Lojëra shpërblyese të rreme në Maqedoninë e Veriut që ju vjedhin

Ky tekst nuk është për mua! Edhe pse kjo mund të jetë gjëja e parë që ju bie ndërmend kur e lexoni titullin, ekspertët e mashtrimeve online paralajmërojnë se të gjithë jemi viktima të mundshme të kurtheve online. Është e vërtetë që më të moshuarit dhe ata me edukim mediatik të ulët janë më të […]

Lojëra shpërblyese të rreme në Maqedoninë e Veriut që ju vjedhin
Foto e krijuar nga Portalb.mk me inteligjencë artificiale në Sora/ChatGPT

Ky tekst nuk është për mua! Edhe pse kjo mund të jetë gjëja e parë që ju bie ndërmend kur e lexoni titullin, ekspertët e mashtrimeve online paralajmërojnë se të gjithë jemi viktima të mundshme të kurtheve online. Është e vërtetë që më të moshuarit dhe ata me edukim mediatik të ulët janë më të prekshëm, megjithatë askush nga ne nuk është imun, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

Udhëheqësi i Qendrës Kombëtare të Reagimit ndaj Incidenteve Kompjuterike (CIRT), Sevdali Selmani, në një deklaratë theksoi se për tu mbrojtur nuk mjafton vetëm edukimi kompjuterik.

“‘Dobësia’ kryesore e viktimave është besimi tek njerëzit dhe dëshira për fitim të lehtë, e jo vetëm niveli i njohurive të TI-së.”

Mashtruesit gjithnjë e më shumë po luajnë me kartën e besimit. Ata abuzojnë me markat e njohura të cilave njerëzit u besojnë, thotë Selmani, dhe me truke psikologjike për të krijuar emocion ose urgjencë.

Оrganizohen edhe nga jashtë vendit

Kreu i MPB-së, Peshovska, thotë se ka edhe mashtrues vendas, të cilët policia i ka zbuluar, por në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për banda ndërkombëtare.

“Këto janë grupe kriminale që veprojnë, më besoni, në hangare, si kompani. Kemi të bëjmë me mashtrues jashtëzakonisht të organizuar.”

Tashmë për disa vite qytetarët joshen që t’i lënë të dhënat e tyre personale dhe të dhënat bankare duke marrë pjesë në lojëra shpërblyese mashtruese që abuzojnë me marka të tilla si KAM, DM, Komercijallna Banka, Neptun, si dhe Tehnomarket.

Ata klikonin në linkun që shfaqej në rrjetet sociale ose në email-in ose SMS-së që u dërgohej në celular, ku përgjigjeshin në disa pyetje dhe paguanin nga dy ose tre euro.

“Fakti që dhjetëra mijëra qytetarëve u janë vjedhur të dhënat personale përmes lojërave të tilla shpërblyese të rreme me çmime tregon se sa i përhapur është ky problem”, thotë Selmani nga CIRT.

Monitorimi i BIRN ka regjistruar gjithsej 16 raste këtë vit në të cilat mashtruesit online janë përpjekur t’i mashtrojnë qytetarët.

Më të shpeshtat janë mashtrimet “phishing”, ku mashtruesit prezantohen si banka ose kompani me qëllim për t’i marrë të dhënat personale dhe financiare të viktimave. Ekzistojnë edhe dyqane të rreme online, reklama me çmime jorealiste, si dhe donacione dhe aksione humanitare të rreme që i keqpërdorin emrat e njerëzve të famshëm ose ngjarjet tragjike.

Si t’i dallojmë mashtrimet?

Duke analizuar lojën e fundit shpërblyese të rreme, keqpërdorimin e dyqanit sportiv Sport Vision, ne i veçuam elementet kryesore të cilave qytetarët duhet tu kushtojnë kujdes.

Gjatë këtij muaji në Facebook qarkullonte një postim i shkruar gjoja nga një farë Elena Stojanovska, e cila pretendon se ka zbuluar një “procedurë sekrete” të disponueshme vetëm për punonjësit, përmes së cilës qytetarët mund të marrin një çantë shpine brend me vlerë prej disa mijëra denarëve për vetëm 145 denarë.

Krahas “ofertës fantastike” ishte sajuar edhe një histori se si vajza në fjalë ishte eksploatuar, kishte lënë punën dhe tani po hakmerrej duke e zbuluar “sekretin”.

Ka disa shenja që tregojnë se kjo “lojë” nuk shpërblen, por përkundrazi e bën pikërisht të kundërtën.

