Gazetari Vudi Xhymshiti reagim publik: Njerëz të afërt me Ali Ahmetin e Nuri Bexhetin po pyesin për mua në Shkup e Tetovë

PRISHTINË / LONDËR – Gazetari kosovar Vudi Xhymshiti ka bërë një reagim të fortë publik përmes rrjeteve sociale, ku pretendon se persona të afërt me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, dhe Nuri Bexhetin kanë filluar të grumbullojnë informacione për të në Shkup dhe Tetovë.
Përmes një deklarate publike, Xhymshiti ka bërë të ditur se disa prej këtyre personave janë tashmë të njohur për redaksinë e tij dhe pretendohet se kanë lidhje me qarqe politike dhe të inteligjencës në Maqedoninë e Veriut, përfshirë Sasho Mijallkovin dhe Nikolla Gruevskin.
“Njerëz të afërt me Ali Ahmetin e Nuri Bexhetin kanë nisur të pyesin nëpër Shkup e Tetovë për emrin tim. Disa prej tyre janë emra mirë të njohur për redaksinë tonë. Ne i njohim edhe lidhjet e tyre të dyshuara me qarqet e Sasho Mijallkovit e Nikolla Gruevskin,” ka shkruar ai.
Gazetari, i cili vepron nga Desku i Hulumtimeve në Londër (“Kronikat e Barutit”), ka porositur ata që po interesohen për të që t’i drejtohen drejtpërdrejt redaksisë në vend se të pyesin “rrugëve”.
“Po ju dëgjojmë. Po ju shohim. Dhe po mbajmë shënime. Një ditë, do t’ju trokasim në derë, jo për t’ju pyetur për ne, por për t’ju kërkuar përgjigje në raport me gjetjet tona për ju. E vërteta nuk trembet prej atyre që interesohen se kush po e kërkon,” ka shtuar Xhymshiti.
Xhymshiti paralajmëroi se ekipi i tij hulumtues po vazhdon punën dhe se së shpejti do të publikojë gjetjet lidhur me këto çështje. (INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



