KSHZ: Është korrigjuar gabimi në fletëvotime, votimi i të sëmurëve në Komunën Novo Sello po zhvillohet pa pengesa
Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Boris Kondarko në konferencë për media, njoftoi se është korrigjuar gabim shtypi në fletëvotimet në Komunën Novo Sello dhe materiali tashmë është dërguar. Votimi atje për personat e sëmurë do të zhvillohet pa pengesa dh, siç tha ai, të gjithë do ta realizojnë të drejtën e tyre të votës […]


Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Boris Kondarko në konferencë për media, njoftoi se është korrigjuar gabim shtypi në fletëvotimet në Komunën Novo Sello dhe materiali tashmë është dërguar. Votimi atje për personat e sëmurë do të zhvillohet pa pengesa dh, siç tha ai, të gjithë do ta realizojnë të drejtën e tyre të votës deri në fund të ditës, transmeton Portalb.mk.
Siç theksoi Kondarko, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas seancës publike të KSHZ-së, votimi i sotëm në përgjithësi po zhvillohet pa asnjë problem; materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë nga komisionet komunale zgjedhore deri te këshillat e votimit, dhe qytetarët po e realizojnë lirshëm të drejtën e tyre zgjedhore.
“Deri tani nuk kemi asnjë ankesë apo vërejtje nga asnjë komision komunal zgjedhor apo nga ndonjë vendvotim,” theksoi Kondarko.
Sipas tij, për momentin nuk ka të dhëna për daljen në votime, pasi votimi zgjat deri në fund të ditës. Kur të përfundojë procesi, KSHZ do të publikojë sa nga personat e regjistruar për të votuar në kushte shtëpie apo në shtëpi të të moshuarve e kanë realizuar të drejtën e votës.
Ai kujtoi se rezultatet nga ky votim nuk do të publikohen sot, por nesër.
Kujtojmë se, më herët mediat njoftuan se, për katër orë është shtyrë shpërndarja e materialit zgjedhor dhe votimi i personave të sëmurë dhe të pafuqishëm në Novo Sello, pasi janë vërejtur gabime në numrat rendorë të listave të këshilltarëve. Për rastin është informuar Komisioni Shtetëror Zgjedhor, nga ku njoftuan se materiali zgjedhor për këshilltarë është tërhequr dhe po shpërndahet i ri, në mënyrë që të gjithë të sëmurët dhe të pafuqishmit ta realizojnë të drejtën e tyre të votës.
Për votimin e sotëm në komunë janë paraqitur 400 persona, të cilët me dokumentacion mjekësor kanë vërtetuar se nuk mund të dalin nesër në vendvotime, ndaj sipas ligjit, të drejtën e tyre duhej ta realizojnë sot.
Zgjedhjet lokale mbahen nesër (19 tetor), ndërsa sot votojnë të burgosurit, personat në arrest shtëpiak, të sëmurët dhe të pafuqishmit, si dhe personat që ndodhen në shtëpitë e të moshuarve. Sipas Listës Zgjedhore, në institucionet ndëshkuese duhet të votojnë 2.162 të burgosur, më shumë në burgun në Idrizovë – 938, në burgun e Shutkës 391, në burgun e Shtipit 237, ndërsa në burgun e Prilepit 119. Në shtëpitë e tyre do të votojnë edhe personat që janë në arrest shtëpiak dhe që janë paraqitur për të votuar.