mjek. Megjithatë, ndoshta në të ardhmen do të kem nevojë edhe për kolegë shtesë.
Albinfo.ch: Cilat janë shërbimet më të kërkuara nga pacientët, gjegjësisht për cilat shërbime drejtohen ata më shumë te ju?
Dr. Kaltrina Zahiti: Shërbimet më të kërkuara janë sigurisht kontrollet rutinore oftalmologjike, emergjenca të ndryshme dhe po ashtu kemi ditë të caktuara kur kontrollojmë sidomos fëmijët.
Albinfo.ch: Çfarë përvojash keni me pacientët shqiptarë? A kanë kulturë të duhur të mbrojtjes dhe të mjekimit të syve? A e shfrytëzojnë sa duhet mundësinë që u jepni të trajtohen në nivel të lartë në gjuhën amtare? Çfarë do t`i këshillonit ju ata?
Dr. Kaltrina Zahiti: Varësisht prej vendit ku kam punuar deri më tani, si në Biberist ashtu edhe Emmenbrücke, kam pasur mjaft pacientë shqiptarë. Ata tregohen shumë të kënaqur dhe falënderues që mund të shprehen të gjuhën shqipe. Besoj se për shumë pacientë është mjaft e rëndësishme të kuptojnë sëmundjet/ankesat e tyre, për të pasur një trajtim dhe shërim më të mirë. Në përgjithësi besoj se edhe më tutje shumë pacientë nuk janë të vetëdijshëm se kontrollet e rregullta të syve rekomandohen prej moshës 40 vjeçare.
Albinfo.ch: Nga përshkrimi i punës suaj lexuam se merreni në mënyrë specifike me diabetin, sigurisht, me implikimet që diabeti ka në shëndetin e syve. A na tregoni pak më në hollësi rreth kësaj ?
Dr. Kaltrina Zahiti: Sëmundje të ndryshme si p.sh. diabeti, reuma, pastaj sëmundje të ndryshme dermatologjike, shtypja e lartë e gjakut, sëmundjet onkologjike etj., kanë edhe lidhje me sy. Speficikisht pacientët me diabet duhet të kontrollohen së paku një herë në vit prej oftalmologut. Diabeti mund të shkaktojë sëmundje në sy që mund të shërohen në rast se zbulohen me kohë.
Albinfo.ch: A hyn në mesin e shërbimeve që ofroni ju edhe caktimi i nivelit të shikimit gjegjësisht porositja e syzeve, për të rritur dhe fëmijë? Cilat janë përvojat tuaja në këtë aspekt?
Dr. Kaltrina Zahiti: Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me mjekë të fëmijëve që na sjellin shumë fëmijë për kontrolle të syve. Te fëmijët është tepër e rëndësishme që të zbulohen sëmundjet ose të matet niveli i shikimit që herët për shkak se zhvillimi i shikimit te fëmijët përfundon në moshën 10-11 vjeçare. Për shembull, në rastet kur nuk zbulohet herët nevoja për syza (edhe nëse nuk ka ankesa nga fëmija) ata mund të kenë pamje të dëmtuar (reduktuar) për kohë të gjatë.
Albinfo.ch: Po këshillat që do t`ua jepnit pacientëve që kanë nevojë për syze? Çfarë duhet të kenë parasysh ata para se të vijnë tek ju?
Dr. Kaltrina Zahiti: Unë rekomandoj kontrolle të rregullta të fëmijëve, gjithsesi para hyrjes në shkollë si dhe të të rriturve prej moshës 40 vjeçare, për secilin pacient. Shumë sëmundje mund të shërohen në qoftë se zbulohen me kohë.
Dy ordinancat oftalmologjike në Zvicër të Dr Kaltrina Zahitit i gjeni në Biberist (Kantoni Solothurn) dhe Emmenbrücke (Kantoni Luzern):
Augenzentrum Biberist
Dr. Kaltrina Zahiti
Zentrumweg 6
4562 Biberist
032 326 72 27 27
www.augenzentrum-biberist.ch
Augenzentrum Emmen
Dr. Kaltrina Zahiti
Erlenstrasse 4
6020 Emmenbrücke
041 282 11 11
www.augenzentrum-emmen.ch
The post Dr. Kaltrina Zahiti: Për një trajtim më të përgjegjshëm të syve appeared first on Albinfo.