“Investime në Ballkanin Perëndimor deri në 4 miliardë euro”, von der Leyen nga Tirana: Jeni në rrugën e duhur për t’u bërë pjesë e BE-së
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha sot se falë marrëveshjeve që do nënshkruhen në Tiranë gjatë Forumit të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, rajoni mund të marrë deri në 4 miliardë euro investime, transmeton Top Channel. Duke folur nga Tirana, ajo tha se mesazhi për biznesin është se kush ka zgjedhur Ballkanin Perëndimor për […]


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha sot se falë marrëveshjeve që do nënshkruhen në Tiranë gjatë Forumit të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, rajoni mund të marrë deri në 4 miliardë euro investime, transmeton Top Channel.
Duke folur nga Tirana, ajo tha se mesazhi për biznesin është se kush ka zgjedhur Ballkanin Perëndimor për të investuar, ka zgjedhur Evropën.
“Për pak momente do të nënshkruajmë 10 marrëveshje të biznesi. Nesër do të diskutoni 24 investime të tjera, së bashku ato mund të sjellin më shumë se 4 miliardë euro në rajon. Kjo do të jetë një nxitje masive në të gjithë rajonin. Çfarë e bën kaq të veçantë këtë forum, nuk është vetëm madhësia e investimeve. Po çelim disa iniciativë thelbësore ekonomike tonat për ju. Sot po përçojmë një sinjal të qartë për biznesin: nëse zgjidhni Ballkanin Perëndimor, zgjidhni Evropën”, tha von der Leyen.
Sipas saj “një vit më parë erdha në Shqipëri me një zotim: qytetarët e Ballkanit Perëndimor do të nisnin të përjetonit BE-në në jetën e përditshme. Pas një viti ka ndodhur kështu. Më kujtohet shumë mirë Edi kur më the që “Shqipëria do të bëhet pjesë e SEPA”. Shërbimet e mia thanë që duhet të bëhej shumë kohë nga ju, por për më pak se dy vjet e bëtë realitet. Që javën e shkuar kompanitë në Shqipëri mund të dërgojnë para në BE dhe të marrin para që andej me kosto shumë të ulët. Ambasadori im këtu më tha që donte të merrte para në Tiranë dhe i duhej të priste 3-4 ditë dhe kosto ishte 50 euro. Në 8 tetor e provoi sërish, dërgesa u bë në pak minuta dhe pa asnjë kosto”.
“Falë punës së madhe të udhëheqësve si ju Edi, ky ndryshim po ndodh këtu dhe tani. Ky shembull është provë e një fakti të thjeshtë, Ballkani Perëndimor është në rrugën për tu bërë pjesë e BE-së. Të gjitha vendet që janë bërë pjesë e BE-së, kanë përfituar rritje ekonomike. Në Kroaci papunësia u ul nga 17% në 4% vetëm në një dekadë. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Ballkanin Perëndimor. Ekonomitë tuaja janë të prirura të rriten me shpejtësi. Ne e miratuam planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor për këtë arsye”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sot filloi turneun e saj tre-ditor në rajonin e Ballkanit Perëndimor nga Tirana, ku do të mbërrijë në Shkup të mërkurën. Siç njofton Komisioni Evropian, gjatë qëndrimit të saj në Shkup, Von der Leyen do të takohet me presidenten Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska-Davkova, kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin e Parlamentit, Afrim Gashi, të mërkurën pasdite.
Sot pasdite, Von der Leyen do të udhëtojë për në Tivat, ku do të takohet me presidentin e Malit të Zi Jakov Milanoviq dhe kryeministrin Milojko Spajiq, dhe nesër do të marrë pjesë në Konferencën e Investimeve për një të Ardhme të Mençur dhe të Gjelbër.
Nga Tivati, Von der Leyen do të udhëtojë nesër për në Sarajevë për takime me anëtarët e presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Krshto, pas të cilave do të vizitojë edhe Qendrën Memoriale të Srebrenicës.
Von der Leyen do të udhëtojë nga Bosnja dhe Hercegovina për në Beograd, ku të mërkurën në mëngjes do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrin Gjuro Macut, pas të cilave do të udhëtojë për në Prishtinë për takime me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti.
Nga Prishtina, Von der Leyen do të mbërrijë në Shkup të mërkurën pasdite, që do të jetë ndalesa e fundit e turneut të saj në Ballkanin Perëndimor.