Haradinaj: S’ka rrugë të mesme, ose i gëzohesh dënimit si Serbia, ose e kundërshton atë me dinjitet si qytetar e shqiptar!

Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, ka reaguar pas dënimeve të shqiptuara nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka kritikuar atë që e cilëson si propagandë të dekurajimit ndaj qytetarëve që shprehin revoltën e tyre për vendimet e Hagës.
Ai ka përmendur edhe hipokrizinë e disa personave që në të kaluarën kanë protestuar për çështje të ndryshme në Shqipëri, ndërsa sot, sipas tij, i gëzohen kafazit të Çlirimtarëve në Hagë.
Haradinaj ka shkruar se kjo qasje synon relativizimin e luftës së UÇK-së dhe krijimin e një narrative që e ka dëmtuar Kosovën ndër vite.
“Sot nuk ka rrugë të mesme: ose i gëzohesh dënimit si Serbia, ose e kundërshton atë me dinjitet si qytetar e shqiptar”, ka shkruar Haradinaj.
Në fund të reagimit, ai ka theksuar rëndësinë e lirisë së shprehjes, duke iu drejtuar atyre që, sipas tij, janë në shërbim të kësaj agjende dashakeqe.
“Po lirisë së shprehjes, por JO e madhe për ju që jeni në shërbim të kësaj agjende dashakeqe. Marre për ju!”, ka përfunduar Haradinaj.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



