Maqedonia e Veriut promovoi projektin për përmirësimin e sigurisë dhe shëndetit në punë, synohen standarde evropiane

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, promovoi nisjen e projektit “Drejt mjedisit të sigurt dhe të shëndetshëm të punës në Maqedoninë e Veriut”, që synon forcimin e sigurisë dhe shëndetit në punë deri në vitin 2028. Projekti do të modernizojë kornizën ligjore, sistemin e inspektimit dhe do të krijojë një platformë kombëtare digjitale për […]

Maqedonia e Veriut promovoi projektin për përmirësimin e sigurisë dhe shëndetit në punë, synohen standarde evropiane
Foto: Ministria e Ekonomisë dhe Punës

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, promovoi nisjen e projektit “Drejt mjedisit të sigurt dhe të shëndetshëm të punës në Maqedoninë e Veriut”, që synon forcimin e sigurisë dhe shëndetit në punë deri në vitin 2028. Projekti do të modernizojë kornizën ligjore, sistemin e inspektimit dhe do të krijojë një platformë kombëtare digjitale për siguri dhe shndet në punë. Me mbështetjen e ONP-së dhe Bashkimit Evropian, ai synon uljen e lëndimeve dhe sëmundjeve profesionale. Durmishi theksoi se parandalimi dhe institucionet funksionale janë kyçe për një mjedis më të sigurt pune dhe zhvillim ekonomik, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi në fjalën e tij tha se nisja e projektit “Drejt mjedisit të sigurt dhe të shëndetshëm të punës në Maqedoninë e Veriut” është hap i rëndësishëm në promovimin e politikës kombëtare për sigurinë dhe shëndetin në punë, theksoi sot .

“Mbrojtja e shëndetit dhe jetës së punëtorëve është vlerë themelore dhe detyrim ligjor, por mbi të gjitha detyrë morale e të gjithëve. Me këtë projekt, fillojmë fazë të re në të cilën do të krijojmë një sistem modern, me strategji të qartë, vegla digjitale dhe inspektim më të fortë. Deri në vitin 2028, qëllimi ynë është që vendi të ketë kornizë të re, bashkëkohore të sigurisë dhe shëndetit në punë, në përputhje me standardet më të larta të ONP-së dhe BE-së. Parandalimi është investimi më i mirë – në njerëz, kompani dhe të ardhmen e ekonomisë”, porositi Durmishi.

Projekti synon uljen e numrit të lëndimeve dhe sëmundjeve profesionale në vendet e punës duke forcuar kornizën ligjore dhe rregullatore, modernizimin e sistemit të inspektimit të punës, vendosjen e sistemit kombëtar informatik për sigurinë dhe shëndetin në punë dhe përmirësimin e kapaciteteve kombëtare për menaxhimin dhe sigurimin e shërbimeve në këtë fushë.

“Bota e marrëdhënieve të punës po ndryshon – digjitalizimi i shpejtë, format e reja të punësimit dhe sfidat ekonomike kërkojnë sistem që parashikon, parandalon dhe mbron. Në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka vendosur sigurinë dhe shëndetin në punë si një nga prioritetet e politikave të punës. Ligji vetvetiu nuk mjafton – nevojiten institucione funksionale, inspektime dhe trajnime të vazhdueshme”, shtoi ministri.

Projekti, realizimi i të cilit do të zgjasë deri në tetor të vitit 2028, zbatohet me mbështetjen e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP) dhe ndihmën financiare nga Bashkimi Evropian. Ministri Durmishi theksoi se duke punuar së bashku me Qeverinë, punëdhënësit, sindikatat dhe ekspertët, Maqedonia e Veriut do të krijojë mjedise më të sigurta dhe më të shëndetshme pune, ku siguria do të jetë themeli i zhvillimit ekonomik.