Kur dhimbja shndërrohet në mision: Narta Kasa Iseni dhe beteja për vetëdijesim ndaj kancerit të gjirit

Onkologjia duhet të decentralizohet, Narta Kasa Iseni kërkon reforma dhe kujdes më njerëzor për pacientët me kancer të gjirit

Kur dhimbja shndërrohet në mision: Narta Kasa Iseni dhe beteja për vetëdijesim ndaj kancerit të gjirit
Fotografi nga arkivi personal i Narta Kasa Isenit. Foto: Narta Kasa Iseni

Në një shoqëri ku shpesh sëmundjet mbeten temë tabu, zëri i grave që e kanë përballuar kancerin e gjirit bëhet dritë për shumë të tjera. Një prej këtyre zërave është Narta Kasa Iseni, aktiviste e përkushtuar dhe kryetare e Lëvizjes “Nëna dhe Familja”, e cila prej vitesh e ka kthyer përvojën e saj personale në një mision për të shpëtuar jetë. Ajo flet hapur për luftën, frikën, shpresën dhe forcën që vjen nga dashuria për jetën. Me energji të qetë, por fjalë që prekin, Narta përkujton se “diagnostikimi i hershëm shpëton jetë” një mesazh që e përsërit në çdo aktivitet, panel apo takim me gratë që përjetojnë të njëjtën sfidë. Në një bisedë për Portalb.mk, ajo ndau të pathëna nga historia e saj dhe beteja me kancerin e gjirit.

Portalb.mk: Kur e morët për herë të parë lajmin për diagnozën, si e përjetuat atë moment dhe cilat mendime ju kaluan nëpër kokë?

Narta Kasa Iseni: E kam zbuluar rastësisht në vizitë rutine gjinekologjike. Edhe pse nuk kam vërejtur kurrë asnjë ndryshim ose çrregullim gjatë vetë egzaminimeve, në kontroll rutine me një eho të gjirit u vërejt diçka që u diagnostikua më pas si karcinomë e gjirit por kisha fat të madh që jam diagnostikuar në fazë të hershme. Sidoqoftë, ishte një moment që s’e harroj dot. Mu duk sikur gjithçka u ndal për disa sekonda. Mendja më shkoi menjëherë te fëmijët, familja dhe pyetja “pse unë?”. Kishte shumë frikë, pasiguri, por edhe një ndjenjë që duhej të isha e fortë.

Portalb.mk: Cila ishte frika apo dilema më e madhe që ju shoqëroi gjatë fillimit të trajtimit?

Narta Kasa Iseni: Frika më e madhe ishte nëse trupi im do ta përballonte terapinë dhe nëse do të kthehesha sërish në normalitet. Kishte dilema të shumta se si do të ndryshonte jeta ime, si do të më shihnin të tjerët, a do të rikthehej ndonjëherë siguria që kisha më parë. Mirëpo duhet të tentojmë në mënyra të ndryshme t’u ikim mendimeve dhe të gjejmë mënyrën tonë më të përshtatshme për të ndërtuar strategjinë e kurimit dhe çka duhet të bëjmë më tej. Çdo humbje kohe mund të kushtojë me avancim të sëmundjes. Përderisa e detektojmë në fazë të hershme është mirë të fillojmë menjëherë procedurat tjera ku bëjnë pjesë shpesh here intervenimi kirurgjik, pastaj kimioterapia ose radioterapia dhe në fund rehabilitimi.

Portalb.mk: Cili ka qenë momenti më i vështirë gjatë gjithë këtij procesi dhe si arritët ta tejkaloni?

Narta Kasa Iseni: Momenti më i vështirë ishte humbja e flokëve dhe ditët e lodhjes pas kimioterapisë. Aty e kuptova sa shumë ndikojnë gjërat e vogla në vetëbesim. E tejkalova falë mbështetjes së familjes dhe besimit se kjo ishte vetëm një fazë kalimtare. E tejkalova falë fëmijëve për të cilët duhej të isha e fortë.

Portalb.mk: Çfarë ju ka ndihmuar më shumë emocionalisht dhe fizikisht gjatë procesit të terapisë dhe rikuperimit?

Narta Kasa Iseni: Më ndihmoi shumë dashuria e njerëzve përreth, komunikimi i hapur me mjekët dhe rutina e vogël që ruajta çdo ditë, ecje në natyrë, ushqim i shëndetshëm dhe një qëndrim pozitiv. Jam njeri shumë social por se kisha ditur vlerën e vërtetë njerëzve që na rrethojnë, dhe këto momente të jetës time më bënë ti vlerësoj më shumë dhe jam falënderuese atyre përjetë që për një vit rreshtash qëndruan me mua si familja e ngushtë dhe më e gjerë por edhe miqtë e shoqëria që nuk kursyen prioritet e tyre ditore për të më qëndruar pranë.

Portalb.mk: A ka pasur momente kur jeni ndjerë e lodhur ose afër dorëzimit? Çfarë ju ka dhënë forcë për të vazhduar?

