Kolumbi/ Arrestohet organizatori i dyshuar i atentatit ndaj kandidatit për president

Policia kolumbiane ka arrestuar personin e dyshuar si organizatorin kryesor të atentatit ndaj senatorit dhe kandidatit për president, Miguel Uribe, i cili u plagos rëndë gjatë një tubimi elektoral muajin e kaluar në kryeqytetin Bogotá. Uribe, senator konservator dhe një kritik i ashpër i presidentit aktual të majtë, Gustavo Petro, u qëllua dy herë në [...]Read More...

Kolumbi/ Arrestohet organizatori i dyshuar i atentatit ndaj kandidatit për president

Policia kolumbiane ka arrestuar personin e dyshuar si organizatorin kryesor të atentatit ndaj senatorit dhe kandidatit për president, Miguel Uribe, i cili u plagos rëndë gjatë një tubimi elektoral muajin e kaluar në kryeqytetin Bogotá.

Uribe, senator konservator dhe një kritik i ashpër i presidentit aktual të majtë, Gustavo Petro, u qëllua dy herë në kokë më 7 qershor, teksa zhvillonte fushatën për nominimin e partisë së tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2026. Ai ndodhet ende në gjendje kritike.

Sipas autoriteteve, personi i arrestuar është Élder José Arteaga Hernández, i njohur edhe me pseudonimet “Chipi” dhe “Costeño”. Policia e akuzon atë për organizimin e atentatit dhe për rekrutimin e një 15-vjeçari për të kryer sulmin. Adoleshenti është një nga katër personat e tjerë të arrestuar dhe është zyrtarisht i akuzuar për të shtënat ndaj Uribes.

Drejtori i Policisë Kombëtare të Kolumbisë, gjenerali Carlos Fernando Triana, deklaroi të premten se Arteaga ka një të kaluar të gjatë kriminale dhe përballet me akuza për “tentativë të rënduar vrasjeje” si dhe “përdorim të të miturve për kryerje krimesh”.

Hetimet tregojnë se Arteaga ka koordinuar të gjithë sulmin, duke përfshirë edhe sigurimin e armës për atentatorin. Ai dyshohet se ndodhej pranë parkut ku ndodhi ngjarja, në momentin e sulmit.

Adoleshenti i dyshuar u arrestua ndërsa po përpiqej të largohej nga vendngjarja. Sipas prokurorisë, ai ka deklaruar se nuk është fajtor për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Miguel Uribe, 39 vjeç, shpalli kandidaturën për zgjedhjet presidenciale në tetor të vitit të kaluar. Ai vjen nga një familje e njohur politike, me lidhje të hershme me Partinë Liberale të Kolumbisë. I ati ka qenë një drejtues sindikal dhe biznesmen, ndërsa nëna e tij, gazetarja Diana Turbay, u vra në vitin 1991 gjatë një operacioni shpëtimi, pas rrëmbimit nga karteli i drogës i Medellín-it.

Sulmi ndaj Uribes shkaktoi reagime të gjera në opinionin publik. Mijëra qytetarë morën pjesë në protesta paqësore nëpër qytete të ndryshme të vendit, në shenjë solidariteti dhe për të dënuar dhunën politike./abcnews.al