Prokuroria ngriti aktakuzë për aksidentin me vdekjen e një punëtori në lumin Vardar

Prokuroria Themelore Publike e Kavadarit ngriti aktakuzë kundër një të dyshuari nga Negotina për krime të rënda kundër sigurisë publike sipas nenit 292, paragrafi 2 në lidhje me nenin 288, paragrafi 2, dhe për shkaktim të rrezikut publik sipas nenit 288, paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 2, kërkohet përgjegjësi edhe nga personi juridik ku […]

Prokuroria ngriti aktakuzë për aksidentin me vdekjen e një punëtori në lumin Vardar
Lumi Vardar Shkup. Foto: Portalb.mk

Prokuroria Themelore Publike e Kavadarit ngriti aktakuzë kundër një të dyshuari nga Negotina për krime të rënda kundër sigurisë publike sipas nenit 292, paragrafi 2 në lidhje me nenin 288, paragrafi 2, dhe për shkaktim të rrezikut publik sipas nenit 288, paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 2, kërkohet përgjegjësi edhe nga personi juridik ku i pandehuri është pronar dhe menaxher, transmeton Portalb.mk.

Prokuroria kreu hetim për një ngjarje nga 21 korriku 2021, kur menaxheri i pandehur dhe personi juridik, gjatë kryerjes së punimeve në vendpunishten pranë lumit Vardar, nuk vepruan fare në përputhje me rregulloret dhe masat mbrojtëse, shkelën Ligjin për Marrëdhënie Pune dhe Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, dhe si rezultat, një punëtor humbi jetën, ndërsa një tjetër pësoi lëndime trupore.

Pa lidhur kontratë pune, pa kontrolluar fare nëse i dëmtuari i plotëson kushtet për vendin e punës, si dhe pa i siguruar atij kushte për kryerjen e sigurt të detyrave të punës, menaxheri e punësoi të ndjerin Petar Micev dhe i lejoi të drejtonte një automjet të rëndë motorik – një kamion në vendpunishte, pa kontrolluar nëse ai kishte patentë shoferi përkatëse për llojin e specifikuar të automjetit.

Më 21.07.2021, i dëmtuari po transportonte rërë nga lumi Vardar në vendpunishten në vendin e quajtur “Pumpite” me kamionin në pronësi të personit juridik, dhe i dëmtuari tjetër ishte gjithashtu në kamion si bashkëdrejtues. Duke kaluar nëpër një shteg të improvizuar, përkatësisht një argjinaturë të ngushtë zhavorri me rrjedhën e Vardarit nga të dyja anët, në një moment kamioni u përmbys dhe ra në lumë. Bashkëdrejtuesi arriti të dilte nga dritarja e automjetit dhe të notonte deri në breg, duke marrë lëndime trupore, ndërsa shoferi mbeti i bllokuar nën automjet dhe vdiq.

Gjatë hetimit, prokurori publik siguroi prova edhe kundër një punonjësi të ShA “Vodostopanstvo i RMV-së” Dega Tikvesh-Kavadar, i cili në cilësinë e tij si zyrtar – operator i prizave kryesore/portave të kanaleve dhe përfaqësues përgjegjës i kompanisë ishte i pranishëm në vendpunishte dhe me nënshkrimin e tij zyrtar vërtetoi disa dërgesa me përmbajtje të rreme. Prandaj, ky i pandehur akuzohet për kryerjen e një vepre penale të vazhdueshme – Falsifikim i një dokumenti zyrtar sipas nenit 361, paragrafi 1 i Kodit Penal.