Marrëveshja e partneritetit RMV- Mbretëria e Bashkuar në fazë fillestare, nuk bëhen të njohura detajet financiare
Marrëveshja për partneritet mes Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar ndodhet ende në fazat fillestare, kanë konfirmuar nga Ambasada Britanike për Portalb.mk. Sipas ambasadës, bashkëpunimi do të nisë me projekte në infrastrukturë dhe shëndetësi, përfshirë ndërtimin e hekurudhës përgjatë Korridorit 10 dhe spitaleve në Shtip e Kërçovë. Edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut thekson […]


Marrëveshja për partneritet mes Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar ndodhet ende në fazat fillestare, kanë konfirmuar nga Ambasada Britanike për Portalb.mk. Sipas ambasadës, bashkëpunimi do të nisë me projekte në infrastrukturë dhe shëndetësi, përfshirë ndërtimin e hekurudhës përgjatë Korridorit 10 dhe spitaleve në Shtip e Kërçovë. Edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut thekson se marrëveshja parashikon investime strategjike në këta sektorë, duke shtuar edhe projekte në arsim dhe energjetikë. Të dyja palët sigurojnë se financimi do të bëhet në mënyrë transparente përmes instrumentit britanik UK Export Finance, ndërsa detajet e plota financiare pritet të publikohen për secilin projekt veçmas, raporton Portalb.mk.
Në përgjigjet e dhëna nga Ambasada e Britanisë dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut lidhur me Marrëveshjen e Partneritetit Strategjik mes dy vendeve, të dyja palët theksojnë se bashkëpunimi është në fazat e hershme dhe se fokusi fillestar është te zhvillimi i infrastrukturës dhe sektorit shëndetësor. Ambasada britanike nënvizon projektin e Korridorit10, hekurudhë e elektrizuar me shpejtësi të lartë që lidh Maqedoninë e Veriut me vendet e tjera të Ballkanit dhe Evropës Qendrore, si dhe ndërtimin e spitaleve në Shtip e Kërçovë. Nga ana tjetër, Qeveria e Maqedonisë së Veriut thekson një kornizë më të gjerë projektesh, duke përfshirë edhe arsimin dhe energjinë, me synimin që financimi të mos rëndojë borxhin publik.
“Marrëveshja dhe zhvillimi i projektit janë në fazat e hershme. Faza e parë e marrëveshjes G2G përqendrohet në infrastrukturën në sektorët e transportit dhe kujdesit shëndetësor. Fillimisht, Mbretëria e Bashkuar dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të bashkëpunojnë për realizimin e Korridorit X: një hekurudhë e elektrizuar me shpejtësi të lartë afërsisht 200 km përgjatë Korridorit Pan-Evropian të Transportit veri-jug që lidh Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Kroacinë, Slloveninë dhe Austrinë. Po diskutojmë gjithashtu ndërtimin e disa spitaleve në Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë Shtipin dhe Kërçovën”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Lidhur me atë se silat janë kushtet e sakta financiare të marrëveshjes (normat e interesit, kushtet e ripagimit, garancitë) dhe sipas cilit vlerësim krediti do të llogariten ato, Ambasada përgjigjet se UK Export Finance (Agjencia e Kreditit të Eksportit e Mbretërisë së Bashkuar) ka deri në 5 miliardë paund mbështetje në dispozicion për projektet në Maqedoninë e Veriut, duke mos dhënë më shumë detaje.
“Financimi i eksportit të Mbretërisë së Bashkuar ul ndjeshëm koston e përgjithshme të huamarrjes duke ofruar qasje në norma interesi më të ulëta se sa zakonisht do të ishin të disponueshme në tregun komercial”, thuhet në përgjigje.
