Kurti për vr’asjen e Arlinda Zekajt: Do të angazhohemi që zyrtarët përgjegjës të japin llogari edhe penale

Kurti për vr’asjen e Arlinda Zekajt: Do të angazhohemi që zyrtarët përgjegjës të japin llogari edhe penale

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje ka folur për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Ai përmendi raportin e djeshëm që u prezantua nga dy vartësit e tij, Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçla, ndërsa tha se do të angazhohen për t’i mbajtur përgjegjës ata që kanë kryer shkelje në rastin e vrasjes së Zekajt.

“Vrasja e Arlinda Zekajt na ka përballur rëndë se një grua mund të ndjekë të gjitha rrugët që parasheh ligji, të denoncojë dhunën, të kërkojë mbrojtje madje edhe të paralajmërojë me shkrim se i rrezikohet jeta dhe prapë të përfundojë e vrarë. Arlinda bëri atë që institucionet iu kërkojnë të bëjnë grave që përballen me dhunë. Dje ndamë me publikun rrjedhën e rastit dhe lëshimet e evidentuara zinxhirore në institucionet përkatëse me përjashtim të atyre që refuzuan të bashkëpunojnë. Do të angazhohemi deri në fund që secili zyrtar përgjegjës që nuk e ka kryer detyrën të japë përgjegjësi jo vetëm disiplinore, por edhe penale”.

Duke thënë se çdo hallkë duhet të hetohet, Kurti shtoi se kushdo që “ka neglizhuar punën apo ka bërë shkelje të detyrimeve ligjore duhet të japë përgjegjësi dhe të përballet me masa disiplinore e penale”.

Pas kësaj, Kurti foli për patriarkatin dhe tha se lufta ndaj tij qëndron në thelb të politikave të partisë së tij.

Kryeministri foli se si sistemi arsimor duhet të ndryshojë për të adresuar këtë çështje qysh në fëmijëri të hershme, ndërsa tha se kanë bërë shumë si qeveri.

“Vrasja e Arlinda Zekajt na përballi me një mendësi patriarkale, e cila ende e konsideron gruan si pronë apo objekt mbi të cilën burri mund të ushtrojë pushtet e forcë, që pavarësinë e saj e sheh si mosbindje dhe vendimin për t’u larguar nga një marrëdhënie si cenim të autoritet mashkullor. Kjo mendësi nuk ndryshon vetëm me ligje, kërkon përballje të vazhdueshme në familje, shkolla, institucione dhe brenda vetë organizimeve e subjekteve tona politike. Ndryshimi i kësaj mendësie duhet të fillojë shumë më herët”, tha Kurti.

Ai u zotua për rishikim të kurrikulave mësimore.

“Nuk mund të vazhdojmë që t’i edukojmë vajzat që të jenë të durueshme e të dëgjueshme, ndërsa djemtë që të jenë patjetër dominues. Këto role të trashëguara duhet t’i shqyrtojmë me guxim. Edhe në tekste shkollore edhe në mënyrën se si i edukojmë fëmijët. Lufta kundër femicidit kërkon edhe një politikë të mirëfilltë arsimore që e trajton barazinë gjinore si pjesë të formimit të qytetarit”.

“Emancipimi do të vazhdojë jetë pjesë e politikave tona arsimore, ekonomike e sociale. Duhet të fillojmë nga mënyrat si i edukojmë fëmijët, përgjegjësitë brenda familjes, të drejtat pronësore dhe si ia mundësojmë mbrojtjen”.

Në fund Kurtit tha se “pikërisht” pse kanë bërë shumë mund edhe të kërkojnë përgjegjësi.

“Barazia gjinore duhet ta luftojë pabarazinë edhe shoqërore. Ajo duhet të dëshmohet në vendimet që marrim, politikat që zbatojmë dhe mënyrën se si i mbrojmë gratë kur iu rrezikohet jeta meqenëse barazia gjinore ndodhet në thelb të asaj shoqërore. Në këtë drejtim kemi bërë shumë dhe kemi përgjegjësi politike të kërkojmë llogaridhënie për çdo shkelje të konstatuar. Pikërisht pse angazhohemi për këtë, ne edhe kërkojmë përgjegjësi”, tha ai.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.