Një ditë me Haxhi Dautin dhe struganët e Nju Xhersit: Përplot histori suksesesh që frymëzojnë

Naser Pajaziti/Nju Jork
Kur udhëton drejt Nju Xhersit e kupton shpejt se historia e shqiptarëve në Amerikë përbëhet nga njerëz të thjeshtë me zemër të madhe.
Është një histori që ndjehet te shtrëngimi i ngrohtë i duarve dhe te ato biseda ku malli për vendlindjen ndërthuret natyrshëm me krenarinë e suksesit në tokën e premtuar.
Në selinë e Këshillit Shqiptaro-Amerikan (KSHA), derën ma çeli Haxhi Dauti – strugani i njohur që për më shumë se 40 vjet është shndërruar në zërin e patrembur të bashkatdhetarëve tanë këtu.
Të ecësh mes arkivave të KSHA-së është si të preksh me dorë diplomacinë tonë popullore: me mijëra letra e dokumente korrespondence nga koha kur nuk ekzistonte interneti, takime e përpjekje të pafundme me presidentë amerikanë, senatorë e kongresmenë.
Haxhiu ka qenë ai që u ka hapur dyert e Uashingtonit dhjetëra politikanëve e delegacioneve nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria e sidomos viteve të fundit nga Lugina e Preshevës.
“Për katër dekada me radhë, dera e këtij Këshilli ka qenë e hapur për çdo çështje që prek dinjitetin e shqiptarëve. Kemi luftuar me letra e takime atëherë kur pak kush na dëgjonte, dhe kjo arkivë është dëshmia se zëri ynë këtu nuk u ndal kurrë” , më tha Haxhiu.
E megjithatë, përveç politikës e diplomacisë, te ai jeton gjithmonë artisti. Këngëtari i mirënjohur, i cili thjesht nuk rri dot “rahat” pa muzikën, i është rikthyer fuqishëm me disa këngë të reja epike, duke sjellë risi mjaft të freskëta në rokun e tij karakteristik.
Gjatë këtij takimi, Këshilli kishte përgatitur një mirënjohje për mua, por surpriza më e veçantë ishte një simbolikë që të lë pa fjalë, një stilolaps zyrtar i Presidentit Donald Trump, dhuratë ekskluzive që e kishte nga Shtëpia e Bardhë. Një vlerësim për mua që të prek e të mbush me përgjegjësi.
Aty patëm kënaqësinë të bashkëbisedojmë edhe me Lirim Kabën, djalin nga Veleshta e Strugës, i cili sot shërben si oficer i lartë i policisë amerikane në New Jersey – i njohur nga të gjithë këtu si “Sherifi Shqiptar”.
“Për mua është nder që t’i shërbej komunitetit me uniformën e policisë amerikane. Ndjehem krenar që puna jonë respektohet lart nga amerikanët, sepse kështu nderojmë edhe prejardhjen tonë”, u shpreh Lirimi.
Pasditja vijoi me kolegun Faton Arifi në restorantin e struganit Fitni Kaba, ku pranë tij në staf punon edhe i vëllai, që ishin shumë mikpritës.
Mes bisedave të ngrohta, Fitniu si shok fëmijërie i Haxhi Dautit na tregoi një fotografi mjaft prekëse nga viti 1976, kur si një djalosh 16-vjeçar, ai kishte vizatuar vetë me dorë portretin e Skënderbeut në bluzën e tij, në një kohë kur një veprim i tillë në vendlindje mund të të kushtonte lirinë.
“Këtë fotografi e ruaj si gjënë më të shtrenjtë. Ndonëse jetojmë prej dekadash në Amerikë, lidhja me Strugën dhe rrënjët tona mbetet e palëkundur”, rrëfeu ai.
Meqë dita iku shpejt, ngela pa takuar kësaj radhe qendrën e komunitetit dhe drejtuesit e saj nga të cilët kisha një ftesë të ngrohtë. Rrugëtimi im u rikthye drejt Nju Jorkut, te apartamenti që më hapi dyert bujarisht Zikri Meta. Një tjetër strugan i dëshmuar dhe veprimtar i dalluar si anëtar i bordit të LQSHA-së, i cili që nga takimi ynë i parë në Shkup më pat thënë me zemër të hapur: “Derën e ke të hapur dhe rri në Nju Jork sa të duash!”
Mbylla këtë ditë me një ndjesi të ngrohtë në shpirt dhe me mirënjohje të thellë për pritjen nga gjithë ata bashkëatdhetarë që me punë e bujari mbajnë gjallë emrin e shqiptarit në Amerikë.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



