Kievi, sërish nën sulm masiv me dronë nga Rusia/ Të paktën dy të vrarë dhe 13 të plagosur
Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi është goditur përsëri gjatë natës nga një sulm masiv me dronë rusë, njoftojnë autoritetet lokale. Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe 13 të tjerë janë plagosur, ndërsa zjarre të shumta janë përhapur nëpër qytet. Sipas autoriteteve, mbetjet e një droni kanë rënë mbi çatinë e një ndërtese banimi në [...]Read More...

Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi është goditur përsëri gjatë natës nga një sulm masiv me dronë rusë, njoftojnë autoritetet lokale. Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe 13 të tjerë janë plagosur, ndërsa zjarre të shumta janë përhapur nëpër qytet.
Sipas autoriteteve, mbetjet e një droni kanë rënë mbi çatinë e një ndërtese banimi në lagjen qendrore Shevchenkivskiy. Pamje të publikuara në rrjetet sociale – ende të pa verifikuara nga BBC tregojnë shpërthime në qiellin e natës, ndërsa njësitë e mbrojtjes ajrore përpiqen të zmbrapsin sulmin. Ushtria ukrainase ka paralajmëruar gjithashtu për rrezikun e një sulmi me raketë balistike.
Të martën mbrëma, Ukraina raportoi sulmin ajror më të madh të Rusisë deri më sot, ku 728 dronë dhe 13 raketa lundruese ose balistike goditën qytete të ndryshme në disa valë.
Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, administrata ushtarake e Kiev-it raportoi se qyteti ishte në shënjestër në gjashtë rajone të ndryshme.
“Ndërtesa banimi, automjete, depo, zyra dhe godina të tjera jo-rezidenciale janë në flakë,” shkroi në Telegram kreu i administratës, Tymur Tkachenko. “Fatkeqësisht, kemi dy të vdekur. Këta njerëz u vranë nga rusët. Është një humbje e tmerrshme.”
Banorët e qytetit janë këshilluar të qëndrojnë në strehimore derisa të mbarojë alarmi ajror dhe, pas kthimit në banesat e tyre, të mbajnë dritaret mbyllur për shkak të sasisë së madhe të tymit në qytet.
Forcat ajrore të Ukrainës njoftuan për rrezik të sulmeve me dronë edhe në rajone të tjera të vendit, por ende nuk ka informacion të qartë për viktima jashtë kryeqytetit.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk ka komentuar ende mbi këto sulme të fundit.