Hetim për grabitje në një artari në Gostivar, dy të dyshuarit e arrestuar janë policë nga Kërçova

Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër dy personave, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë si bashkëpunëtorë në kryerjen e një vepre penale – Grabitje sipas nenit 237, paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, njoftoi Prokuroria, transmeton Portalb.mk. Të dyshuarit, më 10 tetor, […]

Hetim për grabitje në një artari në Gostivar, dy të dyshuarit e arrestuar janë policë nga Kërçova
Prokuroria Themelore Publike, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër dy personave, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë si bashkëpunëtorë në kryerjen e një vepre penale – Grabitje sipas nenit 237, paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, njoftoi Prokuroria, transmeton Portalb.mk.

Të dyshuarit, më 10 tetor, së bashku me persona të tjerë aktualisht të panjohur, kanë hyrë në një artari në Gostivar dhe me forcë dhe kërcënim me armë zjarri kanë marrë 18 kilogramë ar. Dy të dyshuarit janë policë nga Departamenti i Punëve të Brendshme të Kërçovës, të cilët janë dakorduar dhe kanë bërë plan për grabitjen së bashku me persona të tjerë për të cilët po ndërmerren veprime intensive kërkimore.

Të dyshuarit kanë marrë pjesë në përgatitje duke vëzhguar vendndodhjen dhe punën e artarisë dy ditë para grabitjes. Po atë ditë, ata kanë përdorur një automjet zyrtar të Ministrisë së Brendshme për të siguruar rrugën e dy automjeteve të përdorura për grabitjen në Gostivar, njëri prej të cilëve u gjet më vonë i djegur në autostradën Gostivar-Dibër, ndërsa tjetri u gjet i braktisur në Kërçovë, pranë tregut të bagëtive.

Prokurori publik i paraqiti propozim gjyqtarit të procedurës paraprake për të përcaktuar masën e paraburgimit për të dyshuarit, për shkak se ekziston rreziku i arratisjes, mundësia e pengimit të procedurës duke fshehur provat dhe duke ndikuar te dëshmitarët, si dhe rreziku i përsëritjes së krimit.