BE-ja: Kallas e gatshme të presë së shpejti një takim të nivelit të lartë Kosovë–Serbi

Bashkimi Evropian ka përsëritur gatishmërinë për organizimin e një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi, por nuk ka bërë të ditur ndonjë datë për zhvillimin e tij.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka thënë se përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë për të pritur një takim të tillë.
“Siç ka thënë vazhdimisht përfaqësuesja e lartë Kallas, ajo është e gatshme të presë së shpejti një takim të nivelit të lartë. Çdo takim të ardhshëm do ta njoftojmë me kohë”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të Komisionit Evropian, dhënë për Kallxo
Përgjigjja e BE-së vjen në kohën kur Kosova ka hyrë në një fazë të re institucionale, pas konstituimit të institucioneve të reja, duke rikthyer vëmendjen te mundësitë për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Ndërkohë, Serbia është në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit.
Megjithatë, Komisioni Evropian nuk ka dhënë detaje për datën e mundshme të takimit, apo përgatitjet konkrete për mbajtjen e tij.
Dialogu Kosovë–Serbi ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ndërsa takimet e nivelit të lartë synojnë avancimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Për këtë çështje, në një intervstë për Kallxo.com, profesori dhe bashkëpunëtori i lartë në Institutin për Politikë të Jashtme të Universitetit Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka vlerësuar se përparimi në procesin e dialogut varet nga ndryshimi i qasjes së Bashkimit Evropian, duke theksuar se nuk mund të ketë rezultate nëse kërkesat vazhdojnë të drejtohen vetëm ndaj Kosovës.
“Nëse Brukseli vazhdon t’i japë përparësi Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pa kërkuar asgjë në këmbim nga Serbia për Kosovën, dialogu do të vazhdojë të mos çojë askund”, thotë Serwer.
Ai thotë se dinamika e dialogut do të varet nga mënyra se si BE-ja do t’i trajtojë zotimet e të dyja palëve. Sipas tij, nëse Brukseli vazhdon t’i kërkojë gjithçka Kosovës dhe asgjë Serbisë, takimet e nivelit të lartë nuk do të prodhojnë rezultate konkrete.
Profesori vlerëson se Asociacioni mund të jetë i pranueshëm për Kosovën vetëm pasi të eliminohen kërcënimet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të saj, mundësisht përmes njohjes diplomatike nga Serbia.
Ai konsideron se Asociacioni duhet të mos jetë prioritet derisa Serbia të jetë e gatshme ta njohë Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur.
“Po, besoj se Bashkimi Evropian nuk duhet të këmbëngulë në Asociacionin, por duhet të punojë në çështje të tjera derisa Serbia të jetë e gatshme ta njohë Kosovën. Marrja e nënshkrimit të Serbisë në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mund të jetë pikënisja e duhur”– tha ai.
Sa u përket hapave të ardhshëm, Serwer propozon që fokusi të jetë te zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese, përfshirë Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve të vitit 2023 dhe aneksin e saj të zbatimit. Si pikënisje për fazën e ardhshme të dialogut, ai sugjeron sigurimin e nënshkrimit të Serbisë në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve.
Takimi i fundit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe Aleksandar Vuçiqit, u mbajt më 14 shtator 2023 në Bruksel, por përfundoi pa ndonjë përparim të prekshëm.
Kallas, ndërkaq, ka theksuar më herët nevojën për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar që ky proces të ecë paralelisht me përparimin e të dyja vendeve drejt Bashkimit Evropian.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X më 22.09.2026, Kallas ka bërë të ditur se është takuar me Vuçiqin, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilët ka diskutuar nevojën për përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve dhe avancimi në rrugën drejt BE-së duhet të ecin paralelisht”– ka shkruar Kallas.
Ajo ka rikujtuar se marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, janë detyruese për palët.
“Zbatimi i tyre nuk është një favor ndaj Brukselit, por një detyrim ndaj qytetarëve të tyre dhe një rajoni që pret marrëdhënie normale”– ka theksuar Kallas.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së ka thënë se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë ndërmjetësues i paanshëm, por ka nënvizuar se ndërmjetësimi nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik në Prishtinë dhe Beograd.
“Është koha për të ecur përpara”– ka përfunduar ajo.
The post BE-ja: Kallas e gatshme të presë së shpejti një takim të nivelit të lartë Kosovë–Serbi appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



