Kasami u distancua nga kandidati i VLEN-it në Bërvenicë pas qortimeve të Mickoskit

Pas qortimeve publike nga kryeministri Hristijan Mickoski, njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami është distancuar nga kandidati i tyre për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Haqim Ramadani, i cili bëri thirrje që në rrethin e dytë të shqiptarët të bashkohen dhe të fitojë ai kundrejt kandidatit t VMRO-DPMNE-së, Jovica Ilievvskit, shkruan Portalb.mk.  Në një […]

Kasami u distancua nga kandidati i VLEN-it në Bërvenicë pas qortimeve të Mickoskit
Haqim Ramadani, Bilall Kasami, Izet Mexhiti. Foto nga profili në Facebook i Haqim Ramadanit.

Pas qortimeve publike nga kryeministri Hristijan Mickoski, njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami është distancuar nga kandidati i tyre për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Haqim Ramadani, i cili bëri thirrje që në rrethin e dytë të shqiptarët të bashkohen dhe të fitojë ai kundrejt kandidatit t VMRO-DPMNE-së, Jovica Ilievvskit, shkruan Portalb.mk. 

Në një intervistë për Alsat, Kasami tha se nuk mund të qëndrojë pas deklaratave që thirrin në ndarje etnike. 

“Është në kontekstin e zgjedhjeve lokale edhe deklarimet e kandidatit në fjalë janë deklarime personale, qëndrime të tij, edhe këtu ne si VLEN e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë, në një komunë dhe në një komunitet multietnik nuk do kisha menduar se është strategjia më e mirë ndarja etnike, ne nuk duhet të bashkohemi te ndarjet etnike por duhet të bashkohemi te vizioni jonë për zhvillim për ndërtim dhe për shërbim ndaj qytetarëve. Vlerësoj se në këtë rast se qëndrimet e kandidatit të Komunës së Bërvenicës janë qëndrime të tij dhe unë si kryetar i Komunës së Tetovës që përfaqësoj gjithë qytetarët edhe të komunitetit maqedonas, rom, turk edhe të shumicës shqiptare, nuk mund të qëndroj pas deklarimeve të cilat thirrin në ndarje etnike”, tha Kasami. 

Kjo deklaratë e Kasamit vjen pikërisht pasi kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski e qortoi dhe e kërcënoi VLEN-in publikisht, ndërsa në një deklaratë tjetër ai tha se kanë biseduar me Kasamin se si të sillet.

“Po, unë jam takuar me Bilall Kasamin, kemi biseduar. Dhe mendoj që ai tashmë ka filluar t’i dërgojë ata deklarata të vërteta që duhet t’i plotësojë një kryetar i një Tetove multientike”, tha mes tjerash Mickoski. 

Në ndërkohë, mbrëmë kandidati për kryetar të Komunës së Bërvenicës nga VLEN, Haqim Ramadani paralajmëroi tubim qendror në fshatin Çellopek të Epërm, ku mes tjerash tha se “për qëllime të unifikimit u ndalohet ardhja e të gjithë funksionarëve të AKI-së dhe VLEN-it, ky tubim do të jetë vetëm me banorët e Komunës së Bërvenicës dhe me askënd tjetër”. 

Ditë më parë, në një nga tubimet në diasporë, Ramadani, kandidat i VLEN-it, tha se Komuna e Bërvenicës duhet të fitohet nga një shqiptar, pasi ky komunitet është shumicë në këtë komunë.

Megjithatë, këtë deklaratë kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski e ka cilësuar si gabim të madh i cili do të sjellë pasoja edhe për Ramadanin si drejtor i Inspektoratit të Vetëqeverisjes Lokale, por edhe për koalicionin VLEN. 

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, në Komunën e Bërvenicës jetojnë 13,645 banorë nga të cilët 7,377 janë shqiptarë dhe 5,715 maqedonas. 

Para disa ditëve, Bilall Kasami nga VLEN në një media në Shqipëri tha se në rrethin e dytë në Kërçovë do ta përkrahin kandidatin shqiptar, Fatmir Deharin nga AKI-ja përballë kandidatit të VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Jovanovskit, edhe kjo nxiti reagime të ashpra nga VMRO-ja me të cilën VLEN janë partnerë koalicioni në qeveri. Megjithatë, Kasami më pas e cilësoi se deklarata e tij është keqinterpretuar. 

Ndryshe, rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më dy nëntor.