Karburantet shtrenjtohen në Zvicër, në Ticino kërkohen masa urgjente

Karburantet shtrenjtohen në Zvicër, në Ticino kërkohen masa urgjente

Lega dei Ticinesi ka kërkuar masa urgjente në nivel kantonal për mbrojtjen e fuqisë blerëse të qytetarëve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Koordinatori i kësaj partie, Daniele Piccaluga, ka dorëzuar një mocion në Këshillin e Shtetit të Ticinos.

Sipas mocionit, rritja e çmimeve të karburanteve po ndikon drejtpërdrejt në buxhetet familjare, veçanërisht te personat që janë të detyruar ta përdorin makinën për të shkuar në punë. Në të njëjtën kohë, kostot më të larta prekin edhe zejtarët, transportuesit, tregtarët, shërbimet e dërgesave dhe bizneset e tjera që varen nga automjetet për aktivitetin e tyre të përditshëm, transmeton albinfo.ch.

Ndër masat e propozuara është përshtatja e zbritjeve tatimore kantonale për shpenzimet profesionale të transportit, në mënyrë që ato të reflektojnë më mirë kostot e punëtorëve që duhet të përdorin automjetin privat.

Gjithashtu propozohet një zbritje shtesë ose kredi tatimore, të paktën përkohësisht, për punëtorët me të ardhura të ulëta dhe të mesme që varen nga makina për të shkuar në vendin e punës. Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme më të ekspozuara ndaj rritjes së çmimeve të karburanteve kërkohen masa fiskale ose mbështetje të synuar.

Në mocion kërkohet gjithashtu të shqyrtohet mundësia e uljes së përkohshme dhe selektive të taksës së qarkullimit për kategoritë profesionale më të prekura. Një tjetër propozim është monitorimi i rregullt i çmimeve të karburanteve në Ticino dhe krahasimi i tyre me kantonet e tjera zvicerane dhe rajonet kufitare të Italisë.

Autoritetet kantonale kërkohen gjithashtu të ushtrojnë presion në nivel federal që, në periudha me rritje të jashtëzakonshme të çmimeve, të shqyrtohet ulja ose kompensimi i përkohshëm i barrës fiskale federale mbi karburantet.

Debati vjen në një periudhë kur çmimet e karburanteve janë rritur ndjeshëm në gjithë Zvicrën. Sipas të dhënave të TCS të raportuara nga mediat zvicerane, çmimi mesatar i dizelit ka arritur në 2.41 franga për litër, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 2.30 frangash të regjistruar në vitin 2022. Benzina pa plumb 95 ka arritur ndërkohë rreth 2.10 franga për litër.

Ndër faktorët që po ndikojnë në çmime përmenden problemet në rafinerinë e Cressierit, niveli i ulët i Rinit që ka rritur ndjeshëm kostot e transportit dhe tensionet gjeopolitike.

The post Karburantet shtrenjtohen në Zvicër, në Ticino kërkohen masa urgjente appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.