Se çfarë mekanizmash do të zbatojë pala e Mbretërisë së Bashkuar për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie në financimin dhe zbatimin e projekteve, në koordinim me autoritetet e Maqedonisë së Veriut, Ambasada përgjigjet se “Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar punon ngushtë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Maqedonisë së Veriut për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie”.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, nga ana tjetër në iniciativat e parashikuara përmend edhe mundësinë e financimit të hidrocentraleve Çebren dhe Galishte. hvillimor që përfshin edhe fusha të tjera përtej infrastrukturës transportuese dhe shëndetësore.
“Lidhur me pyetjet tuaja, ju informojmë se në kuadër të Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, parashikohen investime strategjike për infrastrukturën, shëndetësinë dhe arsimin, duke përfshirë ndërtimin e një hekurudhe me shpejtësi të lartë përgjatë Korridorit 10, përfundimin e Qendrës Klinike në Shtip së bashku me Fakultetin e Mjekësisë dhe një konvikt studentor, ndërtimin e Spitalit Klinik në Kërçovë, rindërtimin dhe pajisjen e Spitalit Klinik në Tetovë, si dhe mundësinë e përdorimit të një pjese të fondeve për hidrocentralet Cebren dhe Galishte”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për Portalb.mk.
Qeveria shton poashtu se financimi do të bëhet përmes instrumentit britanik UK Export Finance në shumën deri në 6 miliardë euro, duke shtuar se “kushtet specifike financiare si normat e interesit dhe afatet do të specifikohen brenda secilit projekt dhe do të shpallen publikisht në kohën e duhur”.
“Këto janë investime kapitale me financim të projektit, që do të thotë se fondet do të tërhiqen ekskluzivisht me zbatimin e projekteve dhe kjo nuk do të rrisë borxhin publik paraprakisht. Ju sigurojmë se të gjitha procedurat do të kryhen në mënyrë transparente me standardet më të larta teknike dhe financiare dhe me mbrojtje të plotë të interesave të shtetit dhe qytetarëve”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski dhe ministri britanik i Ekonomisë dhe Eksportit Gareth Thomas nënshkruan më 22 maj marrëveshjen për zbatimin e objekteve infrastrukturore në Londër, e cila i jep vendit mundësinë të marrë kredi prej pesë miliardë paundësh për zbatimin e projekteve kapitale.

- LEXO: RMV-ja nënshkroi marrëveshje për bashkëpunim ekonomik me Mbretërinë e Bashkuar
- LEXO: Marrëveshja me Mbretërinë e Bashkuar sot para deputetëve të RMV-së
Sipas Marrëveshjes, projektet prioritare për përparim fillestar janë në katër fusha: shëndetësi, transport, teknologji dhe energji.
Shtojca A e Marrëveshjes tregon se cilat projekte do të mbulojë ky partneritet infrastrukturor. Ky është ndërtimi i hekurudhës me shpejtësi të lartë nga Tabanoca në Gjevgjeli, dhe ajo që është e re është se do të ketë edhe një hekurudhë deri në aeroportin e Shkupit.
Pas nënshkrimit u njoftua se do të ndërtohet një Qendër Klinike në Shkup, do të ketë rindërtim të spitaleve në Shtip dhe Kërçovë, spitaleve në Kumanovë, Manastir, rajonit Tetovë-Gostivar dhe rajonit Ohër-Strugë.
Objekti i marrëveshjes është një program për zhvillimin e Korridorit 8, një program për zhvillimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike, si dhe zhvillimin e kapaciteteve për prodhimin dhe transmetimin e energjisë elektrike.
Marrëveshja nuk specifikon se si do të financohen projektet.
Marrëveshja u kritikua për transparencë të ulët. Platforma e Organizatave Civile për Luftimin e Korrupsionit reagoi ndaj jotransparencës në procesin e negociatave të marrëveshjes. Kjo është marrëveshja e dytë e këtij lloji, dhe ashtu si marrëveshja me Republikën e Hungarisë, ajo nënshkruhet pa u informuar paraprakisht dhe në kohë publiku për detajet dhe kushtet që pranohen.