Ish-koloneli i FSK-së: “Defender Europe 2025” – Mesazh i fuqishëm i bashkimit ushtarak dhe politik me SHBA-në dhe NATO-n

Ish-koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli, për FrontOnline ka vlerësuar me emocione të forta stërvitjen ndërkombëtare “Defender Europe 2025” , duke e cilësuar si një ngjarje historike për Kosovën dhe një dëshmi të forcimit të partneritetit me SHBA-në dhe NATO-n.  “A ka ditë më të bukur se sot, në ditën kur dy ushtritë tona

Ish-koloneli i FSK-së: “Defender Europe 2025” – Mesazh i fuqishëm i bashkimit ushtarak dhe politik me SHBA-në dhe NATO-n


Ish-koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli, për FrontOnline ka vlerësuar me emocione të forta stërvitjen ndërkombëtare “Defender Europe 2025”, duke e cilësuar si një ngjarje historike për Kosovën dhe një dëshmi të forcimit të partneritetit me SHBA-në dhe NATO-n.

 “A ka ditë më të bukur se sot, në ditën kur dy ushtritë tona – Kosovës dhe Shqipërisë – janë të rreshtuara së bashku me ushtrinë amerikane në rreshta dhe kolona, në ushtrime për betejat për mbrojtje të lirisë sonë dhe lirisë së popujve të tjerë?!”, shprehet ai.

Sipas tij, “ky ushtrim është tregues i qartë se jemi në shekullin e forcimit të ushtrive tona në mbrojtje të lirisë në vendin tonë dhe kudo në botë”, duke theksuar rëndësinë shumëdimensionale të këtij angazhimi ndërkombëtar për Kosovën.

Ai nënvizon se ky ushtrim ka rëndësi të veçantë për Kosovën në rrafshin gjeopolitik dhe të sigurisë.

“Së pari, mesazh për hordhitë e Serbisë dhe Rusisë se liria e Kosovës mbrohet nga Kosova, Amerika dhe e tërë NATO. Së dyti, përzgjedhja e Kosovës si territor për mbajtjen e ushtrimit është mesazh edhe për disa vende të NATO-s që ende s’e kanë njohur Kosovën, dhe se ato duhet të pranojnë se Kosova ka rrugëtimin e saj të sigurt drejt NATO-s.”

Në aspektin ushtarak dhe operacional, ish-koloneli thekson rëndësinë që ka ky ushtrim për zhvillimin profesional të FSK-së.

“Në aspektin profesional FSK do t’i testojë njësitet e saj në ushtrim praktik fushor, sistemet e saj të komunikimit, sistemet e armëve dhe çka është më e rëndësishme ndërveprimi i njësive tona me ato të NATO-s, që hap rrugë në të ardhmen që FSK të jetë pjesë e misioneve të NATO-s kudo në botë.” shtoi ai.

Ai e konsideron këtë përfshirje të Kosovës si një privilegj të rrallë dhe dhuratë të pazëvendësueshme nga aleatët.

“Uroj që këtë mesazh të dhënë nga Amerika ta kuptojmë si dhuratë që veç Zoti dhe Amerika din t’ia japin Kosovës.” deklaroi ai.

Duke i drejtuar një thirrje të qartë politikës vendore për ta kuptuar drejt këtë momentum.

“Uroj që edhe kushdo që është në pushtet në Kosovë ta kuptojë mirë, se rruga e vetme e Kosovës është rruga në të cilën kemi bashkudhëtar Amerikën.” u shpreh ai.

Në fund, ai shpreh edhe një emocion personal, duke kujtuar rolin e tij të kaluar në FSK.

“Ndihem pak xheloz për kolegët e mi që sot fillojnë ushtrimin. Zoti qoftë në krahët e ushtarëve tanë. E di që ata do të na bëjnë krenar.” përfundoi Veseli.