Dyert e mbyllura të Kuvendit, Administrata: Nuk kemi pranuar njoftim për seancë

Dyert e mbyllura të Kuvendit, Administrata: Nuk kemi pranuar njoftim për seancë

Administrata e Kuvendit të Kosovës ka dalë me njoftim lidhur me organizimin e seancës plenare për 16 gusht, pasi deputetët e PDK-së u paraqitën sot në Kuvend dhe kërkuan vazhdimin e seancës konstituive.

PDK i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje, si partia më e madhe, që seanca të vazhdonte sot nga ora 11:00. Deputetët e kësaj partie, megjithatë, i gjetën dyert e sallës së seancave plenare të mbyllura.

Në njoftimin e saj në Facebook, Administrata e Kuvendit ka sqaruar se për datën 16 gusht nuk ka pranuar njoftim zyrtar për organizimin dhe mbajtjen e një seance.

“Për rrjedhojë, nuk janë ndërmarrë veprimet përkatëse administrative, teknike dhe logjistike për organizimin e një seance të tillë”, thuhet në njoftim.
Administrata thekson se mungesa e njoftimit nuk përbën vendim politik dhe nuk paraqet qëndrim ndaj iniciativave të deputetëve apo grupeve parlamentare.

“Administrata ushtron kompetencat e saj në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe procedurat përkatëse, duke ofruar mbështetje profesionale dhe të barabartë për të gjithë deputetët. Me komunikimin zyrtar për mbajtjen e një seance, Administrata e Kuvendit do të ndërmarrë veprimet përkatëse dhe do të sigurojë mbështetjen administrative, teknike dhe logjistike në kuadër të kompetencave të saj”, thuhet në njoftim.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.