“E pashë prindin e ndjerë në listë votuese”, pse Drejtoria e Librave Amë dhe KSHZ-ja nuk mund të fshijnë të vdekurit nga fletëvotimet?

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ende figurojnë të vdekurit në listë zgjedhore. Qytetarët gjatë votimit në raundin e parë më 19 tetor alarmuan se kanë parë në listë prindërit e tyre që tashmë kanë ndërruar jetë. Portalb.mk, ka kontaktuar me Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve për marrë përgjigje në lidhje me këtë lëshim që përsëritet […]

“E pashë prindin e ndjerë në listë votuese”, pse Drejtoria e Librave Amë dhe KSHZ-ja nuk mund të fshijnë të vdekurit nga fletëvotimet?
Zgjedhje lokale 2025 (rrethi i parë) në RMV. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ende figurojnë të vdekurit në listë zgjedhore. Qytetarët gjatë votimit në raundin e parë më 19 tetor alarmuan se kanë parë në listë prindërit e tyre që tashmë kanë ndërruar jetë. Portalb.mk, ka kontaktuar me Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve për marrë përgjigje në lidhje me këtë lëshim që përsëritet në çdo palë zgjedhje.  

Gazetari German Filkov, në rrjete sociale alarmoi se prindi i tij edhe pse i ndjerë ende figuron në listën zgjedhore.  

“E pashë në foto, me emër e mbiemër. Kaq për KSHZ, kaq për zgjedhjet. Sa keq për miliona euro që na harxhojnë në emrin tonë, derisa nuk funksionon asgjë siç duhet”, shkroi Filkov.   

Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në përgjigjen e tyre për Portalb.mk zotohen se komisioni e mban dhe e përditëson Listën Zgjedhore në përputhje me nenin 41 të Ligjit për Zgjedhjet, dhe për këtë qëllim ka qasje në bazat e të dhënave të organeve shtetërore që disponojnë me regjistra të qytetarëve sipas bazave të ndryshme.  

Brenda kësaj kompetence, KSHZ kryen regjistrim, plotësim dhe fshirje në Listën Zgjedhore me iniciativë zyrtare, bazuar në të dhënat nga librat amë, evidencat për vendbanim dhe për shtetësinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut. 

Një nga bazat për fshirje nga Lista Zgjedhore është ndodhja e vdekjes së qytetarit. Sipas nenit 43, paragrafët 3 dhe 4 të Ligjit për Zgjedhjet, Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amë i dorëzon KSHZ-së të dhëna për qytetarët që kanë mbushur 18 vjeç dhe kanë ndërruar jetë. Këto të dhëna dërgohen në procedurë të rregullt katër herë në vit, ndërsa gjatë periudhës zgjedhore ato dorëzohen brenda 48 orëve nga dita e shpalljes së zgjedhjeve”, thonë nga KSHZ. 

Përveç informimit të rregullt nga Drejtoria për Mbajtjen e Librave Amë, sqarojnë tutje nga KSHZ, në rast se KSHZ-së i arrin ndonjë informacion për një person të ndjerë që ende figuron në Listën Zgjedhore, punonjësit e Sektorit për Listën Zgjedhore menjëherë i drejtohen Drejtorisë për Mbajtjen e Librave Amë, bëjnë verifikimin dhe veprojnë në përputhje me evidencën e saj.  

“Po ashtu, gjatë gjithë vitit, si dhe gjatë periudhës së shqyrtimit publik të listës, qytetarët mund të kërkojnë ndryshime të të dhënave në Listën Zgjedhore. Këtë mund ta bëjnë edhe partitë politike, brenda afateve të përcaktuara me Ligjin për Zgjedhjet”, thuhet në përgjigjen e KSHZ-së. 

Zgjedhje në Maqedoni, foto nga Fisnik Xhelili, Portalb.mk
Zgjedhje në Maqedoni, foto nga Fisnik Xhelili, Portalb.mk

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve topin e gjuan te Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amë:  

“KSHZ nuk ka kompetenca në pjesën e mbajtjes së evidencës amë dhe aktivitetet e veta për përditësimin e Listës Zgjedhore i bazon ekskluzivisht në të dhënat që i merr nga Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amë, si i vetmi institucion kompetent që disponon me të dhëna për të gjithë personat e ndjerë”. 

Nga Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amë, zotohen se drejtoria në pajtim me kompetencat ligjore, përpilon dhe dërgon në mënyrë të rregullt raportet për personat që kanë ndërruar jetë tek institucionet përkatëse, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Komisionin Shtetëror Zgjedhor.  

“Të dhënat për qytetarët që ndërrojnë jetë regjistrohen në librat amë të të vdekurve nga zyrat përkatëse komunale, dhe menjëherë pas përfundimit të procedurës së regjistrimit, ato përfshihen në sistemin elektronik të drejtorisë. Drejtoria i dërgon këto të dhëna në mënyrë periodike, zyrtarisht institucioneve kompetente, të cilat më pas janë përgjegjëse për përditësimin e sistemeve të tyre përkatëse (si në rastin e listës zgjedhore), tha për Portalb.mk drejtori Faton Fazliu.  

Sipas drejtorit Fazliu, në rastet kur vërehen mospërputhje, ato zakonisht ndodhin për shkak të vonesave në regjistrimin e të dhënave nga terreni ose në transferimin e informacionit ndërmjet institucioneve.  

“Drejtoria është duke punuar vazhdimisht për përmirësimin e këtij procesi përmes digjitalizimit dhe shkëmbimit më efikas të të dhënave ndërinstitucionale. Qëllimi ynë mbetet garantimi i saktësisë dhe përditësimit të të gjitha të dhënave që lidhen me statusin civil të qytetarëve” përfundoi Fazliu.  

Në zgjedhjet lokale, të drejtë vote kishin 1.832.415 qytetarë, të cilët mund të votonin në 3.474 vendvotime. Nga ky numër, në votime dolën 885.085 qytetarë, ndërsa 831.361 fletëvotime u shpallën të vlefshme. Sipas njoftimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime ishte 48,30%.