Majlinda Bregu folëse kryesore: Mbi 400 studiues do të mblidhen në Tetovë në Kongresin e Shkencave Humane, Sociale dhe Arteve

Majlinda Bregu folëse kryesore: Mbi 400 studiues do të mblidhen në Tetovë në Kongresin e Shkencave Humane, Sociale dhe Arteve

Majlinda Bregu folëse kryesore: Mbi 400 studiues do të mblidhen në Tetovë në Kongresin e Shkencave Humane, Sociale dhe Arteve
Afishja e Kongresit të Shkencave Humane, Sociale dhe Arteve. Foto: Universiteti i Tetovës (Facebook)

Të mërkurën më 12 nëntor, me fillim nga ora 12:00, Universiteti i Tetovës organizon Kongresin e Shkencave Humane, Sociale dhe Arteve. Në këtë ngjarje të rëndësishme akademike do të marrin pjesë mbi 400 studiues me punimet e tyre shkencore dhe hulumtuese, nga universitete europiane si edhe nga universitetet partnere të bashkëpunimit me Universitetin e Tetovës. Folëse kryesore do të jetë Majlinda Bregu, shkruan Portalb.mk.

Në kuadër të këtij Kongresi do të zhvillohen Konferencat Shkencore nga fakultete të ndryshme, si Ekonomik, Juridik, Filologjik, Filozofik dhe Pedagogjik.

Kushtrim Ahmeti Dekan i Fakultetit Filozofik për Portalb.mk tha se Kongresi i këtij viti është dëshmi se Universiteti i Tetovës po e shndërron dijen në forcë vepruese.

“Qëllimi kryesor i Kongresit është të krijojë një platformë ndërdisiplinare ku dija akademike vihet drejtpërdrejt në shërbim të zhvillimit shoqëror, kulturor dhe njerëzor. Përmes pesë konferencave shkencore, ne promovojmë kërkimin që lidhet me nevojat reale të shoqërisë nga arsimi dhe kultura, te ekonomia, drejtësia dhe filozofia. Universiteti i Tetovës beson se dija merr vlerë të plotë vetëm kur ndihmon në përmirësimin e jetës, politikave dhe institucioneve që formësojnë të ardhmen tonë… Sinergjia që pritet të krijohet do të thellojë bashkëpunimin ndërfakultetesh, duke nxitur projekte të reja kërkimore dhe ide që shkojnë përtej kufijve tradicionalë të disiplinave”, tha Ahmeti.

Sipas tij, pjesëmarrja e mbi 450 autorëve dhe bashkautorëve nga rreth 20 universitete partnere evropiane e vendos Universitetin e Tetovës në një nivel të ri të bashkëpunimit ndërkombëtar. Ai shtoi se ky Kongres është një thirrje për t’i rikthyer shkencat humane dhe sociale në vendin që u takon: në zemër të zhvillimit dhe të përgjegjësisë njerëzore.

“Në një kohë kur fokusi global shpesh zhvendoset drejt teknologjisë, ky kongres rikujton se zhvillimi i qëndrueshëm dhe etik nuk mund të arrihet pa dimensionin njerëzor. Shkencat humane dhe sociale janë themeli mbi të cilin ndërtohen drejtësia, arsimi, solidariteti dhe kuptimi i përbashkët. Ky kongres e afirmon këtë rol duke e vendosur njeriun, kulturën dhe shoqërinë në qendër të debatit shkencor bashkëkohor”, tha Ahmeti.

Mes tjerash ai tha se kongresi synon të shërbejë si katalizator për projekte të reja kërkimore dhe bashkëpunime ndërinstitucionale.

Majlinda Bregu, politikane dhe diplomate shqiptare me karrierë të gjatë në institucione kombëtare dhe rajonale, do të jetë folësja kryesore e këtij Kongresi.

Majlinda Bregu folësja kryesore e Kongresit të Shkencave Humane, Sociale dhe Arteve. Foto: Universiteti i Tetovës (Facebook)
Majlinda Bregu folësja kryesore e Kongresit të Shkencave Humane, Sociale dhe Arteve. Foto: Universiteti i Tetovës (Facebook)