Vritet shqiptari në Itali, arrestohen dy italianë për ekzekutimin brutal

Vritet shqiptari në Itali, arrestohen dy italianë për ekzekutimin brutal

Dy shtetas italianë, 51 dhe 54 vjeç, janë arrestuar në Itali nën dyshimin për përfshirje në vrasjen e 35-vjeçarit shqiptar Ferdinant Hoti, trupi i të cilit u gjet më 8 shtator në një veturë të fundosur në kanalin Tergola, në provincën e Padovës.

Sipas televizionit publik italian Rai News, hetimet e karabinierëve kanë zbuluar se shqiptari dyshohet se ishte qëlluar me pushkë në fytyrë, nga një distancë e afërt. Autoritetet dyshojnë se krimi ishte i paramenduar dhe lidhej me konflikte në kuadër të trafikut të drogës në territorin e Venecias.

Trupi i Hotit ishte gjetur në ulëset e pasme të një veture Fiat Bravo pa targa, i mbështjellë me qese të zeza dhe i fshehur nën goma e materiale të tjera.

Një nga provat që ndihmoi hetuesit në identifikimin e të dyshuarve ishin gjurmët e gishtërinjve të gjetura në pjesën e pasme të veturës. Po ashtu, përmes analizimit të dhjetëra orëve të incizimeve të kamerave të sigurisë, policia arriti të rindërtojë lëvizjet e fundit të viktimës.

Pamjet treguan se Hoti kishte hyrë me veturë në një objekt industrial në Mirano, ku njëri nga të dyshuarit kishte në dispozicion një hapësirë të përdorur si punishte. Pas kësaj, ai nuk ishte shfaqur më në kamerat e sigurisë.

Gjatë hetimeve, dy të arrestuarit kanë bashkëpunuar me autoritetet dhe kanë ndihmuar në gjetjen e një pushke të kalibrit 12, e cila dyshohet se është përdorur në vrasje.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.