Kaosi me mbeturinat: Qeveria e urdhëroi MPB-në dhe inspektoratet për kontroll të jashtëzakonshëm në Qytetin e Shkupt dhe Higjienën Komunale

Në lidhje me problemin e mbledhjes dhe transportimit të mbeturinave komunale në territorin e Qytetit të Shkupit, Qeveria në mbledhjen e sotme obligon Inspektoratin Shtetëror Komunal, Inspektoratin Shtetëror për Mjedisin Jetësor, Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor dhe Institutin e Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, sipas kompetencave të tyre ligjore, që […]

Kaosi me mbeturinat: Qeveria e urdhëroi MPB-në dhe inspektoratet për kontroll të jashtëzakonshëm në Qytetin e Shkupt dhe Higjienën Komunale
Mbeturina në Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (tetor 2025)

Në lidhje me problemin e mbledhjes dhe transportimit të mbeturinave komunale në territorin e Qytetit të Shkupit, Qeveria në mbledhjen e sotme obligon Inspektoratin Shtetëror Komunal, Inspektoratin Shtetëror për Mjedisin Jetësor, Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor dhe Institutin e Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, sipas kompetencave të tyre ligjore, që menjëherë të fillojnë mbikëqyrje të koordinuar inspektuese të jashtëzakonshme në territorin e Qytetit të Shkupit, me qëllim të konstatimit të situatës me mbeturinat komunale dhe lloje të tjera të mbeturinave dhe ndërmarrjen e masave dhe veprimeve të përshtatshme, transmeton Portalb.mk.

“Gjithashtu, obligohet edhe Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ndërsa u bën thirrje sektorit të inspektoratit të Qytetit të Shkupit, që të veprojnë sipas kompetencave ligjore dhe të shqyrtojnë punën e NP Higjiena Komunale-Shkup dhe të kryetarit të Qytetit të Shkupit lidhur me mosmbledhjen e mbeturinave komunale, e cila shkakton rrezik për shëndetin e njerëzve.

Situata është alarmante dhe megjithëse kompetenca është e Qytetit të Shkupit, për shkak të mosveprimit të vazhdueshëm, i bëjmë thirrje institucioneve të veprojnë menjëherë sipas konkluzave të Qeverisë”, thonë nga Qeveria.

Mbeturina në Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (tetor 2025)
Mbeturina në Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (tetor 2025)

Çështja e mbeturinave në Shkup, shpesh ka qenë shpesh shkak i përplasjes mes Qeverisë dhe Qytetit të Shkupit, të udhëhequr nga Danella Arsovska.

Vitin e kaluar madje, mosmarrëveshjet mes Qeverisë dhe Qytetit të Shkupit, kulmuan pas takimit të mbajtur në gusht në mes të kryeministrit Hristijan Mickoski, ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski dhe kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.

Para fillimit të vitit shkollor qyteti ishte lënë në mëshirë të fatit. Në vend të zgjidhjes së problemeve me transportin publik, funksionimit të ndërmarrjeve publike dhe plehrave në të cilat po mbytet qyteti, të dyja palët vazhdonin të akuzojnë njëra-tjetrën, pa plane konkrete se si të gjejnë zgjidhje për problemet e shumta në të cilat kryeqyteti po fundoset.

Përndryshe, në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2024 janë krijuar rreth 790 mijë ton mbeturina komunale, ndërsa sasia e grumbulluar ka arritur 637 mijë ton, ashtu që 85.8 përqind e mbeturinave të grumbulluara janë përzierje komunale.

“Sasia e përgjithshme e mbeturinave komunale të krijuara në vitin 2024 është 790 866 ton. Sasia vjetore e mbeturinave komunale të krijuara për kokë banori në vitin 2024 është 438 kg, që është për 12.9% më pak krahasuar me vitin paraprak”, raportoi në prill Enti Shtetëror i Statistikave.

Gjatë vitit të fundit ishin grumbulluar gjithsej 637 471 ton mbeturina komunale, apo 2.5 përqind më shumë sesa gjatë vitit 2023.

“Nga sasia e përgjithshme e mbeturinave komunale të grumbulluara, 535 606 ose 84% janë grumbulluar nga ekonomitë familjare, ndërsa pjesa e mbetur, prej 16% prej personave fizik dhe juridik (mbeturina komerciale)”, njoftoi Enti.

Më së shumti mbeturina janë grumbulluar në Rajonin e Shkupit (28.4 %).