Narta Kasa Iseni: Po, shumë herë. Kishte ditë që trupi nuk më dëgjonte dhe mendja lodhej. Por çdoherë që e shihja buzëqeshjen e fëmijëve apo kujdesin e bashkëshortit, e dija që nuk mund të ndalesha. Forca vinte nga dashuria reciproke për familjen dhe jeta është e ëmbël do apo s’do kur je i sëmurë gjithmonë synon shërimin sa më të shpejtë. Ndoshta është karakteristikë e njeriut që të synojë gjallërinë e jetën në rend të parë.

Portalb.mk: Si ka ndryshuar mënyra juaj e të menduarit për jetën, shëndetin dhe përditshmërinë pas kësaj përvoje?

Narta Kasa Iseni: E vlerësoj shumë më tepër çdo ditë që kalon. Nuk mërzitem më për gjëra të vogla. Kuptova se shëndeti është dhurata më e madhe dhe se lumturia shpesh fshihet në momentet më të thjeshta. Duhet të jemi gjithmonë të vetëdijshme për faktin që jemi gra, dhe kemi forcë të madhe brenda që buron brenda nesh por nuk do të thotë që ia vlen t’ia ngërthejmë fatit me të katërta dhe të zgjidhim gjithçka ashtu siç duam. Ndonjëherë nuk ndodh gjithçka si që duam ne, por duhet ta mendojmë shëndetin tonë në radhë të parë dhe mund ti lëmë disa gjëra në rrjedhin e fatit sepse jo gjithçka kemi në dorë.

Portalb.mk: Sa mbështetje keni gjetur te familja, miqtë dhe mjekët?

Narta Kasa Iseni: Kam pasur fat të madh. Familja ime ka qenë gjithmonë pranë me dashuri e durim. Mjekët dhe infermierët kanë qenë profesionalë dhe njerëzorë. Edhe një fjalë e mirë nga një mikeshë më jepte shpresë. Por në përgjithësi mjekësia te ne është për të ardhur keq. Pacienti tani më nuk ka trajtimin që meriton nga mungesa e personelit mjekësor dhe mjeteve ose ambienteve të punës. Imagjinoni fillimisht gjithë reparti Onkologjik ka vetëm një psikolog, e cila duhet të shërbejë mijëra pacientë me karcinome dhe stade të ndryshme të sëmundjes, nga e gjithë Maqedonia. Është e pamundur ti mbulojë vet andaj duhet të ndryshojë sistemi mjekësorë sadopak që të marrim mbështetje më të madhe në barna dhe terapi por edhe mbështetje psikologjike që është pjesa më e nevojshme për pacientin onkologjik.

Portalb.mk: Si dikush që ka kaluar nëpër këtë rrugë, sa të rëndësishme janë kontrollet e rregullta?

Narta Kasa Iseni: Janë thelbësore. Kontrolli i rregullt shpëton jetë dhe kjo ndodhi edhe me mua. Po ta kisha shtyrë vetëm disa muaj, ndoshta historia ime do të ishte ndryshe. Duhet të jetë prioritet për çdo grua, jo vetëm kur ka dhimbje apo shqetësime por të bëjmë program të rregullt vetanak që të vizitohemi te mjeku me gjitha kontrollet e rregullta. Sa më herët zbulohen karcinomet aq më i lehtë dhe i shpejtë është trajtimi.

Portalb.mk: Gjatë përballjes suaj, a keni hasur në vështirësi apo ngecje në sistemin shëndetësor të RMV-së? Çfarë mendoni se duhet përmirësuar dhe cilat janë ngecjet sipas jush?

Narta Kasa Iseni: Po, ka pasur vonesa në marrjen e rezultateve dhe në koordinimin e shërbimeve. Mendoj se duhet më shumë investim në diagnostikim të hershëm, komunikim më të qartë mes pacientit dhe mjekëve, si dhe mbështetje psikologjike e organizuar më mirë, që e ceka më lartë. Mendoj se decentralizimi i onkologjisë është hapi i parë dhe programi për ftesë në kontrolle të rregullta duhet të rikthehet në sistemin shëndetësor.

Portalb.mk: Çfarë mesazhi do t’u jepnit grave që sot përballen me diagnozën e kancerit të gjirit dhe, njëkohësisht, sa e rëndësishme është për ju që të thyejmë tabutë rreth kësaj teme dhe të flitet vazhdimisht për këtë temë, jo vetëm në tetor?

Narta Kasa Iseni: Mesazhi im është: Mos u dorëzoni. Kanceri nuk ju përcakton, është një betejë që mund të fitohet ndoshta. Flisni, ndani përvojat, kërkoni ndihmë sepse heshtja dëmton më shumë se diagnoza. Duhet të flasim për këtë çdo muaj, jo vetëm në tetor, që asnjë grua të mos ndihet vetëm. Por çdo grua e diagnostikuar mund të kontribuojë në kauzën e vetëdijesimit duke e shprehur historinë e saj.