Edhe pse uebfaqja e rreme nga ku ndahet linku i ofertës mund të duket identike me atë të vërtetën, ajo gjithmonë ka një adresë (URL) ndryshe dhe kjo është një shenjë pothuajse e sigurt se bëhet fjalë për një mashtrim.

Hetimi ynë nxorri në pah se elevensblog.com nuk ka të bëjë fare me markën sportive nga Maqedonia. Hetimi papritur na “çoi” në Rejkjavik, Islandë, në një vend ku nuk ka dyqan pajisjesh sportive, por një butik krejtësisht të ndryshëm dhe një muze.

Kjo adresë vetëm është përdorur për selinë fiktive të një kompanie që mirëmban uebfaqe. “The New York Times” shkruan se ky vend dhe Islanda janë zgjedhur pikërisht për shkak të mbrojtjes së privatësisë që ky vend ua ofron uebfaqeve të regjistruara.

Postimet e rreme shpesh shkruhen me Google Translate, kështu që nëse i lexoni me kujdes do vini re fjalë dhe fraza jologjike ose atipike, si në rastin e Sport Vision, ku në vend të “më pushuan nga puna”, thuhet “u pushuam nga puna”.

Konstatuam edhe se fotot e Elena Stojanovskës, të publikuara në profilin e rremë në Facebook, në fakt ishin marrë nga profili në Instagram i një influencereje nga Virxhinia Perëndimore, SHBA, e cila ndoshta as që e di se identiteti i saj është keqpërdorur.

Këtë verë, përdoruesit e Facebook-ut dhe Instagram-it nga Maqedonia mund të shihnin një numër të madh reklamash me zbritje të rreme deri në 80 përqind nga marka të famshme globale.

Marina Peshovska, udhëheqëse e njësisë në Sektorin e Krimit Kibernetik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, në një deklaratë u bëri thirrje qytetarëve që gjithmonë të “kontrollojnë 100 herë” para se ta besojnë, sidomos kur oferta duket tepër e mirë për të qenë e vërtetë.

“Mbrojtja më e mirë kundër mashtrimeve online është parandalimi, e jo metodat represive”, tha ajo.

Cilat janë rreziqet?

Nuk është aq e tmerrshme nëse dëmi është vetëm në 2-3 euro që qytetarët i kanë paguar për çantën e shpinës prej 2.000 ose 3.000 denarësh, por në këto raste rreziku i vërtetë është shumë më i madh.

Pasi t’i kenë marrë të dhënat, mashtruesit mund t’i keqpërdorin menjëherë ato dhe, në vend të 145 denarëve, mund ta zbrazin llogarinë e qytetarit të mashtruar.

Krahas parave mashtruesit i marrin edhe të dhënat personale – emrin, mbiemrin, adresën, telefonin, email-in dhe madje në disa raste edhe kopjet e dokumenteve personale. Të dhënat personale të vjedhura mund të përfundojnë në tregun e zi dhe t’u shiten kompanive ose kriminelëve.

“Edhe sikur mos ju marrin direkt para, të dhënat e mbledhura përfaqësojnë vlerë për mashtruesit”, thotë Selmani.

Ai paralajmëron se krahas mashtrimit financiar ekzistojnë edhe skenarë të mundshëm ku këto të dhëna personale të mbledhura mund të keqpërdoren për manipulime politike ose mashtrime të tjera – për shembull, fushata që kanë për qëllim dezinformimin ose presionin, të cilat nuk duhet të përjashtohen si mundësi.

Kryeshefja e policisë, Peshovska, këshillon që të bëhet raportimi i çdo mashtrimi në uebfaqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në pjesën e quajtur butoni i kuq, ose me email në [email protected].

“Raportuesi duhet ta përshkruajë ngjarjen, t’i dorëzojë linqet, screen-shot-et – me një fjalë gjithçka që mundet në lidhje me profilin e rremë.”

Sipas përvojës Peshovska thotë se shumë njerëz e kanë të vështirë ta pranojnë se janë mashtruar, sepse përveç humbjes financiare, ekziston edhe ajo ngarkesa psikologjike – ndjesia se dikush ju ka gënjyer. Megjithatë, pikërisht për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të raportohen rastet e tilla.

“Momenti kur e kupton se të mungojnë 10.000 euro është shumë i vështirë. E kupton shumë vonë, e raporton shumë vonë dhe kjo është arsyeja pse shpesh nuk kanë sukses procedurat”, shpjegon ajo.

Selmani ndërlidhet në këtë dhe këshillon që përvoja e keqe të ndahet me të dashurit si paralajmërim.

“Dëshmia juaj mund ta shpëtojë dikë nga mashtrimi. Mos lejoni që turpi t’ju ndalojë të veproni”, thotë ai.