Këshilli Gjyqësor do të propozojë gjykatës të ri pas zgjedhjeve: Lënda për kushtetutshmërinë e gjuhës shqipe ende në pritje
Këshilli Gjyqësor ende nuk ka propozuar emër të ri për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese pas shkarkimit të gjykatëses kushtetuese Elizabeta Dukovska. Nga atje thonë se këtë do ta bëjnë pas mbarimit të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, gjegjësisht pas 2 nëntorit. Pasi të kompletohet Kushtetuesja do të duhet të hapet rruga e shqyrtimit të […]

Këshilli Gjyqësor ende nuk ka propozuar emër të ri për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese pas shkarkimit të gjykatëses kushtetuese Elizabeta Dukovska. Nga atje thonë se këtë do ta bëjnë pas mbarimit të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, gjegjësisht pas 2 nëntorit. Pasi të kompletohet Kushtetuesja do të duhet të hapet rruga e shqyrtimit të lëndës për përdorimin e gjuhës shqipe, gjë që mbetet peng e mungesës së përbërjes së plotë të kësaj gjykate, shkruan Portalb.mk.
“Pas përfundimit të procesit zgjedhor do të vazhdojë procedura e zgjedhjes së anëtarit të ri”, thonë nga Këshilli Gjyqësor për Portalb.mk.
Kujtojmë se edhe pse ishte paralajmëruar për më datë 19 qershor 2025, seanca për vlerësimin e kushtetutshmërisë për Ligjin për Gjuhët, gjegjësisht të gjuhës shqipe, nuk u mbajt. E njëjta u prolongua për kohë të pacaktuar, për shkak të tragjedisë në Koçan si dhe pas shkarkimit të gjykatëses Elizabeta Dukovska dhe moszëvendësimit të saj me gjykatës tjetër.
Gjykatësja Dukovska ishte raportuese mbi nismat për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit për gjuhët. Ajo u shkarkua me vendim të Gjykatës Administrative, sipas të cilit Këshilli Gjyqësor ka vepruar në mënyrë të parregullt në vitin 2023 kur zgjodhi Dukovskën.
Lënda e Ligjit për Gjuhët në Kushtetuese u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua në tetor 2024, pasi në pushtet erdhi VMRO-VLEN.
Për këtë aktivizim reagoi BDI-ja opozitare e cila nga 8 deri më 11 dhjetor, bashkë me një turmë qytetarësh prezantoi nismën “Roja për Gjuhën” përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.
Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetor do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.
