Kosovë: Gjykata refuzon kërkesën për pezullim të vendimit për shtrenjtimin e rrymës
Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën për vendosjen e masës së sigurisë ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), me të cilin është shtrenjtuar çmimi i energjisë elektrike për 16.1 për qind, shkruan albinfo.ch. Lajmin e ka bërë të ditur avokati Ardian Bajraktari, përfaqësues i grupit qytetar “Asnjë cent më shumë”, përmes […] The post Kosovë: Gjykata refuzon kërkesën për pezullim të vendimit për shtrenjtimin e rrymës appeared first on Albinfo.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën për vendosjen e masës së sigurisë ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), me të cilin është shtrenjtuar çmimi i energjisë elektrike për 16.1 për qind, shkruan albinfo.ch.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati Ardian Bajraktari, përfaqësues i grupit qytetar “Asnjë cent më shumë”, përmes një postimi në Facebook, ku tha se tashmë është përgatitur ankesa për Gjykatën e Apelit.
“Kam pranuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin refuzohet kërkesa për sigurimin e padisë tonë ndaj ZRrE-së. Tashmë, gati është ankesa për Gjykatën e Apelit ndaj këtij aktvendimi. Beteja ligjore kundër vendimit të ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë vazhdon!”, ka shkruar Bajraktari.
Grupi “Asnjë cent më shumë” ka paditur ZRrE-në duke kërkuar anulimin e vendimit për rritjen e tarifave, të cilin e kanë cilësuar të kundërligjshëm. Në kuadër të kësaj padie, u kërkua edhe pezullimi i përkohshëm i vendimit, kërkesë kjo që u refuzua nga gjykata, transmeton albinfo.ch.
Vendimi i ZRrE-së për rritjen e tarifave u mor më 16 prill dhe ka hyrë në fuqi më 1 maj. Sipas tarifave të reja, çmimi për konsumatorët shtëpiakë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë orë në muaj është rritur nga 7.79 në 9.05 centë për kilovat në tarifën e lartë, dhe nga 3.34 në 3.88 centë në tarifën e ulët.
Avokati i Popullit më herët kishte kërkuar pezullimin e vendimit të ZRrE-së deri në përfundimin e hetimeve për ankesat e qytetarëve, duke theksuar se vendimi ishte marrë në rrethana të boshllëkut institucional.
Ndërkohë, edhe përfaqësues të bizneseve kanë paralajmëruar mundësinë e ngritjes së padive kundër këtij vendimi, përderisa rritja e çmimit të energjisë tashmë ka filluar të reflektohet në rritje çmimesh për produkte bazike si buka dhe kafeja, transmeton albinfo.ch.
The post Kosovë: Gjykata refuzon kërkesën për pezullim të vendimit për shtrenjtimin e rrymës appeared first on Albinfo.